Ndërlidhjet

Izraeli thotë se ka marrë nën kontroll një zonë kyçe të kufirit të Gazës me Egjiptin


Një ushtar izraelit duke luftuar në Gazë më 8 janar 2024.
Një ushtar izraelit duke luftuar në Gazë më 8 janar 2024.

Ushtria izraelite tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin për të ndërprerë përdorimin e tuneleve të kontrabandës, teksa po tenton të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në luftën që tani është në muajin e tetë.

Marrja e kontrollit e Korridorit Filadelfi mund të ndërlikojë raportet e Izraelit me Egjiptin, pasi ky i fundit është ankuar për avancimet e Izraelit drejt kufirit të tij. Izraeli tha se në këtë korridor ka tunele përmes së cilave janë transportuar armë dhe mallra të tjera për Hamasin – pavarësisht një bllokade shumëvjeçare të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.

Izraeli po ashtu tha thelluar inkursionin e tij në qytetin Rafah, në jug të Gazës, qytet ku qindra mijëra persona janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës. Në këtë qytet, ditëve të fundit është intensifikuar dhuna, teksa janë vrarë dhjetëra palestinezë. Ushtria tha se brigada e pestë – që ka disa mijëra ushtarë – të martën iu bashkuan trupave që operojnë në qytet.

Egjipti tha se çdo rritje e numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes që Egjipti dhe Izraeli kanë arritur më 1979. Egjipti veçse është ankuar se Izraeli ka marrë pikëkalimin kufitar në Rafah, që është pikëkalimi i vetëm mes Gazës dhe Egjiptit.

“Korridori Filadelfi ka shërbyer si linjë oksigjeni për Hamasin, përmes së cilit Hamasi ka kontrabanduar armë në Gazë në baza të rregullta”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Izraeli e ka njoftuar Egjiptin për marrjen e kontrollit të kësaj zone. Afër 200 tunele, përfshirë disa që më herët Izraeli nuk kishte njohuri për to, u gjetën si dhe 82 pika hyrëse për në tunele, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti. Nuk është e qartë nëse këto tunele po përdoreshin së fundi.

Korridori është pjesë e një zone më të madhe çmilitarizimi përgjatë të gjithë kufirit mes Izraelit dhe Egjiptit. Sipas Marrëveshjes së Paqes, secilës palë i lejohet të dislokojë vetëm një numër të vogël trupash apo rojesh kufitare në këtë zonë, edhe pse numri i ushtarëve mund të modifikohet në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe. Në kohën kur u arrit marrëveshja, trupat izraelite kontrollonin Gazës, deri në kohën kur Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe kolonët më 2005.

Televizioni shtetëror në Egjipt, Al-Qahera News TV raportoi se “nuk ka pasur asnjë komunikim me palën izraelite” sa i përket pretendimeve për gjetjen e tuneleve në kufi. Egjipti vazhdimisht ka shprehur shqetësime se ofensiva izraelite mund të shtyjë palestinezët përtej kufirit, një skenar që Egjipti ka thënë se është i papranueshëm.

Korridori i ngushtë – që në disa pjesë është i gjerë rreth 100 metra – është i gjatë 14 kilometra në pjesën e Gazës në kufirin me Egjiptin, dhe kalon përmes pikëkalimit Rafah për në Egjipt.

Hamasi ka kontrolluar kufirin që nga viti 2007, kur mori edhe kontrollin e Gazës.

Tunele të kontrabandës u hapën nën kufirin Gaza-Egjipt për të shmangur bllokadën izraelito-egjiptiane, bllokadë që u vendos pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës. Disa tunele ishin aq të mëdha sa në to mund të kalonin makina. Hamasi ka kontrabanduar armë dhe pajisje të tjera, ndërkaq banorët e Gazës kanë kontrabanduar mallra, nga bagëtitë e deri te materialet ndërtimore.

Por, kjo ndryshoi gjatë dekadës së fundit, teksa Egjipti luftoi me militantët islamikë në Sinai. Egjipti ka shkatërruar qindra tunele.

Zyrtari i ushtrisë izraelite tha se shteti i tij ka “kontrollin taktik” të Tel al-Sultan, lagje në cepin më veriperëndimor të Rafahut. Megjithatë, ai tha se inkursioni në qytet mbetet “në shkallë të kufizuar”.

Zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se marrja e Korridorit Filadelfi do të ishte në përputhje me operacionin “e kufizuar” tokësor, për të cilin zyrtarët izraelitë e kanë njoftuar ekipin e presidentit amerikan, Joe Biden, sa i përket qytetit të Rafahut.

Ndërkaq, më herët gjatë të mërkurës, këshilltari për siguri kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegbi, tha se ka të ngjarë që lufta të zgjasë përgjatë vitit.

Lufta, që nisi më 7 tetor pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, veçse ka vrarë mijëra persona. Hamasi vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu 250 të tjerë, gjatë sulmit të paprecedent në tokën izraelite. Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli pretendon se ka vrarë 15.000 militantë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG