Ndërlidhjet

Protestuesit hedhin molotov drejt ndërtesës së bashkisë së Tiranës


Protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së bashkisë së Tiranës më 11 prill 2024.
Protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së bashkisë së Tiranës më 11 prill 2024.

Në protestën e thirrur në Tiranë nga partitë opozitare, protestuesit u përplasën me policinë para bashkisë së kryeqytetit shqiptar. Protestuesit hodhën flakadanë dhe koktej molotovi në drejtim të ndërtesës së bashkisë së Tiranës.

Protesta e 11 prillit u thirr nga Rithemelimi, grupimi më i madh i deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë brenda Partisë Demokratike, dhe Partia e Lirisë e ish-presidentit, Ilir Meta.

Përfaqësuesit e këtyre dy partive opozitare po kërkojnë largimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, dhe përballjen e tij me drejtësinë. Kjo është protesta e dytë që u mbajt brenda disa ditësh para bashkisë së Tiranës. Protestat u thirrën pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve bashkiakë nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Protesta në Tiranë më 11 prill 2024.
Protesta në Tiranë më 11 prill 2024.

Sipas opozitës, në këto akte korruptive që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme është përfshirë edhe Veliaj.

Këshilltarët bashkiakë të opozitës kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për të diskutuar në lidhje me arrestimin e këtyre zyrtarëve apo ish-zyrtarëve.

Protestës së thirrur nga opozita iu bashkuan përfaqësues të aleancës për Mbrojtjen e Teatrit si dhe banorë të disa prej zonave periferike të Tiranës, të cilët edhe më herët kanë kundërshtuar bashkinë e Tiranës në projektet e saj në këto zona.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit në fund të marsit arrestoi disa drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë së Tiranës, ndërkaq ndaj disa të tjerëve lëshoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nën akuzat për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tenderë, lidhur me aferën e dyshuar të shoqërisë ‘5D konstruksion’.

Kordoni policor gjatë protestës në Tiranë më 11 prill 2024.
Kordoni policor gjatë protestës në Tiranë më 11 prill 2024.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme nxori 15 urdhra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, mes tyre në arrest me burg është drejtori i përgjithshëm i punëve publike në bashkinë e kryeqytetit, Taulant Tushe.

Protesta e 11 prillit u mbikëqyr nga një numër i madh i forcave të policisë, ndërsa pas përplasjeve dhe momenteve të tensionit, kordoni i policisë u përforcua edhe nga efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë, Veliaj deklaroi se akuzat e ngritura ndaj bashkëpunëtorëve të tij nuk e bëjnë të ndihet mirë, por akuzat duhet të provohen në gjykatë. Megjithatë, ai tha se nuk ka pasur asnjë përftim personal dhe nuk ka shkelur ligjin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG