Prej kohësh, bota ka qenë e vetëdijshme për dëmin e shkaktuar nga aparteidi – ndarjes sistematike apo diskriminimit të njerëzve bazuar në racën e tyre. Po praktika e instutucionalizuar e veçimit dhe keqtrajtimit të njerëzve për shkak të gjinisë?
Përpjekjet që “aparteidi gjinor” të njihet në të drejtën ndërkombëtare janë intensifikuar, me shtypjen e grave dhe vajzave në Afganistan dhe Iran që kanë rritur thirrjet për veprim të menjëhershëm. Megjithatë, ende ka pengesa të mëdha.
Çfarë duan grupet për të drejtat e njeriut?
Avokuesit duan një përkufizim të qartë të aparteidit gjinor si krim në bazë të ligjit ndërkombëtar. Aktualisht, vetëm “ndjekje penale” me bazë gjinore njihet si krim kundër njerëzimit. Por, grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët thonë se koncepti i ndjekjes penale nuk pasqyron shkallën e vërtetë të shkeljeve që kryen në sisteme ku aparteidi gjinor është i institucionalizuar.
Qëllimi është që Kombet e Bashkuara të mbushin këtë boshllëk duke mbrojtur ligjërisht gratë dhe vajzat nga shkeljet sistematike dhe dhuna.
Mbrojtësit e të drejtave të grave afgane vlerësohet se janë të parët që kanë artikuluar konceptin e aparteidit gjinor në vitet ’90, gjatë regjimit të parë të talibanëve.
Që kur talibanët u rikthyen në pushtet më 2021, grupi islamist i linjës së ashpër ka rikthyer politikat shtypëse ndaj grave dhe vajzave, përfshirë edhe kufizimet e ashpra për dukjen e tyre, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e punësimit dhe arsimimit.
Hoda Khamosh, aktiviste afgane për të drejtat e grave, tha se njohja e aparteidit gjinor do të sillte përfitime të mëdha për të drejtat e grave në këtë shtet.
“Ne do të ishim në gjendje të mbanin përgjegjës autoritetet dhe kryesit e dhunës me bazë gjinore dhe të diskriminimit kundër grave”, tha Khamosh për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.
Ndërkaq, aktivistët për të drejtave e grave iraniane thanë se institucionalizimi i diskriminimit të grave në Republikën Islamike është aparteid gjinor.
Ekspertët e OKB-së thanë se zbatimi i dhunshëm i ligjit për hixhabin dhe ndëshkimet e grave dhe vajzave që dështojnë të veshin shaminë e kokës mund të përshkruhen si një formë e aparteidit gjinor.
Kur duan që aparteidi gjinor të njihet si krim?
Sot. OKB-ja është duke e shqyrtuar miratimin e një Traktati të madh që do të bashkonte nënshkruesit kundër krimeve kundër njerëzimit. Dhjetëra grupe për të drejtat e njeriut dhe qindra individë në mars nënshkruan një deklaratë përmes së cilës bënë thirrje që aparteidi gjinor të përfshihet në draft-listën e krimeve të tilla.
Ata shpresojnë që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të miratojë procedurat për nisjen e negociatave për traktatin gjatë mbledhjes së ardhshme, në shtator.
Rrugë e vështirë
Përderisa koncepti i aparteidit gjinor gjithnjë e më shumë po përdoret nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, veçmas në lidhje me shkeljet ndaj grave dhe vajzave në Afganistan dhe Iran, por po ashtu ka pasur mundësi të humbura.
Gjatë bisedimeve në Doha me talibanët – të organizuara nga OKB-ja – në fillim të korrikut, për shembull, gratë nuk kishin një ulëse në tavolinën e bisedimeve.
Aktivistët për të drejtat e njeriut, që kërkojnë njohjen e aparteidit gjinor dhe bëjnë thirrje për sanksionimin e atyre që bëjnë shkelje të tilla, kanë akuzuar OKB-në se po i jep legjitimitet sundimit të talibanëve dhe po e tradhton angazhimin e saj ndaj të drejtave të grave.
“Komuniteti ndërkombëtar ka obligim moral për të siguruar mbrojtje për të drejtat e grave afgane dhe të respektojë parimet e drejtësisë dhe barazisë në çdo angazhim me talibanët”, tha Sima Samar, ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të të Drejtave të Njeriut në Afganistan (AIHRC). Këtë deklaratë ajo e bëri për CIVICUS, që është një aleancë globale e organizatave të shoqërisë civile.
Burgim dhe vdekje në Iran
Sikurse talibanët në Afganistan, regjimi klerik i Iranit është cilësuar nga organizatat e të drejtave të njeriut si “regjim i aparteidit gjinor”.
Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, e cila është aktiviste iraniane për të drejtat e njeriut dhe që jeton në mërgim, është në mesin e nënshkruesve kyçë të përpjekjes globale për T’i Dhënë Fund Sot Aparteidit Gjinor.
Kjo lëvizje, duke përmendur përpjekjen e suksesshme të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut dekada më parë, theksoi se grave në Iran nuk u lejohet të studiojnë në shumë fusha, nuk u lejohet të marrin pjesë në ngjarje sportive, të kenë pasaportë apo të udhëtojnë jashtë shtetit pa lejen e bashkëshortëve të tyre.
Kjo lëvizje tha se qëllimi i autoriteteve është që të mbajnë gratë të nënshtruara ndaj burrave dhe ndaj shtetit përmes një sistemi ligjesh. Shkeljet mund të çojnë në “dhunë, burgim dhe vdekje”.
“Situata në Republikën Islamike të Iranit dhe në Afganistanin nën sundimin talibanë nuk janë thjesht raste të diskriminimit gjinor”, tha lëvizja, duke bërë thirrje për mbështetje. “Përkundrazi, këto sisteme po kryejnë një luftë më ekstreme, sistematike dhe strukturore kundër grave të dizajnuara për të dehumanizuar dhe shtypur ato me qëllim të forcimit të pushtetit”.