Të hënën në Shqipëri ka arritur një anije me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme, sipas Rrjetit të Aksionit të Bazelit (BAN).
Jim Puckett, kreu i BAN-it, tha për gazetarët në Durrës se në anije janë "2102 tonë mbetje të rrezikshme".
"Shpresojmë që kontejnerët të vendosen në mbikëqyrje të rreptë dhe hapja e tyre të bëhet nën vëzhgimin e publikut, që përmbajtja më pas të analizohet. Ka pasur shumë deklarata kontroverse për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje të rrezikshme, ndërsa ne themi që jemi 95% të sigurt që janë", tha Puckett.
Kjo ngarkesë dyshohet se ishte eksportuar drejt Tajlandës tre muaj më parë dhe Puckett tha se kjo gjë nuk duhej të ndodhte në radhë të parë.
"Ne morëm mostra në fabrikë (Kurum në Elbasan) dhe analizuam. Kemi gjetur se ka mbetje të konsiderueshme arseniku dhe plumbi. Niveli i mbetjeve që ka dalë nga Shqipëria është përtej niveleve të lejuara e ne besojmë që ky eksportim ngarkesash është dëm për bujqësisë dhe mjedisin. Kur industria ka probleme me mbetjet zgjidhja nuk është eksportimi por duhet zgjidhur këto në shtëpi", shtoi ai.
Çështjen e këtyre kontejnerëve e ka ngritur fillimisht BAN, që gëzon ekspertizë në fushën e drejtësisë mjedisore.
BAN pati thënë më 5 gusht se ka dyshime për transportim të mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i kompanisë turke 'Kurum International', në zonën e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Më 21 gusht, Prokuroria e Durrësit, bashkë me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), i kanë nisur hetimet.
Në shkresën e nisur nga Prokuroria drejt disa institucioneve për zbatim të ligjit, është kërkuar që të zbatohet urdhri për sekuestrim dhe që mbetjet të depozitohen në një vend të sigurt.
“Është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerët që janë duke u transportuar në Shqipëri me anijen 'Moliva'. Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt”, është thënë në shkresën e Prokurorisë së Durrësit.
Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm aludime.
Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se nga Shqipëria nuk janë transportuar mbetje të rrezikshme në Tajlandë apo Kinë.
"Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë, dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku janë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”, është thënë në reagimin e Qeverisë në shtator, duke pretenduar se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët, pa përmendur specifikisht dikë me emër.
Opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania "Kurum International" ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania "Sokolaj" ka shkelur ligjin, lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.