Ligjvënësi reformist, Masud Pezeshkian, e fitoi balotazhin presidencial të Iranit më 5 korrik kundër kandidatit ultrakonservator, Saeed Jalili, dhe do të bëhet presidenti i nëntë i Republikës Islamike të Iranit.
Pezeshkian, ish-ministër i Shëndetësisë, në 16 vjetët e fundit e ka përfaqësuar provincën iraniane të Azerbajxhanit lindor e cila ka një shumicë etnike azerbajxhanase, në Parlamentin e Iranit.
Në një garë kundër tre kandidatëve të tjerë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 28 qershor, ai doli i pari duke i fituar 42.5 për qind të votave. Më 5 korrik, ai i fitoi 53.6 për qind të votave në balotazh.
Megjithëse ka mbi 20 vjet në politikë, Pezeshkian nuk është përballur kurrë me ndonjë akuzë për korrupsion dhe as nuk është përfshirë në ndonjë skandal politik.
Pezeshkian u lind në qytetin me shumicë kurde, Mahabad, në provincën iraniane të Azerbajxhanit perëndimor dhe i flet rrjedhshëm gjuhët kurde dhe azerbajxhanase.
Ai shkoi në front gjatë luftës së viteve 1980-88 mes Iranit dhe Irakut, ku luftoi dhe shërbeu si mjek. Pas luftës, ai specializoi në kirurgjinë kardiake.
Pezeshkian, 70 vjeç, ka punuar edhe në akademi, sepse shërbeu si president i Universitetit të Shkencave Mjekësore të Tabrizit, nga viti 1994 deri në vitin 1999.
Ai u fut në politikë pak pasi u largua nga universiteti, duke u zhvendosur në Teheran në vitin 2000 për të shërbyer si zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë e presidentit të atëhershëm, Mohammad Khatami.
Më 2001, Khatami e emëroi Pezeshkianin ministër të Shëndetësisë. Dy vjet më vonë, Parlamenti dështoi në përpjekje për ta akuzuar atë për, siç thanë kritikët e tij, emërimet e dobëta dhe përdorimin e keq të huave nga Banka Botërore.
Më 2008, tri vjet pasi u largua nga Qeveria, Pezeshkian garoi për Parlament dhe zuri vendin e parë në zonën elektorale të Tabrizit. Ai u zgjodh në Parlament për pesë mandate katërvjeçare radhazi.
Nga 2016 deri më 2020 – kur të moderuarit dhe reformistët e kishin në dorë legjislaturën – Pezeshkian shërbeu si njëri nga dy nënkryetarët e Parlamentit.
Pezeshkian garoi për president më 2013, por u tërhoq nga gara pastaj pa e mbështetur ndonjë kandidat tjetër. Ai e provoi fatin më 2021, por u diskualifikua prej garës nga Këshilli i Gardës, një organizatë kushtetuese e cila i kontrollon kandidatët që garojnë në zgjedhje të mëdha.
Pezeshkiani shpesh e reciton kuranin dhe është ekspert i Nahjul Balagha, një përmbledhje e predikimeve dhe thënieve të imamit të parë shiit, Ali. Ky libër zë vend të veçantë në mesin e shiitëve iranianë.
Ai ka qenë kritik i politikave të republikës islamike për zbatimin e detyrueshëm të ligjit për hixhabin, shamisë islamike për mbulimin e kokës te gratë. Më 2023, ai paralajmëroi se kjo vetëm sa do t’i nxiste njerëzit ta urrejnë fenë.
Pezeshkiani është shprehur i hapur për bisedime me Perëndimin dhe në të kaluarën i ka kundërshtuar brohoritjet kundër vendeve të tjera, përfshirë kundër Shteteve të Bashkuara.
Por, Pezeshkian ka folur edhe në mbështetje të parimeve të republikës islamike dhe ka ngulur këmbë se politikat e vendosur nga lideri suprem Khamenei duhet të ndiqen.
Në fillim të këtij viti, Pezeshkian tha se ndërhyrja e Khameneit kishte bërë që ai të mosdiskualifikohej nga gara në zgjedhjet parlamentare në mars.
Ai ka folur në mbrojtje të të drejtave të pakicave, por kritikët e tij e kanë akuzuar se i ka ushqyer ndjesitë nacionaliste në mesin e azerbajxhanasve etnikë në Iran. Ai i ka mohuar këto akuza.