Ndërlidhjet

Ahmeti: Po rrezikohen arritjet historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, Ali Ahmeti, u ka dërguar letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adresojë tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.

Ahmeti, sipas BDI-së, ka ngritur shqetësime se këto zhvillime, “rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik”.

“Ahmeti thekson se tri vendime e fundit përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai u bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e BDI-së të publikuar më 27 tetor.

Në mesin e udhëheqësve që Ahmeti u ka dërguar letër janë presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, të shtunën, tha se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm pjesa e gjyqësorit.

Çka është Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.

Ligji përcakton që elementë zyrtarë, si monedha, pullat postare, uniformat e policisë dhe zjarrfikësve, të përfshijnë gjithashtu shkrime në gjuhën që flitet nga së paku 20% e popullatës, një masë që përkrah identitetin gjuhësor të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

Kushtetuesja shfuqizoi Balancuesin

Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut po ashtu vendosi të shfuqizojë Balancuesin, një mekanizëm softuerik që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve etnike në administratën publike.

Ky mekanizëm ishte krijuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe siguronte që përqindja e punësimeve të përputhej me përbërjen etnike të popullsisë. Gjithashtu, shfuqizimi i Balancuesit ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e dispozitave që kërkojnë mbajtjen e të dhënave mbi përkatësinë etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore.

Sipas regjistrimit të popullsisë i vitit 2022, popullsia e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54.21% janë maqedonas dhe 29.52% shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla.

Në përgjigje të shfuqizimit të Balancuesit, koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë maqedonase, ka njoftuar se është në proces të hartimit të një ligji të ri për përfaqësim etnik.

Por, përkundër këtij pohimi të koalicionit VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka deklaruar se “nuk është duke u përpiluar ligj për balancuesin ashtu siç pretendon koalicioni VLEN”.

“Ne edhe ashtu kishim marrëveshjes me VMRO-DPMNE përpara se të fillojë koalicioni se fillimisht duhet të merremi vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe më pas, balancuesin”, ka thënë javë më parë, Arben Taravari, kryetar i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN.

  • 16x9 Image

    Enis Shaqiri

    Enis Shaqiri është gazetar i Radios Evropa e Lirë në Maqedoninë e Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG