Ndërlidhjet

Izraeli e ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë


Selia e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, në Gazë.
Selia e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, në Gazë.

Izraeli e kaloi të hënën një ligj i cili ia ndalon punën në vend agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA. Ky legjislacion ka mundësi të ndikojë edhe në punën e agjencisë në Gazën e rrënuar nga lufta.

Ligjvënësit, të cilët e përpiluan ligjin, u thirrën mbi përfshirjen e disa pjesëtarëve të stafit të UNRWA-s në sulmin e 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit.

Legjislacioni i ka alarmuar Kombet e Bashkuara dhe disa nga aleatët perëndimorë të Izraelit, të cilët druhen se ai mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e rënduar humanitare në Gazë, ku Izraeli është duke e luftuar tash e një vit Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ndalimi i punës së UNRWA-s në territoret palestineze ose diku tjetër nuk përmendet në këtë ligj. UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë Palestinezë, ka dhjetëra mijëra punonjës dhe ofron arsim, shëndetësi dhe ndihmë për miliona palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri.

Kjo agjenci ka pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me Izraelin, por marrëdhëniet janë përkeqësuar ndjeshëm prej kur filloi lufta në Gazë. Izraeli ka kërkuar vazhdimisht që UNRWA të shpërbëhet.

OKB-ja tha në gusht se nëntë punonjës të UNRWA-s mund të kenë qenë të përfshirë në sulmin e 7 tetorit dhe si pasojë ata janë shkarkuar.

“Nëse Kombet e Bashkuara nuk janë të gatshme ta pastrojnë këtë organizatë nga terrorizmi, nga aktivistët e Hamasit, atëherë ne duhet të marrim masa për t’u siguruar që ata nuk mund ta dëmtojnë më kurrë popullin tonë”, tha deputetja izraelite Sharren Haskel.

Një zëdhënëse e UNRWA-s tha para votimit se ligji i propozuar do të ishte “fatkeqësi” dhe do të kishte ndikim të rëndësishëm në operacionin humanitar në Gazë dhe në Bregun e okupuar Perëndimor.

“E dimë se përpjekjet e mëparshme që synonin ta zëvendësonin UNRWA-n dhe të ofronin ndihmë humanitare kanë dështuar mjerisht”, tha Juliette Touma, zëdhënëse e organizatës.

Ligji ka mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në institucionet e UNRWA-s në Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi përmes një vendimi që nuk njihet ndërkombëtarisht.

Para miratimit të legjislacionit, ministrat e jashtëm nga Franca, Gjermania, Britania, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Australia publikuan një deklaratë duke shprehur “shqetësim të madh”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG