Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Posta e Serbisë funksionon në Kosovë që nga paralufta dhe ofron lloj-lloj shërbimesh për komunitetin serb, por edhe për komunitetet tjera në Kosovë. Për dallim prej disa ndërmarrjeve tjera publike të Serbisë, ky institucion – degë të të cilit u mbyllën këtë javë nga autoritetet e Kosovës në veri të vendit – nuk ka aplikuar kurrë për licencë në Kosovë. Cilat janë arsyet?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Në Kosovë ekzistojnë dy ndërmarrje publike serbe, të cilat veprojnë sipas ligjeve të vendit: MTS d.o.o. dhe Elektrosever.
MTS d.o.o. ka licencë për të ofruar shërbime në fushën e telekomunikacionit, ndërsa Elektrosever për furnizimin me energji elektrike të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e rrymës atje.
Të dyja këto kompani serbe në Kosovë operojnë me euro dhe në këtë valutë i lëshojnë edhe faturat për pjesëtarët e komunitetit serb.
E përbashkëta e tyre është që detajet për to janë negociuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Pse nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Postën e Serbisë në Kosovë?
Kryetari i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad, Aleksandar Popov, përmend mosgatishmërinë e palëve.
Më 5 gusht, autoritetet e Kosovës i mbyllën në veri të vendit nëntë degë të Postës së Serbisë, me arsyetimin se kjo ndërmarrje nuk është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Ish-kryesuesja e delegacionit të Kosovës në kohën e negociatave për Elektroseverin dhe MTS-në, Edita Tahiri, nuk deshi të komentonte për çështjen e Postës, duke thënë se nuk i përket fushës së saj.
Serbia dhe Bashkimi Evropian insistojnë që për shërbimet postare duhet të diskutohet në Bruksel, ashtu siç janë marrë vesh palët në të kaluarën.
Sociologu dhe analisti politik në Prishtinë, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu në Bruksel është përshkuar me mungesë të madhe të transparencës, dhe se askush nuk i di me saktësi arsyet e vërteta të moszgjidhjes së kësaj problematike.
“Përvojat e deritashme rrëfejnë që vetëm zgjidhjet e pranuara mes tri palëve kanë stabilitet afatgjatë. Tentimet për imponime mund të tingëllojnë triumfaliste, mirëpo kostot përfundimtare i zhbëjnë pretendimet fillestare”, thotë ai.
Ekonomisti dhe kryeredaktori i platformës Strateo në Beograd, Sasha Gjogoviq, beson që dialogu është çelësi.
“Nuk është e mundshme që të gjenden zgjidhje të njëanshme, është e rëndësishme të ketë komunikim interaktiv mes palëve dhe BE-së. Por, e shoh që [i dërguari evropian për dialog, Mirosllav] Lajçak është shumë pasiv në këtë periudhë vakumi mes zgjedhjeve në BE dhe atyre në ardhje në Shtetet e Bashkuara”, thotë Gjogoviq.
Prandaj, ai pohon se duket sikur ekziston një “marrëveshje e pashkruar” Prishtinë-Beograd, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ta çojë përpara agjendën e tij në këtë kohë vakumi, dhe, sipas Gjogoviqit, në fund Serbia dhe serbët e Kosovës do të detyrohen ta pranojnë realitetin e ri.
Rëndësia e Postës për serbët në Kosovë
Nëpër degët e Postës së Serbisë, e cila ofron edhe shërbime financiare jobankare, qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të kryenin pagesa të ndryshme për institucionet që punojnë sipas sistemit paralel serb, të pranonin ose të dërgonin letra, si dhe të merrnin pagesa prej buxhetit të Serbisë, sikurse pensionet, apo ndihmat për fëmijë, në dinarë serbë.
Degët e kësaj Poste, në pjesën jugore, vazhdojnë punën.
Megjithatë, sigurimi i ndihmave përmes Postës është vështirësuar këtë vit, pas fuqizimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta bërë euron si valutë të vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Si rrjedhojë, u ndalua qarkullimi i dinarit serb.
Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar disa runde negociatash në Bruksel për të gjetur një zgjidhje për dinarin.
Nëpër ato bisedime u tha se pala serbe ka shtyrë përpara mundësinë e licencimit në Kosovë të bankës Kursimorja e Postës, por se pala kosovare nuk është pajtuar, me arsyetimin se Banka Qendrore e Kosovës, si institucion i pavarur, vendos për licencim.
Me mosfunksionimin e Kursimores së Postës dhe të Postës së Serbisë, analistët në Serbi besojnë se jeta e serbëve lokalë në Kosovë është vështirësuar, por që asnjëra palë nuk është e interesuar për mirëqenien e tyre.
Gjogoviq e përmend si mundësi shkuarjen e serbëve në Serbi për t’i kryer punët e tyre, por thotë se ajo alternativë mund të bëhet e kushtueshme dhe të mos jetë praktike për ta.
Ndërkaq, Popov beson që Asociacioni i komunave me shumicë serbe – për çka palët kanë arritur dy marrëveshje që nuk janë zbatuar kurrë – do të mund t’i mbulonte gjithë këto aspekte.
Në një draft-statut të Perëndimit, që iu prezantua palëve vitin e kaluar, si bazë për formim të Asociacionit është paraparë që ky trup të ketë buxhetin e vet në një llogari në ndonjërën nga bankat e licencuara nga BQK-ja.
Muhaxhiri vlerëson se “përfshirja e të gjitha kompanive serbe që funksionojnë në Kosovë, nën ombrellën institucionale shtetërore, është e pashmangshme”, por thotë se të dyja palët tani janë duke synuar përfitime maksimale prej procesit të dialogut.
Disa serbë në veri, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se janë të dëshpëruar për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, dhe se veprime të tilla “nuk çojnë drejt paqes”.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Milionat e humbura për digjitalizim të shkollave
- Dreka, udhëtime, takime: Ku shkuan paratë e Kosovës për lobim në SHBA?
- Sa paguhen medalistët e artë olimpikë nga vendet e tyre?
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.