Ndërlidhjet

A do t’i kundërshtojë Evropa vendimet provokuese të Hungarisë?


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. (Fotografi nga arkivi)
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. (Fotografi nga arkivi)

Shumë njerëz kanë mundur të mendojnë se Hungaria – e cila kryeson aktualisht presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së – nuk do të bënte provokime gjatë muajit gusht, kur institucionet në Bruksel janë zyrtarisht në pushim.

Por, në fund të korrikut, Budapesti njoftoi se do ta zgjerojë programin e vet për emigrantët, i quajtur “kartela kombëtare”, për t’i përfshirë në të edhe bjellorusët dhe rusët (si dhe qytetarët nga Bosnje e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut).

Serbët dhe ukrainasit kanë qenë të përfshirë në këtë listë edhe më herët.

Kartela ua mundëson të anëtarësuarve të punojnë në Hungari për dy vjet. Programi mundëson edhe bashkim familjar dhe është më lehtë të jesh pjesë e tij sesa të marrësh vizë pune apo vizë biznesore. Pas tri vjetëve, programi mund madje t’i sigurojë një personi edhe banim të përhershëm.

Përfshirja në të e rusëve dhe bjellorusëve i ka zemëruar Brukselin dhe disa vende anëtare, sepse duket se është në kundërshtim me politikën e BE-së kundër këtyre dy vendeve.

BE-ja ka vendosur regjim vizash dhe ua ka ngrirë asetet mbi 2.000 shtetasve nga këto dy vende, për shkak të luftës në Ukrainë. Ajo i ka ngrirë edhe marrëveshjet për lehtësimin e marrjes së vizave dhe e ka bërë edhe më të vështirë udhëtimin nga Bjellorusia dhe Rusia për në Zonën Schengen, duke i ndaluar fluturimet dhe duke i kufizuar mundësitë e tjera të udhëtimit. Për më tepër, qindra diplomatë rusë janë përzënë nga shtetet anëtare të BE-së, shumica e tyre për shkak të akuzave për spiunazh.

Kritikat për vendimin më të fundit të Hungarisë kanë të bëjë me druajtjet se mund ta minojë sigurinë në Zonën Schengen dhe ta rrisë mundësinë e spiunimit rus, sepse zotëruesit e kartelave mund, në teori dhe në praktikë, të udhëtojnë lirshëm në shumicën e vendeve të bllokut.

Ky ishte edhe thelbi i letrës së komisionares së BE-së për çështje të brendshme, Ylva Johannsson, më 1 gusht, drejtuar autoriteteve hungareze për këtë çështje, në të cilën ajo theksoi se “ka raportime të shumta për sabotime dhe sulme ndaj infrastrukturës sonë kritike dhe për veprime të tjera armiqësore”.

Ajo shtoi se “derisa vendet anëtare [të BE-së] kanë kompetencë për të lëshuar viza për qëndrim afatgjatë dhe leje banimi, skema të tilla duhet të vlerësohen kujdesshëm, në mënyrë që të mos e vejnë në rrezik integritetin e zonës sonë të përbashkët pa kontrolle të brendshme kufitare dhe t’i konsiderojnë siç duhet ndërlikimet e mundshme të sigurisë”.

Ajo gjithashtu i kërkoi Budapestit që deri më 19 gusht t’i kthejë përgjigje në 13 pyetjet e saj në një aneks të letrës, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL). Mbase, përgjigja më e vështirë që Hungaria duhet t’i japë asaj është shpjegimi se çfarë mori në konsideratë ajo për t’i futur shtetasit rusë dhe bjellorusë në programin për kartelë kombëtare dhe nëse Budapesti ka bërë vlerësime të sigurisë para se ta merrte atë vendim.

Pyetjet e tjera kanë të bëjnë me atë se si Hungaria garanton se njerëzit e sanksionuar nuk do të futen në Zonën Schengen dhe nëse kontrollet kufitare ndaj udhëtarëve rusë dhe bjellorusë janë më rrepta se ndaj udhëtarëve nga vendet e tjera të treta.

Brukseli e ka pyetur Hungarinë gjithashtu se sa njerëz pritet të aplikojnë nga këto dy vende, si dhe për statusin [e pranuar/refuzuar/në pritje] të atyre që kanë aplikuar tashmë.

Me gjithë zemërimin dhe fjalët e ashpra, BE-ja në fakt nuk është se mund të bëjë shumë për këtë çështje. Zyrtarët e BE-së me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë e pranojnë se Hungaria e ka gjetur përsëri një boshllëk në kornizën ligjore dhe ndaj saj nuk mund të bëhet shumë trysni për këtë.

“Kam frikë se argumentet ligjore janë në anën e tyre”, tha një diplomat në dijeni për këtë çështje, i cili shtoi se për çështjen e vizave kombëtare, Hungaria nuk ka nevojë të konsultohet me askënd në BE.

Në një letër të shpërndarë brenda bllokut, të cilët e ka parë REL-i, Budapesti u mundua t’i sigurojë vendet e tjera anëtare duke theksuar se “qytetarët rusë dhe bjellorusë mund të futen në Hungari, dhe kështu edhe në Zonën Schengen, vetëm me viza të vlefshme, dhe mund të marrin leje banimi vetëm përmes procedurave ligjore, pas një procedure të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme për Politikën e të Huajve”.

Pra, çfarë nëse diçka mund të bëhet nëse vendet anëtare dhe Komisioni Evropian nuk binden? Së pari, asgjë nuk do të ndodhë në gusht, Brukseli nuk është plotësisht i njoftuar dhe do t’i duhet ta vlerësojë mirë gjendjen, fillimisht.

E dyta, derisa disa po bëjnë thirrje që Hungaria të përjashtohet apo pezullohet nga Zona Schengen, kjo ka fare pak të ngjarë të ndodhë. Së pari, nevojitet njëzëshmëri, gjë që është pothuajse e pamundur të arrihet. Fqinjët e Hungarisë në BE përfitojnë që të gjithë nga lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, prandaj do të kishte ndikim negativ nëse ndodh. Ia vlen të përmendet se një vendim i tillë nuk është marrë kurrë, prej themelimit të Schengenit më 1985.

Ajo çfarë mund të ndodhë është rritja e kontrolleve të sigurisë në kufijtë tokësore nga fqinjët e Hungarisë dhe në aeroporte e fluturimeve që vijnë nga Hungaria. Njëlloj si çështjet e brendshme, edhe kjo çështje është kompetencë kombëtare, pra i takon secilit vend anëtar të vendosë nëse dëshiron të ndërmarrë masa më të rrepta. Por, ato nuk kanë nevojë ta njoftojnë Brukselin për vendimet e tyre.

Derisa Hungaria mund ta kapërcejë lumin pa u lagur, zemërimi brenda klubit është rritur për shkak të sjelljes së Budapestit.

“Po rritet mundësia për një kundërshtim”, tha një zyrtar i BE-së për REL-in, i cili shtoi se zemërimi për vizitën e Viktor Orbanit në Moskë dhe në Pekin në fillim të kësaj vere ende nuk është shuar.

Opsioni ekstrem, pezullimi i të drejtës së Hungarisë për votë në këshill, ende ekziston. Rreziku ekziston, dhe ka ekzistuar për vite, por sa është real?

Deri tani nuk ka pasur ndonjë dëshirë për këtë, por nëse Francës dhe Gjermanisë, shtytëseve të politikave të BE-së, u ka ardhur shpirti në majë të hundës, gjërat mund të fillojnë të ndryshojnë. Njëzëshmëria është, natyrisht, e nevojshme edhe këtu, por Berlini dhe Parisi mund t’i bindin të tjerët për ta bërë këtë.

“Deri tani, ata po mendonin se kishin ndikim mbi Budapestin dhe se Hungaria do të vepronte në mënyrë konstruktive gjatë presidencës”, tha një ambasador për REL-in.

Mbetet të shihet se sa shumë është sosur durimi kur të kthehen diplomatët nga plazhi.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG