Sulmi i paparë i Iranit kundër Izraelit e ka shtyrë Lindjen e Mesme buzë një lufte të përgjithshme.
Teherani i lëshoi qindra dronë dhe raketa drejt Izraelit më 13 prill, duke e kryer sulmin e parë të drejtpërdrejtë kundër armikut të vet të përbetuar.
Pas këtij sulmi, Izraeli është duke i shqyrtuar opsionet e veta, të cilat, sipas analistëve, mund të jenë nga një ofensive diplomatike për ta izoluar Iranin, deri te sulmet ushtarake mbi Republikën Islamike.
Duke qenë se rreziku i përshkallëzimit është më i madh se kurrë më parë, skenari më i keq, një luftë e përgjithshme mes Iranit dhe Izraelit, është shumë i mundshëm, thonë analistët.
“Izraeli duhet t’i marrë parasysh qëllimet, jo vetëm rezultatet, dhe kjo nënkupton se në Izrael do të argumentohet për një përgjigje brenda Iranit, bashkë me të gjitha rreziqet që kjo i sjell”, tha Michael Horowitz, nga konsulenca ndërkombëtare Le Beck me bazë në Bahrejn.
Derisa as Irani, e as Izraeli nuk duan përshkallëzim të situatës, “vallja në të cilën janë futur ata – duke tentuar ta frenojnë njëri-tjetrin – është shumë e rrezikshme”, shtoi ai.
Sulmi i Iranit ishte hakmarrje ndaj një sulmi të dyshuar ajror izraelit në konsullatën iraniane në Siri më 1 prill, ku për pasojë u vranë disa komandantë iranianë, përfshirë dy gjeneralë.
Sulmet e dyshuara izraelite i kanë vrarë së paku 18 pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), degës elitare të Forcave të Armatosura të Iranit, në Siri prej dhjetorit të kaluar.
Sulmi i 13 prillit nga Irani u duk se ishte tejet i kontrolluar dhe i planifikuar me qëllim që të mos shkaktojë viktima apo dëme të mëdha.
“Skenari i makthit”
Ministri i Mbrojtjes izraelit, Yoav Gallant, tha se Izraeli “nuk ka zgjidhje” përpos t’i përgjigjet sulmit të Iranit.
Teherani, megjithatë, paralajmëroi se përgjigja e tij do të jetë edhe “më e fuqishme” dhe “më e gjerë”, nëse Izraeli hakmerret.
Kryekomandanti i IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salmani, tha më 14 prill se operacioni i Iranit i quajtur “Zotimi i Sinqertë” – e ka “ndryshuar formulën” dhe se Teherani do t’i përgjigjej veprimeve të Izraelit, në vend se të tregojë “durim strategjik”.
“Irani dëshiron një ndryshim të rëndësishëm dhe ka thënë se nga tani e tutje, çdo veprim i Izraelit do të marrë përgjigjen e ngjashme”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë Farzin Nadimi nga Instituti i Uashingtonit.
Një operacion i drejtpërdrejtë ushtarak i Izraelit kundër Iranit mund të nxisë luftë të përgjithshme mes këtyre dy vendeve, që sipas Horwitzit është “skenar i makthit”.
Një skenar i tillë mund t’i tërheqë edhe Shtetet e Bashkuara, aleatët kryesorë të Izraelit, si dhe t’i nxisë përfaqësuesit e Iranit dhe grupet militante proiraniane në rajon ta sulmojnë Izraelin, përfshirë Hezbollahun e Libanit, rebelët huthi të Jemenit dhe milicitë shiite në Irak dhe Siri.
“Nëse arrijmë në këtë pikë, ne mund të shohim sulme javore izraelite kundër Iranit, përfshirje të plotë të Hezbollahut në një sulm kundër Izraelit, një pushtim tokësor izraelit në Liban dhe një tentim nga Irani për ta mbyllur Gjirin Persian”, tha Horowitz.
Ka vite që Irani kërcënon me mbylljen e Ngushticës strategjike Hormuz, që është një rrugë e rëndësishme për furnizimin botëror me naftë.
Edhe në mungesë të një sulmi të drejtpërdrejtë izraelit kundër Iranit, “një varg sulmesh hakmarrëse mes Iranit dhe Izraelit mund të na çojnë në këtë pikë, nëse palët e jashtme nuk veprojnë siç kanë bërë deri tani për t’i ulur tensionet”, paralajmëroi Horowitz.
“Shkalla e pasigurisë”
Shumë fuqi botërore dhe aktorë rajonalë kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë kërkuar Izraelit të tregojnë vetëpërmbajtje.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se Uashingtoni nuk do ta mbështetë një sulme izraelite kundër Iranit, sipas mediave.
“Shtetet e Bashkuara kanë ndikim shumë të madh ndaj Izraelit, nëse duan ta përdorin atë”, tha për Radion Farda Stephen Walt, profesor për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.
“Tani, me mundësinë e një lufte të gjerë, duket se administrata Biden i ka thënë Izraelit se, nëse bën diçka më shumë, do të jetë i vetëm”, shtoi ai.
Derisa nuk është e pamundur për Izraelin ta shpërfillë Uashingtonin dhe të merret me këtë çështje vetë, Walt tha se shanset për një konflikt rajonal janë të vogla, sepse “shumica e aktorëve në rajon nuk duan që kjo të ndodhë”.
Ai theksoi se grupet e vetme që “mund të kenë interes” në një luftë të gjerë, janë Hamasi – i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe Qeveria e vijës së ashpër e Netanyahut.
Edhe kështu, nuk do të kishte fitues të vërtetë në një konflikt të gjerë, sipas Horowitz.