Firmat ruse dërguan dhjetëra mijëra tonë grurë nga pjesët e okupuara të Ukrainës drejt anëtares së Bashkimit Evropian, Spanjës, drejt anëtares së NATO-s, Turqisë, dhe drejt Azerbajxhanit gjatë vitit 2023, zbuloi njësiti hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, dhe partnerët e tij.
Sasi të përafërta të misrit mbërritën tek aleatët e Moskës, Irani dhe Siria, të cilët edhe në të kaluarën blenë drithë ukrainas të përvetësuar nga Rusia, tregoi hulumtimi i bazuar në dokumente zyrtare ruse dhe burime të tjera, i kryer nga Skemat, grupi ukrainas i hakerëve Kiborg, Qendra Hulumtuese Bjelloruse dhe Vyortska, një media e pavarur në gjuhën ruse.
Të paktën 6.4 milionë tonë grurë u korrën në Krimenë e okupuar nga Rusia dhe në pjesët e kontrolluara nga rusët në rajonet Donjeck, Herson, Luhansk dhe Zaporizhja më 2023, sipas llogaritjeve satelitore nga programi Harvest i NASA-s, i cili gjurmon kërcënimet ndaj sigurisë ushqimore.
SeaKrime, një projekt joqeveritar ukrainas që përcjell dërgesat ilegale të drithit ukrainas nga Rusia, raportoi se 2 milionë tonë nga ato korrje-shirje u nxorën jashtë vendit, nga portet e Krimesë.
Shitjet e tilla minojnë ekonominë ukrainase të dërrmuar nga lufta, dhe i mundësojnë Rusisë të ardhura për ta financuar pushtimin e gjerë të Ukrainës, që ka nisur më 2022.
Për vitin 2023, Skemat dhe partnerët dokumentuan shitjen e gati 35.000 tonëve grurë e misër nga rajoni i Hersonit dhe nga Krimeja, të cilat Rusia i ofroi me zbritje.
Dokumentet e hakuara nga administrata okupatore e Hersonit, të dhënat që rrodhën nga dogana ruse, dhe informatat nga baza e të dhënave e tregtisë online, Import Genius, konfirmuan rolin e të paktën katër kompanive ruse – Agro-Fregat, Pallada, Sims-Trans Group dhe TD Fregat – në këto transaksione.
Njëra nga këto kompani, Pallada, ka lidhje të largëta me kontraktuesin e përgjithshëm për ndërtimin e një kompleksi masiv banimi në bregun e Detit të Zi në Rusi, i njohur si “pallati i Putinit”.
Ndonëse dokumentet e doganës ruse dhe të administratës okupatore tregojnë se produktet erdhën nga rajoni i Hersonit dhe nga Krimeja, dhe jo nga Rusia, nuk dihet nëse blerësit vunë në pikëpyetje origjinën e produkteve që blenë. Asnjëri prej tyre nuk pranoi të komentojë rreth gjetjeve.
Si vepron Rusia?
Rajoni i Hersonit, pjesë e shportës së bukës së Ukrainës, korri sasi rekorde prej 3.1 milionë tonësh drithë më 2021 – një sasi që joshi firmat ruse, sapo forcat ruse okupuan pjesë të rajonit jugor, më 2022.
Të dhënat satelitore më 2022 treguan për udhëtimin e kamionëve nga Hersoni dhe rajoni fqinj i Zaporizhjës, po ashtu pjesërisht i okupuar nga rusët, drejt Krimesë, për dërgesa të mëtejme jashtë vendit.
Më 2023, kompanitë ruse transportuan produkte bujqësore me vlerë rreth 6.2 milionë euro nga rajoni i Hersonit, me zbritje apo pa tatim, sipas të dhënave të doganës ruse dhe kontratave nga administrata okupatore.
Volodymyr Saldo, ish-kryetar i qytetit të Hersonit, i cili është zyrtar kryesor i administratës okupatore në pjesën e kontrolluar nga rusët në rajon, ka kompetenca të aprovojë apo të refuzojë vendimet e një komisioni që cakton këto zbritje.
Më 2023, disa kompani ruse aplikuan për zbritjet e veçanta.
Vendimet e komisionit iu mundësuan Skemave dhe partnerëve që të gjurmonin shitjet ilegale jashtë vendit të produkteve bujqësore të Hersonit nga kompanitë ruse.
Bashkimi Evropian
Që prej fillimit të pushtimit të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit 2022, Bashkimi Evropian ka ndaluar importe ruse me vlerë prej 91.2 milionë eurosh, por ka shmangur ndalimin e tregtisë Rusi-BE për produkte ushqimore dhe shëndetësore, “në mënyrë që të mos dëmtohet popullata ruse”, sipas një shpjegimi nga BE-ja.
Kjo paraqiti mundësi për Agro-Fregatin e Rusisë, eksportues bujqësor me shumicë, vagonët e të cilëve u fotografuan nga Shërbimi ukrainas i REL-it në Krime. Në një artikull të publikuar më 2022, Oleksiy Makeyev, emisar special për sanksione i Ministrisë së Jashtme ukrainase, denoncoi Agro-Fregatin, me bazë në rajonin jugperëndimor rus, Rostov, dhe shtatë firma të tjera ruse, për eksportimin e “drithit të vjedhur” nga Ukraina.
Kokrrat e grurit ishin pjesë e tregtisë. Të dhënat ruse të eksporteve tregojnë se në shtatorin e vitit 2023, Agro-Fregat dërgoi, si pjesë të një ngarkese prej 4.500 tonësh drejt Spanjës, gati 2.674 tonë grurë nga porti i Sevastopolit, në Krime. Agro-Fregat merr certifikata ruse të cilësisë për grurin nga Krimeja prej vitit 2022, sipas Shërbimit Federal rus të Akreditimit.
Më 2022-‘23, Spanja ishte importuesja e dytë më e madhe e grurit të eksportuar nga Rusia, pas Turqisë, raportoi agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Një manifest, i siguruar nga SeaKrime, pjesë e grupit Myrotvorets, identifikoi pranuesin e dërgesës prej 4.500 tonësh si Cereales Y Harinas Garsan S.L., një kompani në qytetin juglindor spanjoll Lorka, që thotë se furnizon me ushqime 12 vende.
Cereales Y Harinas Garsan nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë në muajin prill. Në një email dërguar REL-it në shtator, tre muaj pas publikimit të këtij shkrimi në qershor, Cereales Y Harinas Garsan tha se furnizuesit e tij kishin "konfirmuar origjinën ruse të dërgesës" në fjalë.
Kompania tha, po ashtu, se "nuk ka dhe nuk ka pasur marrëdhënie" me Agro-Fregat-in. Kjo deklaratë pasqyron faktin se përderisa Agro-Fregat ishte eksportuesja, ndërsa Cereales Y Harinas Garsan ishte pranuesja, blerja ishte realizuar përmes një kompanie tjetër, firmës tregtare me bazë në Dubai, Mercury, e cila identifikohet në dokumente si shitësja.
Në mesin e dokumenteve që i janë bashkëngjitur një emaili pasues nga Cereales Y Harinas Garsan ishte një letër nga Mercury, ku thuhet se "i gjithë produkti është me origjinë ruse, dhe se absolusisht asnjë pjesë e tij nuk është nga rajoni i Krimesë" apo nga ndonjë pjesë tjetër e Ukrainës, që e ka okupuar Rusia.
"Marrëdhënia ndërmjet eksportuesve dhe Mercury-t është përgjegjësi e tyre. Është obligim i tyre që të konfirmojnë se mallrat nuk vijnë nga [pjesët e Ukrainës nën okupim rus], dhe se dokumentet janë të lëshuara nga autoritetet ruse, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian", tha Cereales Y Harinas Garsan, në një letër që i ka bashkëngjitur emailit të dytë.
Kompania tha, po ashtu, se mallrat ishin ngarkuar në Port Kavkaz, një port rus përgjatë Ngushticës së Kerçit, në anijen transportuese Lila, e angazhuar nga Mercury për dërgesën drejt Spanjës.
Megjithatë, një manifest i siguruar nga Skemat tregon se rreth 2.674 tonë grurë ishin dërguar nga Agro-Fregat, prej Sevastopolit drejt Port Kavkazit, përmjes një anijeje tjetër, Alfa M, dhe se dërgesa ishte transferuar në anijen Lila atje. Oraret e transportit tregojnë, po ashtu, se Alfa M kishte udhëtuar nga Sevastopoli drejt Port Kavkazit në kohën në fjalë.
Në një bisedë telefonike me Skemat, më 25 maj, shefi ekzekutiv i Agro-Fregat, Dmitry Lapkin, mohoi të jetë në dijeni për dërgesat nga rajoni i Hersonit.
Edhe Turqia
Por, Agro-Fregat eksporton shpesh nga rajoni i Hersonit: në qershor dhe në korrik të vitit 2023, ai kërkoi leje nga komisioni për të eksportuar 25.000 tonë grurë dhe drithëra, me çmime me zbritje. Blerësi, sipas dokumenteve të administratës okupatore, ishte kompania turke Velar Tarim Sanayi ve Tic. A.S (Velar), me seli në qytetin Adana.
Turqia, e cila eksporton mallra ushtarake drejt Ukrainës, më 2022-‘23 ishte importuesja kryesore e drithit të eksportuar nga Rusia, sipas agjencisë analitike bujqësore, APK-Inform.
Të paktën 9.554 tonë grurë dhe drithëra për Velar-in, sipas një itinerari të qeverisë ruse, të konfirmuar nga gjurmimet e MarineTraffic, platformë e të dhënave të transportit, u dërguan më 7 gusht 2023 nga Gjiri i Sevastopolit, në Krime, drejt Port Kavkazit, në bordin e anijes Alfa M, dhe nga aty, dy ditë më vonë, u dërguan në portin mesdhetar të Mersinit, në Turqi, me anijen St. Olga.
Velar nuk iu përgjigj pyetjeve për këtë dërgesë.
Azerbajxhani
Aleati i Turqisë në Kaukazin Jugor, Azerbajxhani, i cili ka lidhje të ngushta me Moskën, e ka përshkruar veten si “mik besnik dhe të dashur të Ukrainës”. Ai, po ashtu, është konsumator i rregullt i grurit ukrainas, të përvetësuar nga Rusia.
Importet e grurit, të klasifikuara si ruse, më 2022 kapërcyen prodhimet e naftës si importi kryesor rus në Azerbajxhan, me vlerë prej 294 milionë dollarësh, sipas platformës së të dhënave tregtare, OEC.
Sim-Trans Group, me bazë në Moskë, e përshkruan veten si një prej tre eksportuesve kryesorë të grurit në Azerbajxhan. Më 2023, ai eksportoi drithë me vlerë prej rreth 410.000 dollarësh, sipas një baze zyrtare të dhënash të tregtisë së jashtme ruse, drejt kompanisë së regjistruar në Baku, Diba.
Origjina e të gjitha këtyre dërgesave të grurit është e panjohur. Por, më 2023, Sim-Trans Grouph mori leje nga komisioni për t’i dërguar Diba-s 2.200 tonë grurë nga Hersoni, tregojnë të dhënat e administratës okupatore.
Sim-Trans Group nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike në lidhje me këtë dërgesë. Diba nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Irani dhe Siria
Një kompani ruse, Pallada LLC, e cila më 2023 dërgoi të paktën 15.400 tonë elb nga Hersoni, me çmim me zbritje, drejt portit iranian Bandar Imam Khomeini, në Gjirin Persik, ka lidhje të largëta me biznesmenin e sanksionuar, Kreshimir Fillipoviq, i cili, sipas mediave ruse, ishte i përfshirë në ndërtimin e një prone luksoze në Gelendzhik, në bregun rus të Detit të Zi, e cila thuhet të jetë ndërtuar për presidentin rus, Vladimir Putin.
Pallada ishte regjistruar si shitëse me shumicë e drithit në qytetin jugperëndimor rus, Rostov, disa javë para pushtimit të plotë të Ukrainës.
Zotëruese e vogël e aksioneve të saj është Megapolis-Invest, një firmë ruse për menaxhimin e korporatave, e cila më parë ka kontrolluar kompaninë Waveform Investments, zotërues kryesori i aksioneve të së cilës ishte Fillipoviq, sipas bazës së të dhënave biznesore, KonturFocus.
Media e pavarur, Proyekt, e ka identifikuar një biznes në pronësi të Fillipoviqit, Velesstroi, si kontraktuese të përgjithshme për ndërtimin e “pallatit të Putinit”.
Nuk dihet për përfshirjen e Fillipoviqit në Pallada.
Zotëruesi kryesor i aksioneve të firmës, sipas regjistrit rus të bizneseve, SBIS, është Sergei Kuznetsov, një moskovit 47-vjeçar.
Kuznetsov nuk iu përgjigj një pyetjeje nga Vyorstka, më 31 maj, nëse ai është vetëm pronar në letër i Palladas, për Megapolis-Investin dhe Fillipoviqin.
Një tjetër eksportues rus, TD Fregat LLC, me bazë në Moskë, po ashtu nuk pranoi të komentonte. Në majin e vitit 2023, ai përfitoi një zbritje në doganë për 3.000 tonë misër nga Hersoni, si pjesë e një eksporti prej 8.000 tonësh nga Krimeja drejt portit sirian, Latakia.
TD Fregat, që thotë se “është i specializuar për operacione komplekse në industrinë e drithit”, nuk iu përgjigj një kërkese për sqarime.