Ndërlidhjet

PDK-ja e ndarë rreth presidentit


PDK
PDK
Partia Demokratike e Kosovës mohon të jetë njoftuar nga partneri i koalicionit Aleanca Kosova e Re për shqyrtimin e idesë së shkëputjes së marrëveshjes për koalicion nga kjo parti. Përfaqësues të PDK-së paraqitën, gjatë së shtunës, qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet presidenti i ri i vendit, pasi procedura për zgjedhjen e Behxhet Pacollit si president, u cilësua si jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.


Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk ka qëndrim unik për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se procedurat e zgjedhjes së Behxhet Pacollit si presidentit, kanë qenë jokushtetuese, partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, pohon se është përgjegjëse për gjetjen e rrugëdaljes nga gjendja aktuale, por përfaqësues të saj thonë se për një gjë të tillë duhet të vendoset në javën e ardhshme.

Ndryshe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se zgjidhja duhet të bëhet përmes reformave zgjedhore.

“Unë nuk kisha thënë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne i kemi kryer zgjedhjet, por besoj se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë, e të dakordohen që brenda një kohe të bëjnë reformën zgjedhore, e cila është e domosdoshme; që të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ta gjejmë - në bazën e një marrëveshjeje, rrugën më të mirë për të ecur përpara”, thotë Krasniqi.

Behxhet Pacolli në ditën e zgjedhjes president...

Përmes vendimit të saj Kushtetuesja kishte konstatuar se gjatë procedurave për zgjedhjen e presidentit të vendit më 22 shkurt, Kushtetuta e Kosovës ishte shkelur për shkak të mungesës së ndonjë kundër-kandidati gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit dhe për shkak të mungesës së kuorumit që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit.

Pacolli ka vendosur të garojë sërish për president, ndërsa Aleanca Kosova e Re, tashmë ka paraqitur një kundër-kandidate nga radhët e partisë.

Megjithatë, opozita nuk ka ndryshuar deri më tani qëndrimin e saj - gjë që nga PDK-ja vlerësohet se paraqet një bllokim në zgjidhjen e problemit.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se po qe se vazhdon “bllokimi” nga ana e opozitës së vendit, Partia Demokratike do të ishte në favor të zgjedhjeve të parakohshme.

“Partia Demokratike nuk do të jetë iniciatore e një veprimi të tillë dhe nuk është ithtare e një veprimi të tillë. Por, Partia Demokratike e Kosovës nuk e pranon logjikën e bllokimit institucional dhe çdo zgjidhje tjetër do të jetë më e mirë sesa bllokimi”,
deklaron Kuçi.

Kundër një ideje të tillë, ndërkaq, shprehet anëtari tjetër i Kryesisë së PDK-së, Fatmir Limaj. Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin në dëm të vendit, ndërsa thekson rëndësinë që partitë politike të pajtohen për ndryshimin e nenit të Kushtetutës, i cili përcakton mënyrat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, e që, sipas Limajt, duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

“Kemi ushtruesin e detyrës gjashtë muaj dhe në këtë kohë me vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike ne mund të vijmë në një zgjidhje të tillë. Por, në fund të fundit u takon forcave politike të gjejnë zgjidhje”.

“Nuk kemi asnjë nevojë të shkojmë në zgjedhje parlamentare; mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare pas një marrëveshjeje politike pas një kohe të caktuar, por tani për tani, çfarëdo lëvizje që është për të shkuar në zgjedhje parlamentare, besoj që është në dëm të vendit tonë”
, shprehet Limaj.
Mungesa e përgjegjësisë politike


Një problem tjetër, me të cilin do të mund të ballafaqohet PDK-ja në ditët në vijim, është paralajmërimi i partnerit të koalicionit, AKR, për rishqyrtimin e marrëveshjes për koalicion. Kjo parti, përmes një komunikate për media dërguar pas mesnate, njoftoi se:

"Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend".

"AKR-ja, në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e koalicionit qeverisës, nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj”.


Mirëpo, PDK-ja mohon të jetë njoftuar për konsulta apo vendime të ngjashme nga ana e AKR-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG