Ndërlidhjet

Qeveria “po e fsheh të vërtetën” për raportet me SHBA-në


Një flamur amerikan në prapavijë të një fotografie të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Një flamur amerikan në prapavijë të një fotografie të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Diplomatët amerikanë po u dërgojnë mesazh qytetarëve të Kosovës që “të mos mashtrohen” nga deklaratat e udhëheqësve të tyre se marrëdhëniet me SHBA-në gjoja nuk janë lëkundur, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, ata po e thonë hapur, “pa gjuhë diplomatike”, se ky partneritet është lëkundur seriozisht.

Një ditë më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se çfarëdo sugjerimi se gjërat midis Kosovës dhe SHBA-së janë në rregull, “nuk është aspak i vërtetë”.

Ai e bëri këtë reagim, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbënguli të kundërtën, edhe pse ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha më 13 shkurt se vendimi i Kosovës për dinarin serb i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si e komenton deklaratën e ambasadorit Hovenier, përkatësisht a e sheh si përgënjeshtrim, por nuk mori përgjigje.

Çka i parapriu deklaratës së Hovenierit?

Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se SHBA-ja “është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb” në Kosovë.

Me këtë valutë, komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia që nga paslufta, më 1999.

O’Brien tha se Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi i saj që “e vë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në”.

Një ditë më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova “nuk ka partner, aleat dhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-ja” - deklaratë që u pasua me reagimin e Hovenierit se çështja e dinarit i ka prekur marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Autoritetet “nuk i përçojnë drejt mesazhet”

Ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, thotë se vetë fakti që Hovenier është dashur të bëjë sqarim publik për të vërtetën mbi raportet Kosovë-SHBA, nënkupton që ajo e vërtetë “i është fshehur publikut nga pala tjetër”, përkatësisht Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, deklaratat e diplomatëve amerikanë, O’Brien dhe Hovenier, janë të qarta dhe tregojnë se situata është shqetësuese.

“Imagjinojeni që ata detyrohen t’i drejtohen drejtpërdrejt opinionit publik në Kosovë, sepse mesazhet e tyre, siç duket, nuk po përçohen drejt përmes zyrtarëve të vendit. Kjo është me të vërtetë shqetësuese”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se reagimet e diplomatëve amerikanë nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e dinarit, por se ndërlidhen edhe me modelin e veprimit të autoriteteve të Kosovës, që, sipas tij, është populist.

Autoritetet janë kritikuar për moskoordinim me aleatët perëndimorë, përpara se ta merrnin vendimin që parasheh përdorimin vetëm të euros në Kosovë.

Por, Kurti ka thënë se ky është vendim i Bankës Qendrore të Kosovës - institucion ky i pavarur.

Sipas Gashit, Qeveria e Kosovës nuk bën t’i lëkundë marrëdhëniet me SHBA-në, aq më pak në një kohë kur bota përballet me kërcënime të sigurisë.

“Mesazhet janë të qarta dhe kambanat bien për ata që kanë vesh”, thotë Gashi.

Diplomatët amerikanë “po flasin troç” për publikun

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se deklarata e Kurtit se partneriteti me SHBA-në nuk është rrezikuar, është “mashtrim”.

“I bie që ti po e mashtron vetëm popullin dhe militantët e pastër partiakë që i ke, sepse nuk mund t’i mashtrosh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për aq kohë sa ato - madje duke e anashkaluar gjuhën diplomatike - po dalin dhe po e thonë troç”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, deklaratat dhe veprimet e Kurtit janë populiste dhe kanë më shumë efekt elektoral pozitiv për të dhe partinë e tij.

Por, sa i përket Kosovës, thotë Demhasaj, “efektet negative janë shumë të mëdha”, pasi vihet në pyetje partneriteti.

Ai shton se nuk ka ndodhur më herët që një ambasador amerikan t’i drejtohet direkt opinionit për t’ia thënë “të vërtetën e SHBA-së në raport me Qeverinë e Kosovës”.

“Neve mund të na duken që janë të parëndësishme, por kur flasim për njërin prej partnerëve kryesorë të çlirimit të Kosovës, të pavarësimit të Kosovës dhe të rrugëtimit dhe zhvillimit demokratik të saj - që është SHBA-ja - mendoj se mund të kemi pasoja”, thotë Demhasaj.

Në të kaluarën, mosbindja e Kurtit ndaj kërkesave të SHBA-së është pasuar me masa të caktuara ndëshkuese. Për shembull, vitin e kaluar, SHBA-ja e ka përjashtuar Kosovën nga një stërvitje e rëndësishme ushtarake, pasi nuk u është bindur kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.

Në rastin aktual, autoritetet në Kosovë thonë se kanë të drejtë në vendimin e tyre për dinarin, aq më tepër kur parashihet edhe me Kushtetutë.

Dinari, që nga paslufta, është përdorur në të gjitha mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka cilësuar ndalimin e tij si përpjekje të autoriteteve kosovare “për t’i dëbuar serbët”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG