Ndërlidhjet

BQK përmbyll periudhën transitore për zbatim të rregullores për pagesa me para të gatshme


Logoja e Bankës Qendrore të Kosovës.
Logoja e Bankës Qendrore të Kosovës.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme.

Më 1 shkurt të këtij viti, BQK-ja e kishte fuqizuar rregulloren e re, e cila parasheh që euroja të jetë valuta e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Një vendim i tillë pati zemëruar Serbinë, e cila deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja ka thënë të hënën se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Ky institucion ka thënë se ka vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

Periudha transitore për zbatim të rregullores – prej 1 shkurtit, deri në fund të prillit – është zbatuar pas kritikave në rritje të faktorit ndërkombëtar për rregulloren që prek dinarin.

Faktori ndërkombëtar pati reaguar me arsyetimin se rregullorja është zbatuar në periudhë të shkurtër kohore, pa ofruar alternativa të qëndrueshme për serbët që përdorin dinarin.

Megjithatë, gazetarë të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se pavarësisht kalimit të periudhës transitore, dinari po vazhdon të qarkullojë.

Po ashtu, është mësuar se Posta e Serbisë në veri, të hënën, nuk ka bërë pagesa në dinarë.

Qytetarëve atje u është thënë se Posta është urdhëruar që të mos bëjë pagesa tani për tani, “për shkak të situatës”.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar që më 15 maj, Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e shtatë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, me qëllim të arritjes së një kompromisi për dinarin.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogun Kosovë- Serbi, për shkak se fokusi tash është në këtë çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG