Ndërlidhjet

Gjykata i dënon katër persona me burgim për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit


Lule dhe qirinj të vendosur pranë fotografisë së politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq.
Lule dhe qirinj të vendosur pranë fotografisë së politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të premten aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.

Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Derisa ende nuk dihet autori apo organizatori i vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, katër të akuzuarit u dënuan për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi vrasjen e tij, dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe e cilësoi si "skandaloz" aktgjykimin e gjykatës në Prishtinë "kundër katër serbëve, të cilët gjyqësori i [kryeministrit të Kosovës Albin] Kurti po përpiqet në çdo mënyrë t'i lidhë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit".

"[Aktgjykimi] është i motivuar politikisht dhe i instruktuar për të kriminalizuar edhe më tej popullin serb në Kosovë", tha ajo në një komunikatë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e quajti dënimin e tyre të "pabazuar në prova" dhe të "motivuar politikisht, në një reagim në Facebook.

Dënimet individuale

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje.

Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.

Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.

Të dënuarve do t'iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave.

Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë - nën mbrojtjen e anonimitetit - kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt.

Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Prokuroria përfshin edhe Zhelko Bojiqin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, dhe Zvonko Vesellinoviqin, biznesmen nga veriu i Kosovës.

Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

Në aktakuzë, Radoiçiq dhe Vesellinoviq përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Përndryshe, Radoiçiq, pak muaj para vrasjes së Ivanoviqit, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë.

Ai ka dhënë dorëheqje nga partia në shtator të vitit 2023, kur ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në këtë sulm ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Vrasësi dhe organizatori nuk dihen

Shpallja e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit u bë pas një procesi katërvjeçar gjyqësor.

Në vitin 2020, Prokuroria Speciale e ngriti aktakuzën e tretë të plotësuar, pasi e para ishte ngritur në nëntor të vitit 2019, ndërsa në dhjetor të po atij viti ishte ngritur edhe aktakuza e dytë e ndryshuar.

Megjithatë, në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, përkatësisht janë përmendur vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo edhe autori apo organizatori i vrasjes.

Ndërkohë, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Prokuroria Speciale ngriti edhe një aktakuzë kundër një personi me inicialet M.M., për shkak të dyshimit se ai ka qenë edhe anëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, të lidhur me vrasjen e Ivanoviqit, por edhe për shkak të “pengimit të procesit gjyqësor”, “kanosjes” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Disa media në Kosovë e kanë identifikuar atë si Millan Mihajlloviq nga Leposaviqi, me pseudonimin “Pop”, i cili, pas disa muajsh në paraburgim, ka dalë nga burgu për t’u mbrojtur në liri.

Vëllai i Oliverit, Mirosllav Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në përvjetorin e gjashtë të vrasjes së tij, se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes do të mund të gjejnë qetësi vetëm kur të gjenden vrasësi dhe organizatori dhe të ndëshkohen.

Deri ku ka arritur procesi në Serbi?

Serbia ka nisur hetime të veçanta në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018.

Më shumë se gjashtë vjet më vonë, procesi është ende në “fazën para-hetimore”.

Zyrtarë të lartë serbë, përfshirë presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë shpesh në publik se e dinë se kush e ka vratë Ivanoviqin dhe kanë dalë në mbrojtje të Radoiçiqit.

Në qershor të vitit 2023, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme i Serbisë, Bratisllav Gashiq, aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka thënë se autoritetet serbe “e dinë saktësisht” se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe se policia serbe po e kërkon atë person nga autoritetet gjermane, “nën mbrojtjen e të cilave është”.

Gashiq ka qenë, gjithashtu, kreu i Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA).

Pasi Gjermania ka mohuar se mbron vrasësin e Ivanoviqit, Gashiq ka thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar, përkatësisht është transmetuar pa pikëpyetjen, që do t’i kishte dhënë kuptim tjetër.

Në përvjetorin e tretë të vrasjes së Ivanoviqit, në janar të vitit 2021, Vuçiq ka thënë se shërbimet serbe, prej muajsh, kanë një pasqyrë të plotë të atyre që mund të kenë pasur motiv për vrasjen dhe mund të kenë qenë të përfshirë.

Në mes të vitit 2019, ai ka deklaruar se “Beogradi mendon se e ka emrin e vrasësit të Oliver Ivanoviqit”. Duke iu drejtuar publikut, ai ka thënë se Millan Radoiçiq “nuk ka lidhje me këtë krim”.

Oliver Ivanoviq ka qenë udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liria Demokraci, Drejtësia” kur është vrarë.

Në fillim të vitit 2014, ai ka qenë edhe një nga kandidatët për kryetar të Mitrovicës së Veriut, kur është ndaluar nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Në shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit e Kosovës ka urdhëruar një rigjykim të Ivanoviqit, pasi, në vitin 2016, është dënuar me nëntë vjet burg për krime lufte kundër civilëve të Kosovës, në vitet 1999 dhe 2000.

Rigjykimi ka filluar më 24 mars të vitit 2017 dhe, më 21 prill, atij i është hequr arresti shtëpiak dhe i është lejuar të mbrohej në liri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG