Ndërlidhjet

Shqipëri: Opozita proteston para Kryeministrisë


Tirana: Anti government protest called by Sali Berisha in Tirana.
Tirana: Anti government protest called by Sali Berisha in Tirana.

Qindra qytetarë shqiptarë u tubuan të martën para Kryeministrisë në Tiranë, në protestën e thirrur nga grupimi opozitar “Rithemelimi”, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha iu drejtua protestuesve nga masa e ‘arrestit shtëpiak’ që i nënshtrohet tani, për shkak të hetimeve për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” – rast që dyshohet për korrupsion.

Ai u shfaq përmes një video-linku dhe nisi akuza kundrejt qeverisjes së Ramës.

“Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, një milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.

Ai kritikoi edhe sistemin e drejtësisë, por edhe ndërkombëtarët, duke thënë se “diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria i frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis opozitës.

Sipas tij, 33 vjet pas rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, "sot shqiptarët nuk kanë në shesh bustin e Enverit, por shtatoren e gjallë të diktatorit, Edi Rama.”

Pas fjalimit të Berishës, një pjesë e protestuesve hodhën tymuese drejt forcave policore dhe rrëzuan mburojën metalike të vendosur mes protestuesve dhe policisë.

Situata e tensionuar zgjati disa minuta dhe protestuesit u shpërndanë.

Kësaj proteste iu bashkua edhe Gazmend Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë, një grupim brenda Partisë Demokratike.

Ky fraksion i është bashkuar pak ditë më parë grupimit “Berisha” edhe në mbledhje të përbashkëta, por edhe në protestat që mbahen çdo pasdite pranë banesës së Sali Berishës.

Ndërkaq, protestës nuk i janë bashkuar as përfaqësuesit e asaj që njihet si Partia Demokratike zyrtare.

Rreth 1.000 forca të policisë mbikëqyrën protestën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG