Ndërlidhjet

Aktakuzë e re kundër Donald Trumpit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020


Donald Trump
Donald Trump

Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dyshimet se ai ishte përpjekur ta zhbënte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Aktakuza e re e ngarkon Trumpin me akuzat e njëjta kriminale sikurse ajo e vjetra, por përmban disa ndryshime pas aktvendimit të Gjykatës Supreme se ish-presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale.

Aktakuza e re përqendrohet në rolin e Trumpit si kandidat politik që kërkonte rizgjedhjen, në vend se si president i vendit asokohe.

Më 1 korrik, Gjykata Supreme tha se Trumpi gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet që i kishte ndërmarrë si president.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm tha se aktakuza e përditësuar, e dorëzuar në gjykatën federale në Uashington, “pasqyron përpjekjet e Qeverisë për t’i respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Supreme”.

Në një reagim në platformën e vet Truth Social, Trump e quajti aktakuzën e re “dëshpërim” dhe “përpjekje për ta ringjallur gjuetinë e vdekur të shtrigave”. Ai tha se aktakuza e re i ka “të gjitha problemet e aktakuzës së vjetr dhe duhet të hidhet poshtë menjëherë”.

Aktakuza e re i heq referencat ndaj akuzave të cilat mund të cilësohen si veprime zyrtare për të cilat Trumpi gëzon imunitet, sipas vendimit të Supremes. Kjo përfshin akuzat se Trumpi u përpoq ta përdorte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjet e tij të dështuara për ta zhbërë humbjen në zgjedhje, përfshirë duke kryer hetime të rrejshme dhe duke u thënë shteteve – gabimisht – se është vërejtur mashtrim i madh në zgjedhje.

Gjykata Supreme tha në vendimin e saj se bashkëveprimi i presidentit me Departamentin e Drejtësisë është veprim zyrtar dhe për këtë ai gëzon imunitet.

Aktakuza e re heq edhe referencat ndaj komunikimit të Trumpit me zyrtarët e qeverisë federale – si avokatë të lartë të Shtëpisë së Bardhë – të cilët i kishin thënë atij se nuk kishte dëshmi për mashtrim që do ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve 2020. Ajo i heq edhe referencat ndaj deklaratave të caktuara të Trumpit, përfshirë një pretendim që ai e kishte bërë në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë dy ditë pas zgjedhjeve për një kosh të dyshimtë të mbushur me vota në Detroit.

Por, aktakuza e re përmban njërën prej akuzave më tronditëse të ngritura nga Smith, se Trumpi mori pjesë në një skemë të orkestruar nga aleatët për rekrutimin e pjesëtarëve të rrejshëm zgjedhorë në terren në shtetet ku demokrati Joe Biden kishte fituar, të cilët do të dëshmonin rrejshëm se Trumpi i kishte fituar ato shtete.

Gjithashtu aktakuza ruan edhe dyshimet se Trumpi i kishte bërë trysni nënpresidentit Mike Pence për ta hedhur poshtë ligjshmërinë e votave dhe se Trumpi dhe aleatët e tij e shfrytëzuan kaosin në Capitol më 6 janar, në përpjekje për ta shtyrë edhe më shumë certifikimin e fitores së Bidenit.

Trump është sërish kandidat republikan për president në zgjedhjet e 5 nëntorit, dhe këtë herë ai do të garojë kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila, sipas sondazheve, ka një epërsi të vogël ndaj tij në nivel kombëtar.

Në maj, Trump u bë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Një gjykatë në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG