Alfred Beleri doli mëngjesin e së hënës nga burgu i Fierit në Shqipëri, pas lejes pesëditore që miratoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në këtë vend, për t’i mundësuar betimin si eurodeputet.
Kërkesa e tij për leje për të udhëtuar drejt Strasburgut, u miratua një ditë më herët.
Beleri u zgjodh deputet i Greqisë në Parlamentin Evropian, muajin e kaluar, teksa vuante dënimin prej dy vjetësh burgim në Shqipëri për vjedhje votash në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Nga burgu i Fierit, Beleri udhëtoi drejt Aeroportit të Rinasit në Tiranë, me një automjet me targa diplomatike të Ambasadës greke.
“Po ik drejt Athinës, ndërsa nesër do të jem në Strasburg, ku do të zhvillohet mbledhja e parë e Parlamentit Evropian. Nesër në Strasburg do të ketë votime dhe vendime të rëndësishme”, tha Beleri për mediat në Rinas.
Kush është Beleri?
Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës - qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.
Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars.
Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin e tij në qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi më pas mandatin dhe presidenti i vendit, Bajram Begaj, shpalli zgjedhje të reja në Himarë.
I pyetur nga gazetarët në Rinas se përse nuk u lejua të betohet si kryebashkiak i Himarës, por iu dha leje të shkonte në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet, Beleri tha se drejtësia shqiptare tregoi qartë dy standarde.
“Herët a vonë, dëshira e sovranit do të respektohet. Më 4 gusht, himarjotët do të japin përgjigjen e duhur”, tha Beleri.
Ai, po ashtu, tha se do të ankohet për vendimin e Apelit, duke u zotuar se do ta ndjekë çështjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, por edhe në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas vendimit të Drejtorisë së Burgjeve, Beleri duhet të kthehet në burgun e Fierit më 20 korrik, në orën 16:00, për të vazhduar dënimin e mbetur për “korrupsion zgjedhor”.