Ndërlidhjet

Gjimnastika semantike e BE-së që ndihmoi zhbllokimin e ndihmës për Ukrainën


Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke biseduar me kryeministrin sllovak, Robert Fico, gjatë takimit në samitin e BE-së në Bruksel më 1 shkurt 2024.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, duke biseduar me kryeministrin sllovak, Robert Fico, gjatë takimit në samitin e BE-së në Bruksel më 1 shkurt 2024.

Në fund, për befasi, gjithçka u krye shpejt dhe pa dhimbje: kishte unanimitet në mesin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian edhe para mesditës së 1 shkurtit që blloku të ndante për Ukrainën 50 miliardë euro grante dhe hua për katër vjetët e ardhshëm.

Një sinjal i rëndësishëm përderisa Kongresi amerikan deri më tani ka dështuar që të pajtohet për fonde shtesë për Ukrainën dhe Kievi ka lënë të kuptohet se së shpejti do të mbesë pa para.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në mënyrë spektakolare kishte vendosur veto ndaj marrëveshjes, gjatë samitit në Bruksel të mbajtur në dhjetor. Në pamje të parë, duket se ai humbi këtë herë, duke nënvlerësuar vendosmërinë e 26 shteteve të tjera anëtare dhe duke përfituar pak prej këtij samiti.

Ai nuk arriti që të bindte BE-në që të mund të vendosë veto vjetore për paratë për Ukrainën për ndarjet buxhetore midis viteve 2024 dhe 2027, ai po ashtu nuk arriti të merrte fondet e destinuara për Budapestin që Komisioni Evropian i ka ngrirë për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në Hungari.

Orban po ashtu nuk arriti të bindte BE-në për zgjatje në mënyrë që të siguronte disa prej këtyre fondeve në të ardhmen. Paratë e BE-së do të nisin të shkojnë në Ukrainë në mars. Ky artikull hedh një vështrim mbi këtë çështje, e cila nuk është aq bardhë e zi sa mund të duket në pamje të parë.

Mënyra më e lehtë për të analizuar konkluzionet e samitit të BE-së, për të cilët udhëheqësit u pajtuan mëngjesin e 1 shkurtit. Pas disa diskutimeve intensive gjatë një darke joformale të disa prej udhëheqësve, që u mbajt një natë më herët në Bruksel, disa grupe më të vogla u takuan pas darkës dhe konsultime më të gjera u mbajtën mëngjesin para se të niste samiti.

Ishin dy paragrafë që ishin thelbësorë për arritjen e unitetit, pas kontributeve kyçe të bëra nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Këta janë tre liderë që Orbani ka raporte të ngushta, thanë disa burime që kanë njohuri për bisedimet e zhvilluara.

Në paragrafin e parë nga këta dy paragrafë shkruante se “në bazë të raportit vjetor të Komisionit për zbatimin e ndihmës për Ukrainën, Këshilli Evropian do të mbajë një debat çdo vit mbi zbatimin e ndihmës me synim që të ofrojë udhëzime. Nëse është e nevojshme, pas dy vjetësh Këshilli Evropian do të ftojë Komisionin që të bëjë një propozim për rishikimin e kontekstit për një MFF të re [korniza multifinaciare – buxheti afatgjatë i BE-së]”.

Ky paragraf qartësisht tregon se Hungarisë nuk iu plotësua kërkesa për të vendosur veto vjetore. Raporti vjetor nuk ka veto, as debati vjetor mes udhëheqësve të Këshillit Evropian. Fjalia e fundit lidhur me rishikimin është po ashtu interesante. Në mënyrë që të bëhet një rishikim, të 27 shtetet anëtare duhet të pajtohen për një gjë të tillë. Prandaj, disa nga miqtë më të mirë të Ukrainës, sikurse shtetet e Baltikut, thjesht mund të parandalojnë një rishikim të tillë, nëse mendoj se ai nuk është i nevojshëm. Pastaj, interesante është edhe vetë fjala “rishikim”.

A nënkupton kjo vërtetë një veto? Ndoshta Hungaria mund ta interpretojë këtë si veto dhe të tjerët jo. BE-ja është eksperte në gjimnastikë semantike kur dëshiron të arrijë një kompromis. Thjesht, gjërat kanë kuptime të ndryshme për shtetet e ndryshme.

Si një anekdotë për ta ilustruar këtë, disa diplomatë përmendën marrëveshjen që BE-ja arriti në fund të vitit 2022 për çmimin tavan për naftën ruse. Atëbotë, ky çmim u vendos të ishte 60 dollarë dhe shumë shtete anëtare kërkonin që çmimi tavan të ishte shumë më i ulët, por ata e miratuan vendimin me premtimin se për këtë çështje do të kishte një rishikim çdo dy muaj.

Këto shtete pranuan me mendimin se rishikimi nënkuptonte se do të kishte negociata normale – me mundësinë edhe të përdorimit të vetos – në mënyrë që çmimi tavan të ulej edhe më shumë. Kjo nuk ndodhi dhe sot e kësaj dite çmimi tavan është 60 dollarë amerikanë. Rishikimi për këtë çështje nënkuptoi vetëm përditësime të rregullta për çështjen dhe asgjë më shumë.

Pra, paragrafi duket se nuk i ofron shumë përfitime Hungarisë. Por, më pas është paragrafi i dytë me një fjali të vetme, që është përfshirë në konkluzionet prej 12 faqesh të samitit. Aty thuhet se “Këshilli Evropian rikujton konkluzat e saj të dhjetorit të vitit 2022 mbi zbatimin e mekanizmit të kushtëzimit”. Kjo është një fjali shumë e paqartë që lë të hapur mundësinë e interpretimeve. Mekanizmi i kushtëzimit ishte ndryshimi vetëm për të cilin u pajtuan për buxhetin e vitit 2020-2027 për të mbajtur paratë për shtetet anëtare nëse do të kishte frikë se paratë do të keqpërdoreshin – pikërisht ajo që Komisioni Evropian ka bërë në rastin e Hungarisë.

Tani, kjo si duhet të lexohet? Dikush mund ta lexojë si një aluzion nga shtetet anëtare për Komisionin që të zhbllokojë disa mjete prej fondit 10 miliardë eurosh për Hungarinë. Ose të paktën mund të interpretohet si një kërkesë kyçe që Hungaria duhet ta përmbushë me qëllim që të marrë paratë në mënyrë pak më të lehtë? Ose mund të nënkuptojë që mekanizmi i kushtëzimit duhet të përdoret më shumë në të ardhmen? Nuk përjashtohet mundësia që fondet të zhbllokohen për Hungarinë gjatë pranverës, veçmas pasi që Parlamenti Evropian, që është një prej institucioneve më kritike të Orbanit, shpejt do të kalojë nga punët legjislative në proces zgjedhor, pasi zgjedhjet evropiane të qershorit po afrohen. Vëmendja thjesht do të zhvendoset diku tjetër.

Dhe pastaj ka gjëra që mbesin të pashkruara. Nuk ka ende dëshmi konkrete për të vërtetuar asgjë, procesi i zgjerimit të Ukrainës mund të ngadalësohet edhe më shumë – diçka që Budapesti është interesuar që të ndodhë. Mund të jetë që konferenca ndërqeveritare për Ukrainën, që do të shënonte hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, nuk do të ndodhë në mars, siç shpreson Kievi, por pas zgjedhjeve parlamentare, pra në verë apo vjeshtë.

Më pas është edhe çështja e marrëdhënieve me publikun. Shembull, nëse dëgjoni deklarimet e bëra nga udhëheqësit para se të hynin në samit, dy fjalët më të përdorura nga ta ishin “Viktor” dhe “Orban”. Viktori shpalli fitore duke thënë “fondet e Hungarisë nuk do të përfundojnë në Ukrainë dhe ne do të kemi një mekanizëm të kontrollit në fund të vitit të parë dhe të dytë”.

Mesazhi mund të jetë tërheqës për shumë evropianë, jo vetëm për hungarezët. Në ditën e njëjtë kur u mbajt samiti, mijëra fermerë protestuan në kryeqytetin e BE-së kundër rritjes së kostos së prodhimit dhe për probleme të tjera. Kjo tregon se sa të rëndësishme janë zgjedhjet në BE, të cilat do të mbahen më vonë gjatë vitit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG