Ndërlidhjet

Brush: Vetëperceptimi i Vuçiqit si president i ‘botës serbe’ nuk i kontribuon dialogut


 Jennifer Brush, ish-zëvendësshefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Jennifer Brush, ish-zëvendësshefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Ish-diplomatja amerikane, Jennifer Brush, e cila më herët ka shërbyer si zëvendësshefe e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nuk është optimiste se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë duan zgjidhje në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo thotë se, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “e sheh veten si president të ‘botës serbe’, ai nuk mund të jetë negociator i ndershëm në asnjë tryezë”.

“Sa i përket [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një rund të ri zgjedhjesh së shpejti”, thotë Brush.

Brush, e cila ka shërbyer edhe si zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Beograd, thotë se Perëndimi duhet ta rrisë më tepër presionin mbi Serbinë, sepse, sipas saj, është Serbia ajo që mund të bëjë më shumë për të destabilizuar rajonin dhe jo Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Ju ishit me mision në Kosovë rreth një dekadë më parë. Këtë javë, Kosova shënon 16 vjet nga shpallja e pavarësisë. Si ju duket Kosova sot? A ka ndryshuar nga koha kur ju keni qenë atje?

Jeniffer Brush: Kam qenë në Beograd kur Kosova e ka shpallur pavarësinë. Turmat i kanë vënë flakën ambasadës sonë dhe një person është vrarë. Marinsat tanë janë mobilizuar për të mbrojtur ambasadën, popullin tonë. Pushtimi i ambasadës së dikujt tjetër është një incident shumë i rëndë diplomatik.

Dhe, natyrisht, personat që ia kanë vënë flakën, nuk janë kapur ende, edhe pse unë e kam bërë të qartë në kabllogramet e mia të raportimit nga Beogradi dhe në intervistat më pas, se ne e dimë se kush e ka bërë atë. Pra, kjo ka qenë përvoja ime e parë me pavarësinë e Kosovës.

Nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra, shoqëria e Kosovës ka ndryshuar, roli i grave ka ndryshuar, dy gra janë bërë presidente, shumë gra kanë marrë pozita udhëheqëse. Keni zgjedhje demokratike, parlament funksional, gjykatë të lartë funksionale. Do të mund të ishte edhe më mirë. Ka ende korrupsion - këtë e dimë dhe të gjithë përpiqemi ta luftojmë. Por, që nga bombardimet e NATO-s [që i kanë dhënë fund luftës më 1999], Kosova është rritur si demokraci dhe kjo duhet të na impresionojë.

Radio Evropa e Lirë: Në vitet e fundit kemi parë që Qeveria e tanishme ka ndërmarrë hapa të ndryshëm në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. A mendoni se kjo zonë është tani më shumë nën kontroll të autoriteteve kosovare?

Jennifer Brush: Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Do të doja të ishte, sepse ashtu të gjithë do të ishin në një pozitë më të mirë. Do të doja që Kosova të kishte më shumë kontroll.

Por, a ka Serbia kontroll mbi veriun? E, kush e kontrollon Serbinë? A është interes i Rusisë për ta mbajtur situatën të paqëndrueshme? Unë do të thosha: po. Pse? Për të na destabilizuar neve, Perëndimin.

Radio Evropa e Lirë: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më shumë se një dekadë më parë. Disa marrëveshje janë arritur, por duket se dy vendet nuk janë ende në të njëjtën vijë. Sa mund të zgjasë kjo sjellje e tyre?

Jennifer Brush: Për mua nuk është aspak e qartë nëse palët janë të interesuara për zgjidhje. Të mos harrojmë se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka qenë zëdhënës i Millosheviqit. Ai do që ta mbajë Kosovën kështu siç është. Nëse e përcillni shtypin në gjuhën serbe, Kosova është pjesë e ‘botës serbe’[v.j. ‘bota serbe’ e ka burimin tek ideologjia nacionaliste serbe, e cila synon krijimin e një shteti serb me përfshirje të të gjithë serbëve në Ballkan].

Derisa Vuçiq mendon se nuk është vetëm president i Serbisë, por i kësaj ‘bote serbe’, unë nuk e shoh atë si negociator të ndershëm në asnjë tryezë.

Unë e di se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se ai është personi që mund të bëjë marrëveshje, sepse e ka mbështetjen e popullit dhe kushdo që është më i dobët se ai, nuk do të ishte në gjendje ta vuloste marrëveshjen. Por, unë nuk pajtohem. Ashtu, edhe shumica e vëzhguesve ndërkombëtarë besojnë se zgjedhjet parlamentare në Serbi nuk kanë qenë të ndershme.

Vuçiq mendon se është një Tito i ri, me idenë e të ulurit në tri karrige - edhe neutral, edhe në rrugë drejt BE-së, edhe me marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Kjo mund të ketë funksionuar në vitet ’40 apo ’50, por nuk mendoj se në botën tonë aktuale funksionon si politikë e qëndrueshme.

Sa i përket [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, ai nuk është zgjedhur për të bërë marrëveshje me Serbinë; ai është zgjedhur për të luftuar për Kosovën. Ai ka obligime ndaj elektoratit të tij dhe do të shkojë në një rund të ri zgjedhjesh së shpejti.

Marrëveshja për të do të thoshte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E di se i janë prezantuar modele të ndryshme. Por, kjo situatë mund të përshkruhet në këtë mënyrë: “cila është më e vjetër - pula apo veza”, pra ta formojë njëherë Asociacionin dhe pastaj të kërkojë njohje nga Serbia, apo ta sigurojë njohjen dhe pastaj ta themelojë Asociacionin. Gjëegjëza e pulës dhe vezës nuk është zgjidhur kurrë. Kështu që, nuk e di se çfarë mund të presim nga ky dialog me këta lojtarë.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Asociacionin. Është një nga çështjet më të diskutuara edhe tash, edhe në kohën kur ju keni qenë në Kosovë. Si e shihni ju funksionimin e këtij organi brenda Kosovës?

Jennifer Brush: Mendoj se të tjerë njerëz mund të kenë më shumë vizion për këtë çështje. Duhet pasur më shumë vullnet seç ka tani që ai trup të funksionojë. Por, serbët janë pjesë përbërëse e Kosovës dhe duhet të ketë një lloj strukture që i mbron të drejtat e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Po si e komentoni vendimin e autoriteteve të Kosovës që e ndalon dinarin serb në Kosovë?

Jennifer Brush: Ka logjikë prapa tij. Asnjë vend nuk do që njerëzit të përdorin diçka tjetër, jashtë valutës zyrtare. Është pjesë e të qenët shtet sovran. Kështu që unë e kuptoj plotësisht dëshirën për të eliminuar dinarin ose për të kontrolluar qarkullimin e tij. Kurti nuk po u kërkon serbëve të përdorin një monedhë që nuk e kanë. Ata [Serbia] kanë euro, ne e shohim sa euro kanë shpenzuar për armë nga Rusia dhe Kina.

Pra, nuk mendoj se euroja është problemi. Është natyra e njëanshme e vendimit, që nuk është dhënë paralajmërim më i gjatë dhe që nuk ka pasur diskutime për mënyrën se si do të funksionojë.

Po ashtu, Kosova nuk i ka konsultuar miqtë e saj. Gjëja e fundit që ata duan, është të befasohen nga diçka kaq domethënëse. Marrja e vendimit njëanshëm nuk e ndihmon zbatimin e tij, e bën më të vështirë.

Unë nuk mendoj se ka qenë ide e keqe, por mënyra se si është trajtuar, ka krijuar mosbesim. Ajo që tani i duhet Qeverisë së Kosovës, është besimi i qeverive të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ky vendim mund të ndikojë në cilësinë e marrëdhënieve me SHBA-në. A prisni ndonjë masë nga SHBA-ja, marrë parasysh se mosbindja e Kurtit në të kaluarën është pasuar me masa të caktuara...

Jennifer Brush: Unë mendoj se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje Beogradit dhe Vuçiqit, sepse Kurti mund të bëjë shumë pak brenda kufijve të Kosovës për të destabilizuar rajonin, ndërsa Serbia mund të bëjë shumë. Dhe, duket se po bën, duke e inkurajuar [udhëheqësin e Republikës Sërpska] Milorad Dodik [me ide secesioniste] dhe duke mbajtur miqësi me rusët.

Sikur të isha politikëbërëse - gjë që nuk jam më - do të shpenzoja shumë më tepër kohë duke u fokusuar te Vuçiqi, Serbia dhe veprimet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh se në SHBA është vit zgjedhor, si e shihni qëndrimin e ardhshëm të administratës amerikane ndaj Kosovës? Çka mund të ndryshojë?

Jennifer Brush: Ju kujtohet [ambasadori amerikan, Richard] Grenell, i cili ka krijuar një pistë të dyfishtë negociatash [mes Kosovës dhe Serbisë], nga të cilat dilnin mesazhe kontradiktore. Ai ka qenë në administratën e [ish-presidentit amerikan, Donald] Trumpit [i cili garon sërish për president]. Qasja e tij ka qenë e padobishme. Nuk mund të keni një mesazh nga Amerika dhe një nga BE-ja.

Nën presidentin e tanishëm, Joe Biden [i cili kandidon për rizgjedhje], BE-ja dhe SHBA-ja kanë punuar shumë ngushtë së bashku për të pasur një mesazh. Mendoj se kjo është e rëndësishme si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë që ta dinë se SHBA-ja dhe BE-ja janë bashkë.

Nëse Biden mbetet president, kjo do të vazhdojë të jetë kështu. Por, Trump... unë nuk mendoj se do të mund ta gjejë Ballkanin në hartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG