Ndërlidhjet

Varhelyi: Këtë vit presim rezultate në katër fusha nga plani i rritjes ekonomike


Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës për media pas samitit të mbajtur në Tiranë më 29 shkurt 2024.
Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës për media pas samitit të mbajtur në Tiranë më 29 shkurt 2024.

Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se në samitin rajonal në Tiranë për planin e Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ka pasur pajtim me liderët ballkanikë që këtë vit të ketë rezultate në katër fusha.

Gjatë konferencës për media pas samitit, Varhelyi tha se e para ka të bëjë me sistemin e pagesave në zonën euro (SEPA). Rishikimi i rregullave për të, komisionari tha se është i lehtë, pasi shumica e bankave që operojnë në rajon, janë banka evropiane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përdori si shembull paratë që dërgon diaspora në vendet e origjinës. Ai tha se me tarifat aktuale, ata paguajnë gjashtë herë më shtrenjtë për transaksionet. Prandaj, sipas tij, ky sistem, do të kursejë para të qytetarëve.

“Plani i ri do të na lejojë që ta çojmë këtë kosto në nivelin e njëjtë të shteteve anëtare, që vetëm me këtë do të kursejmë gjysmë miliardi euro”, tha Rama.

Fusha e dytë, e cila sipas planit të rritjes ekonomike – vlera e të cilit për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro – ka të bëjë me krijimin e korsive të gjelbra. Kjo, sipas Varhelyit, nënkupton që të mos ketë pritje në pikat kufitare në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fusha e tretë, që rajoni së bashku me BE-në pret të japë rezultate këtë vit është puna kërkimore dhe shkencore, që sipas Varhelyit nënkupton sjelljen e brezit të ri të industrive inovative në rajon.

Dhe fusha e katërt, është që të gjitha komunat në rajon, të kenë mundësi të ofrojë rrjet falas të internetit në hapësirat publike.

“Po ashtu diskutuam se çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm”, tha ai, duke shtuar se pret ide nga vendet e rajonit në këtë drejtim.

Gjatë konferencës me zyrtarin e lartë evropian, Rama tha se pavarësisht se aktualisht ka vullnet të mirë, ai tha se “mendësia “ e shteteve të rajonit mund të paraqitet si pengesë në zbatimin e planit të rritjes.

“Pengesa e vetme më e madhe që mund t’i trembemi është mendësia në mesin e shteteve të rajonit sepse siç e thash më parë, ky plan i ri i rritjes se çfarë duhet të bëjmë në planin rajonal është i njëjtë për atë që kemi rënë dakord 10 vjet më parë kur nisëm Procesin e Berlinit”, tha Rama, duke shtuar se po ashtu plani ka ngjashmëri me konceptin e nismës së Ballkanit të Hapur.

Ai paralajmëroi kundër përfshirjes së çështjeve politike dypalëshe në integrimin rajonal dhe evropian.

“Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal dhe plani i ri i rritjes e vulos këtë”, tha ai, theksuar thënë se të gjitha “gjepurat e dëgjuara” për Ballkanin e Hapur – nismë rajonale e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që është kundërshtuar nga Kosova – tani janë ekspozuar si të tilla.

Paraprakisht, gjatë samitit, Varhelyi tha se plani i rritjes ishte ambicioz që mund të mundësojë dyfishimin e gjashtë ekonomive ballkanike në dhjetë vjetët e ardhshëm. Por, ai tha se në mëyrë që plani të jetë funksionalë, shtetet e rajonit duhet të aplikojnë reformat dhe kriteret e kërkuara.

Sipas Varhelyit plani është pjesë e procesit të zgjerimit dhe nënkupton që krahas reformave të bëra nga shtetet aspiruese të rajonit, blloku t’iu ofrojë atyre “të gjitha përfitimet që sjellë anëtarësimi para se shtetet tuaja të bëhen anëtare të BE-së”.

“Jemi në fillimet e ndryshimit shumë rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë në Ballkanim Perëndimor”, theksoi ai.

Ndërkaq, gjatë takimit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se për planin e rritjes shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen pa asnjë rezervë.

“Me planin e rritjes do marrim hapat e nevojshëm për të ecur më pranë njëri-tjetrit dhe BE-së, ose do rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend më pranë BE-së. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqe. Kështu funksionin BE-ja, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor”, tha ai.

Gjatë këtij samiti u nënshkrua marrëveshja për shtëpinë e re të Kolegjit të Evropës që do të hapë dyert në Tiranë këtë vit akademik. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Rama dhe komisionarit Varhelyi.

Viti akademik do të nisë në shtator me 31 studentë, me një program të nivelit master për transformimin dhe integrimin evropian me fokus të veçantë në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. Për këtë kanë aplikuar 241 studentë nga 41 kombësi të ndryshme.

Në samit, përveç Ramës i cili ishte nikoqir, morën pjesë edhe liderët e tjerë rajonalë: presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, "për shkak të angazhimeve të mëparshme", nuk ishte i pranishëm fizikisht në samitin e 29 shkurtit, konfirmoi paraprakisht për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Megjithatë, Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, tha Kryeziu.

Samitit përmes video-lidhjes iu adresohet edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Një samit i ngjashëm për këtë plan u mbajt më 22 janar në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së".

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG