Ndërlidhjet

Çfarë do të ndodhte nëse Egjipti do të zhbënte traktatin e paqes me Izraelin?


Një kamion me ndihma në pikën kufitare me Egjiptin, Rafah.(Foto nga arkivi)
Një kamion me ndihma në pikën kufitare me Egjiptin, Rafah.(Foto nga arkivi)

Associated Press

Ishte një shtrëngim i ngrohtë duarsh, i pazakontë mes udhëheqësve të Egjiptit dhe Izraelit, i realizuar para syve të presidentit amerikan, Jimmy Carter. Nën hijen e pemëve në Kampin David në Merilend, presidenti i Egjiptit, Anwar Sadat, dhe kryeministri izraelit, Menachem Begin, çimentuan një marrëveshje historike që ka mundësuar paqen mes dy shteteve të tyre për më shumë se 40 vjet. Kjo marrëveshje ka shërbyer si burim i qëndrueshmërisë, në rajonin e paqëndrueshëm.

Paqja mbretëroi gjatë dy kryengritjeve palestineze dhe një seri luftërash mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por, tani kryeministri Benjamin Netanyahu, është zotuar se do t'i dërgojë trupat izraelite në Rafah, qytet në Gazë në kufi me Egjiptin dhe Qeveria egjiptiane po kërcënon se do të zhbëjë marrëveshjen e paqes.

Në këtë artikull mund të mësoni më shumë për historikun e traktatit të paqes dhe çfarë mund të ndodhë nëse ai zhbëhet.

Si lindi traktati?

Ishte viti 1977 dhe Begin, kryeministri i ri i Izraelit, kundërshtoi dhënien e tokës që Izraeli pushtoi një dekadë më parë në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Në këto toka të pushtuara përfshihej edhe Gadishulli Sinai i Egjiptit.

Egjipti dhe Izraeli kishin zhvilluar katër luftëra të mëdha, dhe më e fundit ishte ajo e vitit 1973. Prandaj, bota u trondit kur Sadat nga Egjipti, u shkëput nga udhëheqësit e tjerë arabë dhe vendosi të angazhohej me izraelitët.

Bisedimet kulmuan me Akordet e Kampit David në shtator të vitit 1978 dhe traktati i paqes u arrit vitin pasues.

Nën traktatin e paqes, Izraeli u pajtua të tërhiqej nga Sinai, të cilin Egjipti do ta linte të çmilitarizuar. Anijeve izraelite iu lejua kalimi përmes Kanalit të Suezit, një rrugë kyçe për tregti. Dy shtetet vendosën marrëdhënie të plota diplomatike dhe kjo ishte marrëveshja e parë e paqes që Izraeli arriti me një shtet arab.

“Akordet e Kampit David u udhëhoqën nga tre burra të guximshëm që ndërmorën një qëndrim të guximshëm sepse ata i dinin efektet afatgjata për paqen dhe sigurinë, si për atëherë, por edhe për të ardhmen. Edhe sot na duhet një udhëheqje e tillë dhe aktualisht nuk kemi diçka të tillë”, tha Paige Alexander, drejtor ekzekutiv i Qendrës Carter.

Cili është qëndrimi aktual i Egjiptit?

Dy zyrtarë të Egjiptit dhe një diplomat perëndimor i thanë Associated Press më 11 shkurt se Egjipti mund ta pezullojë traktatin e paqes nëse trupat izraelite pushtojnë Rafahun.

Netanayhu thotë se Rafahu është bastioni i vetëm i mbetur i Hamasit pas më shumë se katër muajsh luftë dhe se do të dërgojë trupat tokësore që të mposhtë grupin radikal palestinez.

Por, Egjipti kundërshton çdo lëvizje që do të mund të detyronte palestinezët e dëshpëruar të ikin përtej kufirit dhe në territorin e tij. Rafahu, po ashtu, shërben si pika kryesore për ndihma humanitare në territorin e rrethuar. Egjipti ka argumentuar se një sulm izraelit mund të pengonte dërgesat e ndihmës kyçe.

Popullsia e Rafahut është rritur nga 280.000 në 1.4 milion, teksa palestinezët po ikin nga lufta në pjesën tjetër të Gazës. Qindra mijëra nga këta të evakuuar po jetojnë në kampe me tenda.

Palestinezët duke pritur në radhë për të marrë ushqim në Rafah.
Palestinezët duke pritur në radhë për të marrë ushqim në Rafah.

Netanyahu e ka urdhëruar ushtrinë që të përgatisë një plan për evakuimin e të gjithë civilëve palestinezë para nisjes së ofensivës. Por, është e paqartë se ku do të dërgoheshin ata.

Netanyahu tha të dielën se ata do të mund të kthehen në një mjedis të hapur më në veri. Por, ato zona kanë pësuar dëme të mëdha nga ofensiva izraelite.

Çfarë do të ndodhë nëse zhbëhet traktati?

Traktati në mënyrë të madhe kufizon numrin e trupave në dy anët e kufirit. Kjo i ka mundësuar Izraelit të përqendrojë ushtrinë e tij në kërcënime të tjera.

Përveç luftës në Gazë, Izraeli në baza ditore përfshihet në sulme me grupin militant Hezbollah në Liban, përderisa një numër i madh i forcave izraelite janë dislokuar në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Nëse Egjipti do të zhbënte marrëveshjen, do të mund të nënkuptonte që Izraeli më nuk do të mund ta ketë kufirin e saj jugor një oazë të qetësisë. Rritja e forcave përgjatë kufirit me Egjiptin pa dyshim që do të dyfishonte sfidat për ushtrinë izraelite.

Por, një pezullim i traktatit do të kishte pasoja serioze edhe për Egjiptin. Ky shtet ka marrë miliarda dollarë ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara që kur është arritur marrëveshja e paqes.

Nëse marrëveshja anulohet, do të mund t'i vinte në rrezik ato fonde. Një grumbullim masiv ushtarak, po ashtu, do të rëndonte ekonominë të Egjiptit, e cila veçse është në vështirësi.

Alexander tha se çdo hap që do ta tërhiqte Egjiptin në armiqësi “do të ishte katastrofal për tërë rajonin”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG