Rusia dhe Kina e përdorën veton të premten kundër një rezolute të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm” në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës.
Rezolute bënte thirrje për armëpushim gjashtëjavor, mbrojtjen e civilëve dhe lejimin e futjes së ndihmave humanitare për miliona palestinezë në Gazë.
Në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë, 11 votuan për, tre kundër dhe një abstenoi.
“Shumica dërrmuese e këtij këshilli votoi për këtë rezolutë, por fatkeqësisht Rusia dhe Kina vendosën ta përdorin veton”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, duke folur para votimit, u bëri thirrje vendeve anëtare të mos e votonin këtë rezolutë.
Ai tha se rezoluta ishte “tejet e politizuar” dhe se i jepte dritën jeshile Izraelit për të kryer operacion ushtarak në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, ku më shumë gjysma e 2.3 milionë banorëve janë duke u strehuar në shatorre të improvizuara, pasi i ikën luftës izraelite në veri.
Këshilli i Sigurimit i ka miratuar dy rezoluta për gjendjen e përkeqësuar humanitare në Gazë, por asnjëra nga to nuk bënte thirrje për armëpushim.
Rusia dhe Kina e përdorën veton kundër një rezolute amerikane edhe në tetorin e kaluar, e cila bënte thirrje për ndërprerjen e luftimeve, për të mundësuar dërgimin e ndihmave, mbrojtjen e civileve dhe ndërprerjen e armatosjes së Hamasit.
Ato thanë se rezoluta nuk pasqyronte thirrjet botërore për armëpushim.
SHBA-ja, aleatja më e madhe e Izraelit, e ka përdorur veton kundër tre rezolutave që kërkonin armëpushim, më së voni një të thirrur nga vendet arabe dhe e mbështetur nga 13 anëtarë të këshillit më 20 shkurt.
Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.
Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.
Më shumë se 32.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.