Ndërlidhjet

GJND-ja e urdhëron Izraelin të ndërmarrë masa për parandalimin e urisë në Gazë


Një familje palestineze duke bërë iftar gjatë Ramazanit jashtë shtëpisë së tyre të rrënuar nga lufta, Gazë, mars 2024.
Një familje palestineze duke bërë iftar gjatë Ramazanit jashtë shtëpisë së tyre të rrënuar nga lufta, Gazë, mars 2024.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e ka urdhëruar Izraelin të enjten të ndërmarrë masa, përfshirë hapjen e më shumë pikëkalimeve tokësore, për të lejuar futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe furnizimeve të tjera brenda Rripit të Gazës, për ta parandaluar urinë absolute në territorin e rrënuar palestinez.

Gjykata i vendosi dy masa shtesë në rastin që Afrika e Jugut e solli para saj, ku e akuzon Izraelin se po kryen gjenocid në luftën e tij në Gazë, e cila nisi më 7 tetor pas sulmit të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Izraeli e mohon se po kryen gjenocid përmes kësaj lufte dhe thotë se ajo po bëhet për t’u vetëmbrojtur.

Urdhri i së enjtes vjen pasi Afrika e Jugut kërkoi më shumë masa, përfshirë një armëpushim, duke përmendur vdekjet nga uria në Gazë. Izraeli i bëri thirrje gjykatës të mos lëshonte urdhra të rinj.

Në urdhrin e saj ligjërisht detyrues, gjykata e urdhëroi Izraelin të ndërmarrë masa “pa vonesa” për të siguruar furnizim të papenguar të shërbimeve bazike dhe urgjente, si dhe ndihmës humanitare, përfshirë ushqimin, ujin, karburantin dhe furnizimet mjekësore.

Pasi i mbylli të gjithë kufijtë e Gazës në fillim të luftës, Izraeli filloi ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare. Izraeli thotë se nuk i kufizon sasitë e ndihmave humanitare që i lejon të futen brenda Gazës dhe i akuzon Kombet e Bashkuara se po dështojnë ta organizojnë furnizimin me ndihma në mënyrë të duhur.

Por, grupet humanitare të OKB-së thonë se furnizimi me ndihma është penguar nga ushtria izraelite, luftimet e vazhdueshme dhe mungesa e rëndit dhe ligjit në Gazë.

Gjykata tha në urdhrin e saj se “palestinezët në Gazë tanimë nuk po përballen vetëm me rrezikun e urisë absolute... por uria absolute po ndodh”.

Sipas një raporti të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, së paku 31 njerëz, përfshirë 27 fëmijë, kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja apo dehidrimi.

Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në Gazë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

Lufta në Gazë u nxit nga një sulm i pjesëtarëve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen.

Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG