Ndërlidhjet

Regjistrimi i dëmeve gjatë luftës: Sa reale mund të jenë ato?


Një vrimë e madhe e shkaktuar nga predha e tankut gjatë sulmit të forcave serbe mbi shtëpinë e familjes Gashi në Landovicë të Prizrenit, gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Një vrimë e madhe e shkaktuar nga predha e tankut gjatë sulmit të forcave serbe mbi shtëpinë e familjes Gashi në Landovicë të Prizrenit, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, i cili do të zhvillohet në Kosovë nga data 5 prill deri më 17 maj, do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen, mes tjerash, edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999.

Në mesin e pyetësorëve, me të cilët do të shërbehet Agjencia e Statistikave të Kosovës gjatë procesit të regjistrimit, është edhe ai për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare.

Të dhënat që do të mblidhen në këtë kontekst, do të shërbejnë vetëm si kornizë orientuese për institucionet e Kosovës, thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati.

Këto të dhëna, sipas tij, do t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës për t’i identifikuar më lehtë rastet e krimeve dhe dëmeve të luftës.

“Kjo është vetëm një kornizë, një plotësim i burimeve tjera që ka Kosova, organizatat dhe institucionet e saj. Kjo nuk nënkupton që ne dalim nesër me një raport dhe themi se ‘janë kaq dëme’”, thotë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Përveç për dëmet në njerëz, pyetësori i ASK-së synon të marrë përgjigje nga qytetarët edhe për pronat e shkatërruara, duke i kategorizuar ato sipas vlerës monetare nga 10 mijë euro deri në mbi 40 mijë euro.

ASK-ja, më pas, do të krijojë një databazë me të dhënat për dëmet nga lufta, të deklaruara nga qytetarët.

Kjo databazë do t’i dorëzohet Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, konfirmon drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi.

Informatat që do të nxirren nga databaza e krijuar nga ASK-ja, sipas tij, do t’i shërbejnë institutit për analiza krahasuese me informacionet që tashmë ekzistojnë lidhur me krimet e luftës dhe dëmet në prona.

“Së dyti, na shërbejnë për të bërë një lloj harte, se në cilat zona të Kosovës ka pasur më shumë dëme apo krime, në mënyrë që ne, më pas, në momentin që fillojmë punën për mbledhjen e dokumenteve që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ta dimë se kah të fokusohemi”, thotë Hetemi.

Dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë është konsideruar si urgjencë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shkak se “me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët”.

Të martën, ai ka thënë se në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, pyetësori do t’iu mundësojë qytetarëve që të dëshmojnë për pronat e shkatërruara, për dëmet në familjarë, qofshin ata të vrarë, të plagosur apo të zhdukur në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri më 12 qershor 1999.

Sa të sakta mund të jenë të dhënat për shkatërrimin e pronave?

Kastrati thekson se të dhënat që mund të mblidhen nga deklarimi i qytetarëve, mund të mos jenë reale.

Por, sipas tij, ASK-ja nuk e ka për detyrë të verifikojë saktësinë e këtyre të dhënave.

Kjo detyrë, sipas tij, u takon komisioneve ose agjencive të tjera të Qeverisë së Kosovës.

“Komisioni pastaj del dhe i verifikon. Kanë punë... Do të marrë vite kjo, s’e besoj që e kanë lehtë”, thotë Kastrati.

Hetemi thotë, po ashtu, se autoritetet janë të vetëdijshme që mund të ketë deklarime të pasakta ose eventualisht të rrejshme nga qytetarët për shumat e caktuara që janë vendosur në pyetësor lidhur me pronën e shkatërruar.

Sipas tij, të dhënat për dëmet nga lufta, të deklaruara nga qytetarët, nuk do të konsiderohen me automatizëm si të mirëqena, për t’i futur në arkiv të institutit.

Ato, siç thotë ai, do t’i nënshtrohen një lloj procesi të hulumtimit për verifikim të saktësisë së tyre.

Këtë hulumtim, sipas tij, do ta bëjë instituti që ai drejton.

“Instituti nuk është institucion hetues, por institucion hulumtues. Nëse ka verifikim gjyqësor apo ligjor, atë mbase e bëjnë institucionet tjera, por jo ne. Ne i verifikojmë deri në atë masë sa na duhet për të vendosur se a mund t’i vendosim në arkivat tona dhe a mund t’i përdorim për qëllime të hulumtimit ose jo”, thotë Hetemi.

Muaj më parë, në prag të themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, kryeministri Kurti deklaroi se “Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta e fundit”.

Arifi: Padia në GJND, aktualisht e pamundur

Më 30 mars, Kurti tha se autoritetet e Kosovës po përgatiten që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës “për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

Deklarata e Kurtit u cilësua si kërcënuese nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se Kurti tani do që t’i përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të iniciuar padi ndaj Serbisë.

Vuçiq i bëri këto deklarata tri ditë pasi Kosova bëri një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kolegjin UBT në Prishtinë, thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i mbledhin të dhënat dhe dokumentacionin e nevojshëm, si dhe të jenë të gatshme për një padi ndaj Serbisë për krime lufte dhe gjenocid në Kosovë.

Por, siç thotë ai, Kosova, aktualisht, nuk mund të ngrejë padi për gjenocid ndaj Serbisë.

Padia për gjenocid, sipas tij, ngrihet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka selinë në Hagë.

Të drejtën e ngritjes së padisë së tillë e kanë vetëm shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesë e së cilës Kosova nuk është ende.

Megjithatë, siç thotë Arifi, padi ndaj shtetit të Serbisë mund të ngrenë qytetarët e Kosovës, në mënyrë individuale - qoftë për dëmin njerëzor, shpirtëror dhe material, vetëm pasi t’i kenë shteruar mundësitë ligjore në gjykatat vendore në Kosovë.

“Nëse personi është i pakënaqur me vendimin e gjykatave vendore të të gjitha shkallëve, atëherë mund t’i drejtohet Gjykatës në Strasburg për të drejtat e njeriut”, thotë Arifi.

Ai shton se rastet e tilla eventuale do të ishin të vështira, pasi proceset e tilla marrin shumë vite kohë.

Arifi thekson se në rast se Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës, atëherë ajo mund të iniciojë kërkesën për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me të cilën do të njihej gjenocidi i Serbisë në Kosovë.

Rezoluta e tillë, sipas tij, nuk do të kishte efekt juridik, por vetëm politik.

“Rezolutat nuk janë oligative (ligjërisht). Por, sidoqoftë, është ndoshta më shumë një fitore morale dhe politike sesa ligjore”, thekson Arifi.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë persona. Sipas autoriteteve të Kosovës, të zhdukur mbeten ende 1.617 njerëz.

Rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nga viti 2000 deri në vitin 2008, ndërsa më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG