Ndërlidhjet

Kush do të bëhet shef i ri i NATO-s?


Një flamur i NATO-s duke valëvitur para shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Suedisë, në Stokholm, më 11 mars 2024.
Një flamur i NATO-s duke valëvitur para shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Suedisë, në Stokholm, më 11 mars 2024.

Këtë vit, në Bruksel janë në garë katër poste të mëdha politike: presidencat e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, që aktualisht udhëhiqen nga Ursula von der Leyen dhe Charles Michel respektivisht, por edhe posti i shefit për politikë të jashtme, që është mbajtur për këto pesë vjet nga Josep Borrell. Më pas, është edhe një post në kryeqytetin belg. NATO po kërkon zëvendësues të Jens Stoltenbergut në postin e sekretarit të përgjithshëm, pasi shefi norvegjez po largohet nga ky post pas një dekade.

Dy samitet e Bashkimit Evropian që do të mbahen më 17 dhe 27 qershor, ku do të marrin pjesë krerët e 27 shteteve anëtare, do të vendosin për tri postet përmes negociatave prapa dyerve të mbyllura. Është një proces i ndërlikuar përmes së cilit kandidatët zgjidhen për të reflektuar balancën gjinore, përkatësinë politike (shpesh të ndarë mes partive panevropiane që përfaqësojnë qendrën e djathtë, qendrën e majtë dhe liberalët) dhe gjeografinë.

Presidenti i Komisionit Evropian zakonisht zgjidhet nga grupi politik që fiton më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në mbarë bllokun nga 6 deri më 9 qershor. Në katër zgjedhjet e fundit, grupi më i madh ka qenë Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë, dhe sondazhet sugjerojnë se ajo do të fitojë edhe këtë radhë. Kandidatja e tyre për këtë post, që u zgjodh në Kongresin e PPE-së të mbajtur në Bukuresht javën e kaluar, është Von der Leyen. Logjika thotë se ajo është në prag të një mandati tjetër pesëvjeçar në udhëheqjen e Komisionit Evropian.

Por, këtu shfaqet në skenë presidenti aktual rumun, Klaus Iohannis. Javën e kaluar, ai zyrtarisht njoftoi se dëshiron të bëhet sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s. Ky post zyrtarisht është i ndarë nga tre postet në BE. Por, duke pasur parasysh se 23 nga 27 shtetet e BE-së po ashtu janë anëtare të aleancës ushtarake dhe se shefi i ri i NATO-s duhet të jetë evropian, dy organizatat po kërkojnë kandidatët e tyre në të njëjtën skenë.

Burimet në NATO i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ata duan që të marrin vendim në prill, para samitit të NATO-s në Uashington që do të mbahet në korrik, dhe para se procesi “të ndërlikohet më shumë” për shkak të afateve të BE-së për rekrutim.

Vetëm disa javë më parë, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara (të njohura si Katërshja), si dhe 17 shtete të tjera, kryesisht në Perëndim, u mblodhën pas kryeministrit holandez, Mark Rutte. I vlerësuar si person me shumë përvojë, që ka pëlqim në Uashington e që ka marrëdhënie të mira me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në Bruksel dukej si një zgjedhje e denjë, nëse ndoshta jofrymëzues.

Kandidatura e Iohannisit po ashtu paraqet një pyetje me vend: a është ai personi “lindor” që duhet të marrë një nga katër postet kryesore vakante? “Lindor” këtu nuk ka të bëjë me konceptin gjeografi apo politik, por përfshin vendet e ish-bllokut sovjetik ose ish-Jugosllavisë që iu bashkuan BE-së (dhe NATO-s) në 25 vjetët e fundit: Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia (dhe në NATO po ashtu janë anëtarësuar Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut).

Klaus Iohannis gjatë kongresit të PPE-së në Bukuresht më 7 mars 2024.
Klaus Iohannis gjatë kongresit të PPE-së në Bukuresht më 7 mars 2024.

Asnjë sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ka qenë nga ndonjë prej këtyre shteteve. Më 2019, kur BE-ja për herë të fundit zgjodhi tre krerët, krahu lindor u anashkalua plotësisht. Në fakt, i vetmi “lindor” që ndonjëherë ka mbajtur ndonjë post të lartë në Bruksel është kryeministri aktual i Polonisë, Donald Tusk, i cili ka qenë president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019.

Pra, një prej katër posteve kyçe më 2024 duhet ta marrë dikush nga lindja.

Disa argumente në të vërtetë janë në favorin e Iohannisit. Deri më tani kanë qenë tre holandezë që kanë mbajtur postin e shefit të NATO-s. Holanda është përballur me sfidën e të shpenzuarit 2 për qind të Bruto Prodhimit të saj të Brendshëm për mbrojtje – një synim që NATO e ka vendosur mbi një dekadë më parë dhe të cilin shumë shtete të Evropës Lindore, përfshirë edhe Rumaninë e Iohannisit, kanë arritur që ta përmbushin.

Rutte, edhe pse mbështet Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022, konsiderohet “i butë” me Rusinë. Si shembull për këtë merret mbështetja e tij për gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2” e Gazpromit.

Në aleancë ka nevojë për unanimitet. Të 32 aleatët e NATO-s duhet të pajtohen. Hungaria veçse ka lënë të kuptohet se është kundër Rutte, veçmas për shkak të një sërë mosmarrëveshjesh mes Hagës dhe Budapestit për gjendjen e sundimit të ligjit në Hungari.

Turqia nuk ka treguar se kë preferon, por Ankaraja ka problemet e veta me Rutte. Këtu vlen të theksohet mosmarrëveshja që kishte me të pas përpjekjeve turke disa vite më parë për të mbajtur tubime politike në Holandë, që rezultoi me ndalesën që zyrtarët e Turqisë të shkonin në këtë shtet, ndalesë që u vendos nga Haga.

Siç tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë “Turqia dhe Hungaria treguan me pranimin e Suedisë në NATO se ato janë të gatshme të shkojnë shumë larg në mënyrë që të marrin atë që duan”. Pyetja që shtrohet tani është: A është Iohannis ai që këto dy shtete duan?

Konsensusi mes zyrtarëve të NATO-s është se Rutte do të ketë sukses. Është e vështirë që të dalësh kundër “Katërshes”. Për më tepër, në disa qarqe, lëvizja e Iohannisit u duk paksa e dëshpëruar dhe ka pasur shprehje të bezdisë se procesi i përzgjedhjes së NATO-s mund të zgjasë për muaj të tërë. Të tjerët ishin mjaft të hutuar me planin 10-pikësh të Iohannisit – të publikuar në Politico më 13 mars – që përfshinte gjëra që aleanca ushtarake veçse është duke i bërë.

Në Bruksel ka një spekulim se Iohannis, në fakt, nuk dëshiron të fitojë postin më të lartë në NATO, por vetëm po e vendos veten në skenë për të marrë një prej tre posteve të BE-së.

Çështja këtu është se ai i përket PPE-së, sikurse Von der Leyen. Nëse ajo merr udhëheqjen e Komisionit Evropian, ka pak të ngjarë që një kandidat tjetër i PPE-së të marrë një post tjetër të lartë. Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) e qendrës së majtë, ka të ngjarë që të dalë e dyta në zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe të kërkojë të marrë, qoftë udhëheqjen e Këshillit Evropian apo postin e shefit të diplomacisë. Grupi i Liberalëve (Renew) apo ai më konservator dhe euroskeptik, ECR, po ashtu mund të kërkojnë ndonjë prej posteve të larta, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të qershorit.

Shumica e evropianëve lindorë të tjerë që mund të synojnë të marrin poste në BE, janë në PPE. Aty është kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, bullgarja Kristalina Georgieva, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski dhe homologët e tij nga Lituania dhe Letonia, Gabrielius Landsbergis dhe Krisjanis Karins, respektivisht.

Von der Leyen gjerësisht konsiderohet si një presidente e suksesshme e KE-së, veçanërisht për shkak se Ukrainës i ka ofruar ndihmë të shpejtë. Por, disa në Bruksel nuk e preferojnë shumë atë: ka shqetësime se ajo e ka bërë KE-në shumë të fuqishme dhe se ajo e ka udhëhequr këtë institucion me grusht të hekurt, duke mos lënë asnjë komisionar që të dalë në pah.

Pastaj është çështja me Parlamentin Evropian. Kandidati për president të Komisionit duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Parlamentit. Herën e fundit, Von der Leyen, fitoi për tetë vota. Kësaj radhe, mund të jetë edhe më ngushtë.

Ndoshta kjo nënkupton se ka ardhur koha për një kandidat të zgjedhur përmes konsensusit. Dhe ky mund të jetë Iohannis ose dikush tjetër nga pjesa lindore e Evropës.

Raporti i fundit i NATO-s i Stoltenbergut

Më 14 mars, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, prezantoi raportin e tij vjetor për vitin 2023. Ky ishte raporti i fundit për norvegjezin, pasi ai do të largohet nga ky post më vonë gjatë këtij viti. Raporti i referohet vitit 2023 dhe arrin në përfundim se ai ishte “një vit sfidues, por i suksesshëm për aleancën”, me Finlandën që u bo anëtarja e 31-të dhe me Suedinë që ishte në rrugë të mbarë. Suedia u bë anëtarja e 32-të e aleancës më 7 mars 2024.

Sfidat vijnë kryesisht nga Rusia dhe në raport theksohej se “më 2023, Moska vazhdoi luftën brutale të agresionit kundër Ukrainës, duke sjellë dhunë dhe vdekje në zemër të Evropës, teksa njëkohësisht duke kërkuar që të përçajë NATO-n”. Por, në tekst u tha se “duke bërë kështu, Rusia nënvlerësoi vendosmërinë e popullit të Ukrainës dhe unitetin e aleatëve”.

Ndoshta , rreshti më interesant në gjithë raportin prej 172 faqesh është ai që thotë se “nëse Putini fiton, kjo do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm tek udhëheqësit autoritarë në mbarë botën se ata mund të arrijnë objektivat e tyre përmes luftës dhe dhunës. Mbështetja e Ukrainës nuk është bamirësi, por është interesi ynë i sigurisë”.

Këto fjalë ndoshta janë shkruar për politikanët në disa shtete anëtare të NATO-s, të cilët në muajt e fundit kanë vënë në pikëpyetje se pse Perëndimi po e mbështet Kievin si politikisht, ashtu edhe ushtarakisht.

Pyetja kryesore, megjithatë, është se si do të duken raportet NATO-Ukrainë në të ardhmen. Raporti vjetor theksoi reformat kyçe që aleanca bëri më 2023, prej të cilave ka përfituar Ukraina. Për shembull, Komisioni NATO-Ukrainë, që mbikëqyr bashkëpunimin mes Kievit dhe aleancës, u ngrit në nivel të Këshillit. Kjo nënkupton se Ukraina tani mund të thërrasë takime në çdo nivel – në nivel të krerëve të shteteve, në nivel të ministrave apo ambasadorëve – me homologët e saj në NATO.

Plus, në samitin e NATO-s i mbajtur në Vilnius në korrik të vitit 2023, Kievit nuk iu dha Plani i zakonshëm i Veprimit për Anëtarësim (MAP) për t’iu bashkuar NATO-s, që do t’ia bënte rrugën më të lehtë të anëtarësimit. NATO është zotuar se do ta ndihmojë Ukrainën politikisht dhe financiarisht në mënyrë që forcat e saj të armatosura të jenë të ndërveprueshme me trupat e NATO-s, të reformojë institucionet e saj, veçmas Ministrinë e Mbrojtjes, dhe të ndihmojë në rikonstruktimin e shtetit.

Por, a mjaftojnë këto? A mundet Ukraina të presë më shumë gjatë samitit të NATO-s që mbahet në korrik në Uashington?

Në raportin vjetor thjesht theksohet se “aleatët do të jenë në pozitë që t’i bëjnë ftesë Ukrainës që t’i bashkohet aleancës kur ata të pajtohen se janë plotësuar kushtet”. Nga bisedat që REL-i ka pasur me zyrtarët e NATO-s, duket se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh të këtij qëndrimi deri në samitin e korrikut. Motoja e zyrtarëve të aleancës ende është “për aq kohë sa lufta të vazhdojë, do të ketë pak ndryshime në aspektin politik”.

Tani që Finlanda dhe Suedia janë të dyja anëtare, Ukraina është ndoshta shteti që është më afër anëtarësimit. Por, ajo ditë, megjithatë, ka pak të ngjarë të jetë afër.

Për dy shtetet tjera aspiruese, Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, gjuha e përdorur në raportin vjetor nuk është inkurajuese: “Aleatët vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të mbështetur anëtarësimin eventual të Gjeorgjisë. Bosnje e Hercegovina ka vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n, përfshirë edhe përmes Programit të Reformës, pa paragjykim për vendimin përfundimtar mbi anëtarësimin në NATO”.

Përderisa NATO-ja pritet që në Uashington të përsërisë qëndrimin se është e hapur për anëtarë të rinj, ky samit nuk do të jetë koha e as vendi kur aleanca do të pajtohet që t’i pranojë anëtarët e rinj.

Ndoshta pjesa më interesante e raportit ka të bëjë me raportet me Kinën. Për vite me radhë, NATO-ja ka ashpërsuar gjuhën ndaj Pekinit, dhe në raport duke se e ka çuar në një nivel tjetër: “Kina po vëzhgon veprimet tona nga afër. Kina nuk ndan vlera të njëjta me ne, sfidon interesat tona dhe Pekini gjithnjë e më shumë është në linjë me Moskën. Ne do të vazhdojmë të tregtojmë dhe të angazhohemi me Kinën, por ne duhet të menaxhojmë rreziqet dhe të përgatitemi për një konkurrencë të fortë”.

Raporti paralajmëroi se “përderisa lufta në Ukrainë ka demonstruar varësinë e rrezikshme të aleatëve ndaj gazit rus, NATO-ja po punon për të vlerësuar varësinë e mundshme ndaj regjimeve të tjera autoritare në mënyrë që të gjenden zinxhir të qëndrueshëm furnizimi për NATO-n, teknologjinë apo infrastrukturën”.

Raportoi po ashtu përfshiu rezultatet e sondazheve të realizuara më 2023, ku qytetarët e shteteve anëtare të NATO-s u pyetën për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë. Ndoshta, rezultati më i mirë për NATO-n ishte se 77 për qind e të anketuarve në përgjithësi mendonin se shpenzimet për mbrojtje ose duhet të mbahen në nivelet aktuale, ose duhet të rriten. Më 2022, kjo shifër ishte 74 për qind dhe më 2021 ishte 70 për qind.

Përndryshe, ka disa tregues të vegjël, por shqetësues, për aleancën. Më 2023, 73 për qind e të anketuarve në shtetet e NATO-s u pajtuan se aleatët e tjerë duhet të mbrojnë shtetin e tyre në sulmohen. Kjo shifër është më e ulët, krahasuar me vitin paraprak kur ishte 75 për qind. Më 2023, po ashtu 61 për qind e të anketuarve u pajtuan se shteti i tyre duhet të mbrojë aleatët e tjerë në rast të një sulmi, krahasuar me 69 për qind sa ishte më 2022.

Dhe vitin e kaluar, 63 për qind e të anketuarve deklaruan se pushtimi rus i Ukrainës kishte ndikuar në sigurinë e shtetit të tyre. Kjo shifër ishte 64 për qind më 2022. Në mbarë NATO-n, vetëm 22 për qind e të anketuarve deklaruan se ishin të shqetësuar për shpërthimin e një lufte në shtetin e tyre – shqetësimi më i madh i shumicës së njerëzve (58 për qind) ishte kostoja e lartë e jetesës.

Ndoshta pyetja më e rëndësishme është nëse banorët e shteteve të NATO-s do të votonin që të qëndronin në aleancën ushtarake nëse do të kishte një referendum për këtë çështje. Në 30 nga 31 shtetet aleate, shumica thanë se do të qëndronin në aleancë. Mali i Zi këtu bëri përjashtim, me vetëm 46 për qind e të anketuarve që thanë se do të votonin “po” që të qëndronin në aleancë. Vetëm në Shqipëri, 100 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin që të vazhdonin të qëndronin në aleancë.

Çfarë pritet më pas?

Më 20 mars, Komisioni Evropian do të prezantojë atë që e quan “rishikim të politikave dhe të reformave para zgjerimit”. Ky është një ushtrim i brendshëm që shfaq se blloku ka nevojë të ndryshojë në mënyrë që të mirëpresë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor dhe Ukraina. Për këtë dokument do të ketë debate në forume të ndryshme, ku do të diskutohet se si një BE me deri 37 anëtarë do të mund të operonte.

Një ditë më vonë, më 21 mars, udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në Bruksel për një tjetër samit të bllokut. Ata pritet të mbështetin rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e bisedimeve me Bosnje e Hercegovinën. Udhëheqësit po ashtu pritet të vlerësojnë përparimin e bërë nga Ukraina dhe Moldavia drejt anëtarësimit, t’i bëjnë thirrje Komisionit të punojë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Bjellorusisë dhe të nënshkruajnë blerjen e armëve për Ukrainën në vlerë prej 5 miliardë eurosh.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG