Ndërlidhjet

Pse Izraeli është kaq i vendosur që të nisë ofensivën në Rafah?


Tymi mbulon qiellin mbi Rafah, pas bombardimeve izraelite më 20 mars 2024.
Tymi mbulon qiellin mbi Rafah, pas bombardimeve izraelite më 20 mars 2024.

Associated Press

Izraeli është i vendosur që të nisë një ofensivë tokësore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rafah, qytetin më jugor të Rripit të Gazës.

Ky plan i Izraelit ka ngritur alarmin botëror për shkak se në Rafah janë duke u strehuar qindra mijëra civilë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij të “fitores së plotë” kundër Hamasit, pa hyrë në Rafah.

Izraeli ka miratuar plane ushtarake për ofensivën e tij. Por, me 1.4 milion palestinezët e strehuar në qytet, aleatët e Izraelit, përfshirë SHBA-në, kanë kërkuar kujdes më të madh për civilët gjatë inkursionit të pritshëm izraelit.

Shumica e palestinezëve në Rafah janë zhvendosur aty për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës dhe po jetojnë në kampe me tenda që janë të stërmbushura, në strehimore që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara apo në ndërtesa të tjera.

Netanyahu po dërgon në Uashington një delegacion për t’i paraqitur administratës amerikane planet e tij.

Pse Rafahu është kaq i rëndësishëm?

Që kur Izraeli shpalli luftë në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor, Netanyahu ka thënë se qëllimi kryesor është shkatërrimi i aftësive të grupit radikal.

Izraeli ka thënë se Rafahu është bastioni i fundit i madh i Hamasit në Rripin e Gazës, pasi operacionet e tij në pjesë të tjera të enklavës kanë shkatërruar 18 nga 24 batalionet e grupit radikal, sipas ushtrisë. Por, edhe në veri të Gazës, që ishte caku i parë i ofensivës izraelite, Hamasi është rigrupuar në disa zona dhe ka vazhduar të kryejë sulme.

Izraeli ka thënë se Hamasi ka katër batalione në Rafah dhe duhet të dërgojë forca tokësore për t’i shkatërruar ato. Disa prej anëtarëve të lartë të grupit ekstremist po ashtu mund të jenë duke u fshehur në këtë qytet.

Pse po kundërshtohet kaq shumë plani i Izraelit?

SHBA-ja i ka bërë thirrje Izraelit që të mos vazhdojë përpara me operacionin pa një plan “të besueshëm” për evakuimin e civilëve.

Egjipti, një partner strategjik i Izraelit, ka thënë se çdo lëvizje për të shtyrë palestinezët në Egjipt do të kërcënonte marrëveshjen e paqes me Izraelin. Këtë marrëveshje palët e kanë arritur katër dekada më parë.

Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar këtë javë me Netanyahun, presidenti amerikan, Joe Biden, i tha udhëheqësit izraelit që të mos e kryejë operacionin në Rafah, tha këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Ai tha se SHBA-ja po kërkon “një qasje alternative” që nuk do të përfshinte një pushtim tokësor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili është në vizitën e gjashtë në rajon që kur nisi lufta, përsëriti këto shqetësime gjatë një interviste të dhënë të mërkurën për televizionin Al-Hadath në Arabinë Saudite.

“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë lidhur me atë që ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh tokësor, operacion ushtarak në Rafah”, tha Blinken.

Kryediplomati amerikan tha se nuk ka ndonjë mënyrë efektive për të zhvendosur 1.4 milion personat që gjenden në qytet në një vend të sigurt dhe ata që do të mbeteshin në qytet “do të ishin në një rrezik të madh”.

Izraeli duket se s’është afër dërgimit të trupave

Netanyahu ka thënë se ai po dërgon një delegacion në Uashington “për shkak të respektit” që ka për Bidenin. Por, në një deklaratë të mërkurën ai tha se i ka thënë Bidenit se Izraeli “nuk mund të kompletoj fitoren” pa hyrë në Rafah.

Pavarësisht bisedimeve të vështira, Izraelit duket se nuk është afër momentit të dërgimit të trupave në Rafah. Kjo mund të jetë e lidhur me përpjekjet që po vazhdojnë për arritjen e një armëpushimi të përkohshëm. Ndërmjetësit nga Katari kanë thënë se këto bisedime do të dëmtoheshin nga një pushtim në Rafah.

Po ashtu, në këtë drejtim ka edhe shqetësime logjistike.

Ushtria izraelite ka thënë se planifikon t’i dërgojë civilët në “ishujt humanitarë” në Gazën qendrore para ofensivës së planifikuar. Netanyahu deklaroi të mërkurën se planet për evakuim nuk janë miratuar ende.

Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, grupi radikal vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë afër 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG