Ndërlidhjet

Anije me ndihma nisen drejt Gazës


Tri anijet me ndihma që janë nisur drejt Rripit të Gazës. 30 mars 2024.
Tri anijet me ndihma që janë nisur drejt Rripit të Gazës. 30 mars 2024.

Tri anije janë larguar nga një port në Qipro me 400 tonë ushqime dhe furnizime të tjera për Gazën, përderisa po rriten shqetësimet për nivelin e urisë në territorin palestinez.

World Central Kitchen tha se anijet po bartin oriz, pasta, miell, perime të konservuara dhe proteina, nga të cilat mund të përgatiten mbi 1 milion vakte ushqimore. Po ashtu, në dërgesa ka edhe hurma, që tradicionalisht konsumohen për iftar gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Më herët gjatë këtij muaji, anija e Open Arms ishte e para që kaloi përmes kësaj rruge detare drejt Gazës, ku dërgoi mbi 200 tonë ushqime, ujë dhe ndihmë tjetër.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji. Zyrtarët humanitarë kanë thënë se dërgesat nga deti dhe ajri nuk janë të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë që më shumë ndihmë të hyjë përmes rrugëve tokësore.

Një gjykatë e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të hapë më shumë pikëkalime tokësore dhe të ndërmarrë masa për të adresuar krizën humanitare.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 32.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës. Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG