Ndërlidhjet

Kushtetuesja rrëzon Pacollin


Behxhet Pacolli
Behxhet Pacolli

Me shumicë votash, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës ishte jokushtetuese.

Në njoftimin për media, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur vendimin mbi kërkesën e parashtruar nga Sabri Hamiti dhe deputetët tjerë në lidhje me “Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” lidhur me zgjedhjen e presidentit nga ana e Kuvendit më 22 shkurt.

“Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe me shumice votash, dhe me dy gjyqtarë mospajtues, shpall se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jokushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, thuhet në vendim.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arsyetimin e plotë të Gjykatës do ta marrin të mërkurën, kur edhe pritet që të bëhet e ditur masa eventuale që do t’i kërkohet Kuvendit.

“Meqë nuk po flasim për një akt të presidentit, nuk mund të bëhet fjalë për shkarkim, natyrisht. Këtu po flasim për një akt të Kuvendit. Ne duhet të presim nga Gjykata se çfarë mase i propozon Kuvendit. A i propozon rikthim në gjendjen e mëparshme, domethënë rikthim në gjendjen zero, para se ka filluar votimi; a i propozon rivotim apo diçka tjetër”.

“Vërtet, është vështirë në këtë moment të paragjykohet, sepse nuk mund ta dimë ne. Unë besoj se Gjykata i ka bërë analizat e nevojshme dhe në bazë të asaj, besoj që Kuvendi shumë shpejt do ta marrë edhe propozimin dhe si të tillë e ka për obligim që ta implementojë”,
i tha Radios Evropa e Lirë, Vjosa Osmani.

Çështja e vlerësimit të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së presidentit Bexhet Pacolli u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e opozitës, të iniciuar nga deputetët e LDK-së dhe të mbështetur nga ata të AAK-së.

Të dyja subjektet opozitare pretendojnë se në seancën e 22 shkurtit, kishte shkelje të procedurave e të Kushtetutës duke kërkuar kështu një vendim nga Gjykata në lidhje me këto dyshime.

“Është pak vështirë të dihet se çfarë mase do të kërkohet nga Kuvendi në këtë rast, meqë ju e dini se në praktikën tonë parlamentare e as kushtetuese nuk kemi pasur një rast të ngjashëm më herët dhe nuk mund të paragjykojmë as në aspektin juridik, e as politik se ka mund të ndodhë dhe cili mund të jetë hapi i ardhshëm. Na mbetet të gjithëve që ta presim arsyetimin e plotë të Gjykatës edhe masën që kërkohet të ndërmerret të mërkurën dikur pasdite besoj”
, theksoi Osmani.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë, nuk ka qenë e mundur të kontaktohen.

Ndërkohë, ish-deputeti Riza Smaka, njohës i çështjeve ligjore, thotë se nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ka pasur shkelje të rëndë, atëherë duhet të shkarkohet presidenti dhe të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Sipas interpretimit të Kushtetutës, kur dështon zgjedhja, e në këtë rast do të dështonte, sepse kur konstatohet se qenka bërë shkelje e procedurës, domethënë është dështuar të zgjidhet presidenti, atëherë duhet të shpërbëhet Kuvendi, duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme, Qeveria natyrisht bie, se Qeveria u zgjodh pas zgjedhjes së presidentit, që do të thotë nuk ka mundur të zgjidhet për shkak se ka dështuar në procedurë të rregullt, pasi në procedurën e zgjedhjes së presidentit qenka bërë shkelja e Kushtetutës”,
tha Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Smaka shtoi se Kuvendi është dashur të shpërbëhet menjëherë, pas kësaj shkeljeje. Rrjedhimisht, sipas tij, nuk do të duhej të votohej edhe Qeveria.

Ndryshe, në nenin 86, i cili thuhet se është shkelur nga Kuvendi, parashihen procedurat e zgjedhjes së presidentit. Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka saktësuar se cila pikë e këtij neni është shkelur, dilemat mbesin te pika 4 dhe 5.



Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës, i cili, sipas Gjykatës Kushtetuese është shkelur nga ana e Kuvendit më 22 shkurt, sqaron si në vijim:




Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]


1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG