Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se “kurrë më parë”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë, të cilën kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi si "ditë të shënuar" në historinë e Shqipërisë.
Duke folur në një konferencë për media me Ramën, Blinken e falënderoi Shqipërinë për rolin e saj në NATO, si dhe për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus.
“Siç e dini, Shqipëria ka qenë nga dita e parë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës. Ishte ndër vendet e para që i dërgoi municion Ukrainës, armë, municion dhe automjete rezistente ndaj minave. Tani është në top 10 vendet për kokë banori që e mbështet Ukrainën ”, tha ai
Prej shkurtit 2022 kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, Shqipëria - anëtare e NATO-s që nga viti 2009 - është rreshtuar me këtë aleancë ushtarake dhe me Bashkimin Evropian në mbështetjen e Ukrainës.
Ajo gjithashtu kanë përkrahur një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe ka ndërmarrë një iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë, përmes OKB-së.
“Përgjatë 15 vjetëve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë për të ruajtur paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO. Muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ne jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj”, tha Blinken.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështetë Shqipërinë në arritjen e reformave në sistemin e drejtësisë, të cilat janë të rëndësishme për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.
“Reformat në drejtësi nuk kanë qenë të lehta, por po tregojnë rezultate të vërteta. Sot u takova me gjykatës dhe prokurorë të lartë që po ndihmojnë në përpjekjet për reforma. Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës. Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po i humbin asetet e tyre. Ky është proces i fuqishëm”, tha Blinken.
Në dhjetor të vitit 2019, Shqipëria e krijoi Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), me qëllim të hetimit të korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin punën e SPAK-ut.
Së fundi është krijuar edhe një ministri e re, ajo për Administratë dhe Anti-Korrupsion, e cila është përgjegjëse për aktivitetet kundër korrupsionit.
Në dhjetor, SPAK-u e vendosi nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion.
Ai dyshohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.
Blinken arriti në Shqipëri të enjten në mëngjes, dhe zhvilloi disa takime me krerë shtetërorë dhe personalitete të tjera, para se të largohej në mbrëmje. Ai u përcoll në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Gjatë vizitës së tij, kryediplomati amerikan falënderoi Shqipërinë për strehimin e afër 2.500 afganëve, që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020.
Ai u takua më herët gjatë ditës me disa prej këtyre familjeve afgane, që po presin të shkojnë në SHBA.
“Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, tha Blinken.
Blinken tha se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri Rama, duke theksuar se ai ka qenë “pranë nesh dhe vështirësitë e kemi tejkaluar së bashku”.
Kryediplomati amerikan vlerësoi lart lidhjet mes popullit amerikan dhe atij shqiptar.
Blinken nisi vizitën në Shqipëri duke takuar stafin e Ambasadës amerikane në Tiranë, dhe është takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.
Gjatë vizitës njëditore, Blinken mori pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri, “e rëndësishme për gjithë rajonin”
Vizita e kryediplomatit amerikan po vlerësohet nga njohës të diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për ish-ministrin e Mbrojtjes në Shqipëri, Fatmir Mediu, vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, nuk është e rëndësishme vetëm për Tiranën, por për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh kontekstin e të gjitha problemeve të sigurisë, në mënyrë të veçantë me zhvillimet në Ukrainë, por edhe në Ballkan, shqetësimin e shprehur edhe nga ish-presidenti Bill Clinton, për mundësinë e zhvendosjes së një konflikti në rajonin e Ballkanit. [Është vizitë e rëndësishme për shkak të] problemeve të rajonit të shprehura edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s [Jens Stoltenberg], dhe këto e bëjnë këtë vizitë të rëndësishme në kohë dhe në problematikë, aq më tepër që pas Tiranës shkon në Munih, ku në fokus do të jenë edhe problemet e Ballkanit”, tha Mediu për Radion Evropa e Lirë.
Shqipëria po përgatitet që në fund të muajit shkurt të organizojë një samit për mbështetjen e Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin rus, dhe Mediu tha se kjo vizitë merr rëndësi të veçantë edhe në këtë kontekst.
Vizita e Blinken në Tiranë është përshëndetur nga opozita, por në heshtje është lënë nga grupimi i “Rithemelimit” brenda Partisë Demokratike, ku bëjnë pjesë deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “non grata” nga SHBA-ja, gjatë mandatit të Blinkenit.
Mediu paralajmëroi kundër shpërdorimit të kësaj vizite për qëllime politike nga cilado parti.
“Amerika e ka përcaktuar Shqipërinë si partnere strategjike, pavarësisht kush është në qeveri sot apo nesër”, tha ai.
Ndërkaq, për ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtar në Shqipëri, Dritan Hoti, vizita e Blinkenit ka rëndësi në disa dimensione, si në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare, në atë të sigurisë në rajon, por edhe për investimet e SHBA-së në fushën e gjyqësorit.
Ai tha se kjo vizitë historike për nga përmbajtja, por po ashtu duhet të shihet edhe si një shfaqje e diplomacisë realiste.
“Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, sot në Tiranë kombinon disa elemente në vetvete. E para ka të bëjë me dimensionin strategjik, duke qenë se është shefi i diplomacisë së një superfuqie më të fortë, ende më të fortë në glob, dhe ne po jetojmë në një kohë kur sistemi ndërkombëtar nuk po ndërton dot, nuk po krijohet dot një legjitimitet ndërmjet rajoneve të ndryshme të botës që do t’i jepte një ekuilibër - madje si rrjedhojë e luftës Rusi-Ukrainë tendencat fragmentarizuese, rivalizuese në rajone të caktuara të botës edhe janë përshpejtuar dhe janë përthelluar - diplomacia amerikane, pra si pjesë të strategjisë së saj po projekton ndërtimin e kordonëve të Aleancës në këto rajone të ndryshme të globit”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Blinken po viziton Shqipërinë një vend proamerikan, që luan rol “ekuilibrues paqësor” sa i përket raporteve ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vizitë e kryediplomatit amerikan është pjesë e skemës së diplomacisë së Uashingtonit, që sipas Hotit, nënkupton evoluimin e raporteve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Vizita e Blinkenit ngërthen, kombinon, elementin strategjik por ndërlidhet edhe me rëndësinë specifike që Shtetet e Bashkuara i bënë Shqipërisë, faktorit shqiptar në këtë rajon të Mesdheut”, tha ai.
Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.
Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.