Ndërlidhjet

Gara për postet kyçe në BE drejt fundit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u përshëndetur me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, gjatë samitit të BE-së të mbajtur në Bruksel më 17 qershor 2024.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke u përshëndetur me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, gjatë samitit të BE-së të mbajtur në Bruksel më 17 qershor 2024.

Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian takohen në Bruksel më 27-28 qershor, kur pritet që të vendosin se kush do të marrë postet kyçe në institucionet e ndryshme të bllokut. Postet kyçe janë tre presidentët – të Komisionit Evropian, të Këshillit Evropian dhe të Parlamentit Evropian – dhe ai i shefit të politikës së jashtme të bllokut.

Sipas të gjitha gjasave, kandidatja gjermane e qendrës së djathtë nga Partia Popullore Evropiane (EPP), Ursula von der Leyen, do të marrë edhe një mandat pesëvjeçar si presidente e Komisionit Evropian, krahut ekzekutiv të BE-së. Njësoj edhe bashkëpartiakja e saj nga EPP-ja, politikania nga Malta, Roberta Metsola, e cila pritet të mbajë postin e presidentes të Parlamentit Evropian edhe për dy vjet e gjysmë. (Ajo më pas do t’ia dorëzojë këtë detyrë kandidatit nga grupi i dytë më i madh në PE, Aleancës Progresive të Socialistëve nga qendra e majtë dhe Demokratëve (S&D), sipas një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit në PE).

Konsensusi i përgjithshëm është se ish-kryeministri portugez i krahut të majtë, Antonio Costa do ta zëvendësojë Charles Michel në postin e presidentit të Këshillit Evropian, dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas nga grupi liberal, Renew, do të zëvendësojë spanjollin Josep Borrell në udhëheqjen e politikës së jashtme të bllokut.

Ka pasur shpresa të mëdha që ky proces të kishte përfunduar javën e kaluar, më 17 qershor, gjatë takimit joformal në Bruksel të udhëheqësve të BE-së. Por, sipas disa burimeve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, e të cilët kanë njohuri për këto diskutime, dy gjëra pamundësuan arritjen e një marrëveshjeje.

E para, EPP-ja, e cila doli fituese në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, po kërkon më shumë. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, përveç presidencës së Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, EPP-ja po ashtu dëshiron të marrë gjysmën e punës së presidentit të Këshillit Evropian.

Por, si do të funksiononte një gjë e tillë? Përderisa presidenti i Këshillit Evropian ka një mandat pesëvjeçar, pas dy vjetësh e gjysmë, krerët e 27 shteteve anëtare vlerësojnë punën e bërë nga zyra e presidentit – dhe të paktën deri më tani – ia rinovojnë mandatin edhe për dy vjet e gjysmë të tjerë. Votimi është kryer përmes sistemit të votimit me shumicë të kualifikuar që nënkupton 55 për qind të shteteve anëtare të BE-së që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të bllokut.

Normalisht, grupi më i madh politik në Parlament paraqet kandidatin e tij për postin e presidentit të Komisionit Evropian, ndërkaq grupi i dytë dhe i tretë marrin pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe të shefit për politikë të jashtme.

EPP-ja ka sugjeruar se Costa, kandidati kryesor për këtë post, të shërbejë vetëm gjysmë mandati dhe më pas të zëvendësohet nga kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq. Ky propozim i EPP-së nuk u prit mirë.

Por, pse EPP-ja po ndihet kaq e sigurt? Sigurisht, ajo ka korrur rezultate të mira në zgjedhjet për Parlamentin Evropian – grupi i vetëm që ka fituar më shumë vota – duke dalë e para me një dallim prej 190 ulësesh me grupin e dytë.

Më shumë ka të bëjë me përbërjen e Këshillit Evropian, i cili përbëhet nga krerët e shteteve apo qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së. Trembëdhjetë udhëheqës në Këshill i përkasin EPP-së, megjithëse janë kryesisht nga shtete më të vogla, me Poloninë si shteti më i madh në mesin e tyre. Dhe EPP-ja po kërkon më shumë duke llogaritur se brenda dy vjetësh do të ketë liderë të rinj të EPP-së që mund të vijnë nga shtete me peshë të madhe, sikurse Gjermania dhe Spanja. Nëse një llogaritje e tillë del e saktë, atëherë EPP-ja do të kishte në Këshill më shumë se një shumicë të kualifikuar.

Faktori i dytë që pamundësoi që të arrihej marrëveshja javën e kaluar ishte vetë procesi. Siç duket, kryenegociatorët nga tri grupet kryesore parlamentare – kryeministri polak, Donald Tusk dhe ai grek, Kyriakos Mitsotais nga EPP-ja; kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez nga S&D; dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte nga Renew – diskutuan për marrëveshjen për tri orë, duke mos përfshirë liderët e tjerë në diskutime.

Kryeministrja e Italisë nga krahu i djathtë, Girogia Meloni, anëtare e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), ishte, sipas burimeve të REL-it, e zemëruar për përjashtimin nga bisedimet. Subjekti e saj, Vëllezërit e Italisë, është anëtari më i fortë i ECR-së, grup që doli i katërti në zgjedhjet evropiane. Që nga samiti i 17 qershorit, ECR-ja ka arritur të marrë disa anëtarë pa grup parlamentar dhe të kalojë Renew, duke u bërë grupi i tretë më i madh parlamentar.

Nuk është e qartë se çfarë dëshiron të përfitojë Meloni duke ndërmarrë këtë qëndrim. Nuk besohet se ajo është e interesuar që të marrë një nga katër postet kyçe të BE-së, por është e prirë të shtyjë përpara një portofolio italiane në Komisionin Evropian. (Kjo mund të nënkuptojë, për shembull, marrjen e postit të zëvendëspresidentit me mandat për fushën e ekonomisë apo migrimit”. Ky qëndrim është një rikujtim se më i rëndësishëm se katër postet janë personat që punojnë në prapaskenë.

Nëse udhëheqësit e BE-së pajtohen për postet kryesore, testi i vërtetë do të vijë nga Parlamenti Evropian. Udhëheqësit e BE-së nuk kanë realisht fuqinë e votës kur bëhet fjalë për presidentin e Parlamentit. Kjo është përgjegjësi e vetë Parlamentit, që pritet të zgjedhë Metsolan me një shumicë të thjeshtë në Strasburg më 16 korrik. Në anën tjetër, Parlamenti nuk mund të vendosë për zgjedhjen e presidentit të Këshillit Evropian. Ky post kërkon shumicën e kualifikuar të udhëheqësit e shteteve anëtare.

Për zgjedhjen e presidentit ë Komisionit Evropian dhe të shefit të diplomacisë, situata është më e ndërlikuar. Këto poste kërkojnë shumicën e kualifikuar të udhëheqësve dhe më pas, zgjedhja e tyre duhet të kalojë edhe përmes Parlamentit Evropian përmes një shumice të thjeshtë. Thënë shkurt, të gjitha postet janë në tavolinë të negocimit.

Më 2019, presidentja aktuale e KE-së, Von der Leyen, arriti të zgjidhej në këtë post në Parlamentin Evropian për vetëm nëntë vota më shumë nga sa kërkohen. Votimi në korrik kësaj here mund të jetë më i ngushtë, pasi ka më pak eurodeputetë nga katër grupet kryesore (EPP, S&D, Renew, dhe të Gjelbrit) sesa herën e kaluar, dhe Von der Leyen me gjasë nuk mund të llogarisë në votat e eurodeputetëve nga grupet e tjera parlamentare. Nëse Parlamenti Evropian tregon muskujt dhe nuk e zgjedhë atë, udhëheqësit duhet sërish të mblidhen dhe të gjejnë një kandidat alternativ që mund të mbledhë 361 votat e nevojshme në Parlament.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG