Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Lindjen e Mesme me shpresën se do ta ndërmjetësonte një marrëveshje të vështirë për armëpushim, me qëllim për t’i dhënë fund luftës shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, kryediplomati amerikan u largua nga rajoni më 21 gusht – pas vizitës së tij të nëntë gjatë luftës dhjetëmuajshe – pa arritur ndonjë përparim të madh.
Ekspertët thonë se ende ka mospajtime të mëdha mes palëve të përfshira në konflikt, Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
“Kjo është ende punë e pakryer dhe unë, personalisht, nuk jam optimist” tha Firas Maksad, hulumtues në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.
“Një fije optimizmi”
Para vizitës më të fundit të Blinkenit, zyrtarët amerikanë shprehën optimizmin se kurrë nuk ka qenë më afër arritja e marrëveshjes për armëpushim.
Blinkeni udhëtoi në Izrael, Egjipt dhe Katar, në përpjekje për ta theksuar nevojën urgjente për arritjen e një marrëveshjeje. Gjatë qëndrimit në Tel Avivi, ai paralajmëroi se “mbase kjo është mundësia e fundit” për ta arritur marrëveshjen.
Megjithatë, ai u duk pesimist në komentet që i bëri pasi e përfundoi udhëtimin në rajon.
Besimi ishte rritur pasi Blinkeni e takoi kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe njoftoi se Izraeli e kishte pranuar një propozim amerikan për “përafërim”, i cili kishte për qëllim ta ngushtonte hendekun mes dy palëve të përfshira në luftë.
Më pas, ai i bëri thirrje Hamasit ta pranonte propozimin gjithashtu.
Por, vetëm një ditë më vonë, Netanyahu u citua nga mediat izraelite duke shprehur mospajtim për një pikë kyçe: tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza.
Hamasi nuk e ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë propozimin amerikan, por tha se ai bie në kundërshtim me kushtet për të cilat palët janë pajtuar në të kaluarën.
Uashingtoni i ka shtuar përpjekjet për t’i shtyrë përpara bisedimet për armëpushim, pas vrasjes së Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, në Iran, dhe të një komandanti të lartë të Hezbollahut në Liban muajin e kaluar. Dyshohet se Haniyeh u vra nga Izraeli.
Teherani, i cili i mbështet Hamasin dhe Hezbollahun, është zotuar për hakmarrje ndaj Izraelit, duke nxitur frikën për shpërthimin e një lufte të mundshme rajonale.
Maksad tha se Shtetet e Bashkuara kanë shtuar “një fije optimizmi” në bisedime, për t’iu bërë trysni Izraelit dhe Hamasit ta pranojnë marrëveshjen e propozuar për armëpushim dhe ta sigurojnë Iranin dhe Hezbollahun se është shënuar përparim.
Synimi, sipas Maksad, është të parandalohet një sulmi i udhëhequr nga Irani kundër Izraelit dhe për shmangur një luftë të përgjithshme në rajon.
Irani e ka shtyrë hakmarrjen kundër Izraelit dhe ka lënë të kuptohet se nuk dëshiron që veprimet e tij të kenë ndikim në bisedimet për armëpushim.
“Lufta mund të mos përfundojë”
Ekspertët thonë se nuk është madje e qartë nëse dy burrat kryesor në bisedime duan paqe – Netanyahu dhe lideri i Hamasit Yahya Sinwar, i cili është fajësuar për orkestrimin e sulmit vdekjeprurës më 7 tetor në Izrael që e nxiti luftën në Gazë.
Anëtarët kryesorë të koalicionit të krahut të djathtë të Netanyahut e kundërshtojnë armëpushimin.
“[Netanyahu] e di se koalicioni i tij në Knesset do të jetë në rrezik, nëse ai nënshkruan marrëveshje që i jep fund luftës”, tha Michael Horowitz, shef i inteligjencës në organizatën Le Beck International me bazë ë Bahrejn.
Ndërkohë, Hamasi mund të jetë duke e pritur një sulm iranian kundër Izraelit, i cili “do t’i përshkallëzonte tensionet rajonale dhe mund t’i japë grupit më shumë ndikim në të ardhmen”, tha Horowitz.
Maksad tha se Sinwar prej fillimit të luftës "ka dashur shumë t’i joshë Iranin dhe përfaqësuesit e tij të ndryshëm për ta mbështetur kauzën e tij".
Ajo që mund t'i ndërlikojë më shumë gjërat është tentativa për sulm vetëvrasës me bombë në Tel Aviv më 18 gusht, përgjegjësin për të cilin e mori Hamasi së bashku me grupin ekstremist Xhihadi Islamik Palestinez.
Hamasi hoqi dorë nga sulmet vetëvrasëse në vitin 2006 përpara se të merrte kontrollin në Gaza, pasi kërkonte më shumë legjitimitet dhe njohje ndërkombëtare. Por rikthimi i operacioneve vetëvrasëse mund të ketë pasoja, sipas ekspertëve.
“Kjo sugjeron se lufta mund të mos përfundojë në të vërtetë, por vetëm mund të shndërrohet në diçka më të tmerrshme, më shkatërruese dhe përfundimisht më kërcënuese, si për sigurinë izraelite, ashtu edhe për shpresat për një shtet palestinez në të ardhmen,” tha Gregory Brew, hulumtues nga Eurasia Group me bazë në SHBA.
Pikat kyçe
Hollësitë e propozimit amerikan për armëpushim janë mbajtur të fshehta, por analistët thonë se ai parashikon marrëveshje me shumë faza.
Horowitz tha se faza e parë do të përfshijë një tërheqje graduale të trupave izraelite nga pjesa më e madhe e Gazës dhe lirimin e disa prej pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Negociatat do të zhvillohen gjithashtu për të lehtësuar një armëpushim të përhershëm gjatë fazës së dytë.
“Hamasi është i shqetësuar se, edhe nëse e nënshkruan propozimin e SHBA-së, bisedimet për një armëpushim të përhershëm ndërmjet fazës 1 dhe fazës 2 do të dështojnë dhe Izraeli do ta përdorë këtë si një justifikim për të rifilluar luftën”, tha ai.
Horowitz tha se Netanyahu dëshiron të ruajë të drejtën për të vendosur se cilët të burgosur palestinezë lirohen në këmbimin e të burgosurve. Çfarë është me rëndësi, shtoi ai, Netanyahu gjithashtu dëshiron që Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ta ruajnë praninë përgjatë të paktën njërit prej dy korridoreve strategjike në Rripin e Gazës.
Korridori i Filadelfit është një rrip i ngushtë toke që kalon përgjatë kufirit jugor të enklavës me Egjiptin. Korridori i Netzarimit, i cili shkon në jug të qytetit të Gazës, e ndan territorin në seksione jugore dhe veriore.
"Synimi kryesor i Hamasit është të sigurojë një fund të përhershëm të luftës dhe tërheqjen e plotë të të gjitha trupave të IDF-së - për këtë qëllim, pranimi i së drejtës së Izraelit për të mbajtur trupa brenda territorit është i papranueshëm," tha Brew.
Ai shtoi se "pa lëshuar pe pala izraelite për Filadelfin ose Netzarimin - ose, që është më pak e mundshme, Hamasi të heqë dorë nga kjo plotësisht – arritja e një marrëveshjeje nuk duket e mundshme".