Ndërlidhjet

Bashkëjetesa në Kosovë “pas perdeve” dhe me narrativë negativë: Kush është përgjegjës?


Këmbësorët ushqejnë pëllumbat mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Këmbësorët ushqejnë pëllumbat mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Edhe pse multietniciteti është një nga parimet kryesore mbi të cilin bazohet Kushtetuta e Kosovës, në praktikë bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve has shpesh në “rezistencë”, apo gjuhë të urrejtjes.

Disa bashkëbisedues të Radios Evropa e Lirë janë përballur me kërcënime më herët, sepse kanë folur mirë për fqinjët ose të njohurit e tyre nga një bashkësi tjetër etnike.

Ka pasur edhe raste kur individët kanë hezituar të flasin publikisht për marrëdhëniet e mira ndëretnike, sepse i janë frikësuar dënimit nga komuniteti i tyre.

Kush është përgjegjës për situatën e tillë?

Kushtrim Koliqi dhe Miodrag Milliqeviq, aktivistë që promovojnë, mes tjerash, bashkëjetesën, paqen dhe ballafaqimin me të kaluarën, drejtojnë gishtin nga institucionet dhe politikanët e Kosovës.

Me këtë pajtohet edhe ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, i cili thotë se këtë çështje do ta ngrejë në një seancë të Qeverisë së Kosovës.

“Kjo më shqetëson vërtet. Unë gjatë gjithë karrierës sime kam punuar për pajtimin, por është e vështirë... Një gjë është e sigurt - qytetarët me qëllim të mirë dhe tolerantë duhet të mbrohen”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Komuniteti shqiptar dhe ai serb në Kosovë janë thellësisht të ndarë që nga lufta në fund të viteve ‘90, kur janë vrarë rreth 13.000 njerëz - kryesisht shqiptarë.

Në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë filluar një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, por synimi nuk është arritur ende.

“Bashkëjetesa pas perdeve”

Kushtrim Koliqi, nga organizata joqeveritare Integra, thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve nuk del në pah, por se mbetet gjithmonë “në hijen” e dialogut që zhvillojnë Kosova dhe Serbia.

“Unë besoj fuqishëm se bashkëjetesa [në Kosovë] ekziston, por se ajo zhvillohet prapa perdeve, sepse ka një narrativ negativ kur bëhet fjalë për atë lloj bashkëpunimi”, thekson Koliqi.

Ai shton se i takon komunitetit shumicë shqiptar që të krijojë një atmosferë, në të cilën komunitetet e tjera, përfshirë atë serb, ndihen të sigurta.

Sipas tij, kjo është edhe një nga arsyet përse organizata e tij, Integra, dhe Qendra joqeveritare për Veprim Afirmativ Social kanë hapur Qendrën Barabar në Prishtinë.

Në këtë qendër mbahen ngjarje të ndryshme që promovojnë Kosovën multietnike dhe shumëgjuhëshe, dialogun, tolerancën dhe ndërtimin e besimit.

Por, shton Koliqi, pjesëtarët e komunitetit serb duhet gjithashtu të gjejnë mënyra “për t’i rezistuar presionit të Beogradit dhe politikanëve vendas” dhe për t’u përfshirë më aktivisht në procesin e integrimit.

Beogradi zyrtar nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008, por në vitin 2013 është dakorduar me pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, ky lloj i mbështetjes nuk u shkon të gjitha opsioneve politike, por vetëm Listës Serbe dhe besnikëve të saj.

“Vështrim i njëanshëm i problemeve”

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv, thotë se shoqëria kosovare është thellësisht e ndarë dhe se “problemet që prekin komunitetet tona i shikojmë nga njëra anë - qoftë shqiptare, apo serbe”.

“Pastaj, në mes, kemi politikanë që me retorikën e tyre nxisin emocione negative në njërën anë dhe emocione që lidhen me patriotizmin apo ndjenjat kombëtare në anën tjetër. E, kur ka situata që janë të dënueshme ose kërkojnë përgjegjësi nga institucionet, atëherë kemi problem”, thotë ai.

Milliqeviq shton se bashkëjetesa në Kosovë shoqërohet me një narrativ negativ për shkak të pasojave të luftës, përkatësisht viktimave apo personave të zhdukur.

Ai beson se institucionet janë përgjegjëse edhe për këtë, sepse “u kanë lënë hapësirë politikanëve që këtë çështje të dhimbshme ta nxjerrin nga mëngët - gjithsecili nga pak”.

Çfarë duhet bërë?

Milliqeviq thotë se institucionet e Kosovës duhet të marrin përgjegjësi në situatat kur një bashkësi e caktuar etnike bëhet cak i një sulmi të mundshëm - pra, t’i dënojnë menjëherë të gjitha incidentet, pavarësisht se për cilin komunitet etnik bëhet fjalë.

Ai, gjithashtu, thotë se “mosmarrëveshjet politike” midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të zgjidhen pa përdorur retorikë që ndikon negativisht në bashkëjetesë.

“Kjo [retorikë nxitëse] është diçka që duhet frenuar. Në radhë të parë vjen nga politikanët, fjalimet e ndryshme politike, deklaratat politike që janë të papërshtatshme dhe kanë ndikim shumë të fortë dhe negativ te komunitetet etnike dhe shoqëria në tërësi”, beson Milliqeviq.

Sipas tij, politikanët nga Kosova dhe Serbia duhet të ndalojnë së akuzuari njëri-tjetrin, duke përdorur retorikë nxitëse, për hir të pikëve personale.

Për Koliqin është thelbësore që njerëzit në pushtet, t’i ofrojnë mbështetje bashkëpunimit ndëretnik, në mënyrë që bashkëjetesa e shqiptarëve dhe serbëve “të bëhet një gjë normale për publikun e gjerë”.

“Qendra Barabar mund të jetë shembull për të gjithë, për institucionet vendore [në Kosovë] dhe ato ndërkombëtare, se si duhet të funksionojë ky bashkëpunim”, thotë ai.

Sipas Koliqit, Qeveria e Kosovës është ajo që, para të gjithëve, duhet të sigurojë një “ambient miqësor” për të gjitha komunitetet pakicë.

Çfarë thonë në Qeverinë e Kosovës?

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse është në dijeni se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në terren shoqërohet shpeshherë me një narrativ negativ dhe çfarë është duke bërë ajo për të promovuar bashkëpunimin dhe tolerancën.

Qeveria nuk u përgjigj drejtpërdrejt në këto pyetje.

Në vend të kësaj, ajo foli për rëndësinë e integrimit të komunitetit serb, duke shtuar se punësimi dhe arsimi janë mënyra më e mirë për këtë.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, “të dyja këto ofrojnë kushtet për bashkëpunim rreth qëllimeve të përbashkëta dhe mundësojnë krijimin e marrëdhënieve të shëndosha të bazuara në respekt të ndërsjellë”.

Ai përmend disa iniciativa të ndërmarra lidhur me punësimin dhe arsimin, siç janë hapat të ndërmarra për respektimin e kuotës e punësimit prej 10% në institucionet publike të komuniteteve joshumicë, verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, nismën për Arsim të Përbashkët në Kosovë sipas modelit të Irlandës Veriore. Kryeziu po ashtu përmendi edhe programin “Kosova Generation Unlimited” që ofron punë praktike me pagesë për të rinj, 15% të përfituesve janë nga radhët e komuniteteve joshumicë, Fondin e veçantë për komunitetet joshumicë, e të tjera.

“Këto janë disa prej përpjekjeve tona sistematike dhe institucionale në shërbim të nxitjes së integrimit të plotë e të qëndrueshëm, por në të njëjtën kohë edhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve nga komunitetet joshumicë, sepse besojmë që ata që integrohen jetojnë më mirë”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Të njëjtat pyetje, REL-i i dërgoi edhe në Presidencën e Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje nga ky institucion.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, thotë se do ta ngrejë këtë çështje në të ardhmen dhe se përgjegjësinë e autoriteteve të sigurisë do ta diskutojë me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Që të mos ketë më kërcënime ndaj bashkëqytetarëve apo bashkësive tjera etnike”, thotë Rashiq.

Rashiq thotë se organet kompetente kanë një luftë të gjatë përpara për t’u shpjeguar qytetarëve se deklaratat nxitëse të disa përfaqësuesve politikë, nuk guxojnë të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike.

Dialogu i premtuar me serbët e Kosovës

Në prill të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka filluar t’i vizitojë komunat për të biseduar me qytetarët për problemet e tyre.

Por, deri më sot, ajo nuk ka vizituar asnjërën nga dhjetë komunat me shumicë serbe dhe nuk ka biseduar me qytetarë që vijnë nga radhët e komunitetit serb.

Kur ka vizituar Mitrovicën e Jugut në vitin 2022, ajo ka thënë se dëshiron t’i vizitojë edhe katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun. Megjithatë, mesa di publiku, këtë nuk e ka bërë ende.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar dialog me serbët e Kosovës që nga viti 2019, me vlerësimin se ky dialog është shumë më i rëndësishëm se ai që zhvillohet me Serbinë në Bruksel. Por, ky dialog deri më tash nuk është zhvilluar publikisht.

Në fund të nëntorit të vitit 2022, Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se komunikimi dhe dialogu me serbët vendas zhvillohen në fshehtësi, meqë pjesëtarët e komunitetit serb janë të ekspozuar ndaj presionit dhe kërcënimeve nga “strukturat dhe grupet ilegale”.

Nga ana tjetër, Kurti, herë pas here, u drejtohet pjesëtarëve të komunitetit serb në gjuhën e tyre amtare.

Në fund të prillit, në Suhodoll të komunës së Graçanicës, ai ka marrë pjesë në ndarjen e çelësave të banesave, të destinuara për familjet në nevojë sociale, ndërsa në Kamenicë, në mes të majit, ka vizituar biznesmenë nga radhët e komunitetit serb.

Çfarë ka bërë Kosova për të promovuar bashkëjetesën?

Bahrim Shabani, anëtar i Komisionit parlamentar për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, vlerëson se Qeveria e Kosovës ka bërë shumë për përmirësimin e bashkëjetesës, përmes realizimit të projekteve të ndryshme në fushën e arsimit dhe atë të kulturës.

Shabani vjen nga radhët e koalicionit boshnjak “Vakat” dhe është pjesë e grupit parlamentar multietnik në Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet nga komunitete të ndryshme.

Përveç komunitetit serb, Kushtetuta e Kosovës njeh edhe gjashtë komunitete tjera pakicë: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit.

Shabani thotë se edhe ligjet në Kosovë garantojnë trajtim të barabartë të të gjitha komuniteteve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Komunitetet pakicë, përndryshe, kanë edhe ulëse të rezervuara në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

“Ekziston edhe përkrahja e organizatave ndërkombëtare [që merren me komunitetet pakicë], si OSBE-ja dhe Bashkimi Evropian. Ato i ofrojnë mbështetje Kosovës për ndërtimin e një shoqërie multietnike, përmes projekteve dhe programeve të ndryshme”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Sa u përket marrëdhënieve mes komunitetit shqiptar dhe atij serb, Shabani thotë se “këto janë dy anë që duhet të ulen në të njëjtën tryezë dhe të bisedojnë brenda institucioneve të Kosovës”.

Rashiq: Do të mundohem që bashkëjetesën ta shohim me sy “më normalë”

Ministri Rashiq zotohet se çështja e promovimit të bashkëjetesës do të jetë një temë me të cilën do të merret.

“Do të përpiqem të gjej një rrugë që gjërat të shihen në një mënyrë tjetër, më normale. Do të flas drejtpërdrejt me kryeministrin, ndoshta edhe me kolegë të tjerë, për metodologjinë që mund të përdoret për të parandaluar narrativën negative kur bëhet fjalë për bashkëjetesën”, thotë Rashiq.

Rasti i 27-vjeçares Millena Llazareviq nga Bitia e Ulët në komunën e Shtërpcës - pjesa jugore e Kosovës - tregon se jo të gjithë e shohin bashkëjetesën negativisht.

Pas mbarimit të studimeve master në Beograd, ajo është kthyer në fshatin e saj të lindjes, ku çdo ditë punon për kapërcimin e pengesave etnike.

“Besoj se kjo është diçka që na duhet, për arsye se, edhe 25 vjet [pas luftës], shoqëria kosovare është në tranzicion dhe ka nevojë për ndihmë në tejkalimin e këtyre pengesave”, është mesazhi i saj.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG