Ndërlidhjet

Prej censurës në solidaritet: Pasojat befasuese të ligjit hungarez për LGBT-në


Ekspozita me fotografi të Claudia Andujarit në Muzeun e Etnologjisë në Budapest, e cila është hapur në shtator të vitit 2023. Për shkak se shpërfaq homoseksualitet, para fotografive është vendosur ndalesë, që të miturit të mos e lexojnë përmbajtjen.
Ekspozita me fotografi të Claudia Andujarit në Muzeun e Etnologjisë në Budapest, e cila është hapur në shtator të vitit 2023. Për shkak se shpërfaq homoseksualitet, para fotografive është vendosur ndalesë, që të miturit të mos e lexojnë përmbajtjen.

Si fotograf amator, Peteri ka dëshiruar të vizitojë ekspozitën me fotografi të Claudia Andujarit në Muzuen e Etnografisë në Budapest, prej hapjes së saj në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ende nuk ka mundur as t’i afrohet.

Mirëpo kur 70-vjeçari – i cili ka preferuar të identifikohet vetëm me emër, për shkaqe privatësie – ka dëgjuar se disa fotografi të artistes braziliane janë fshehur në një qoshe të objektit, ai e ka ditur se i duhet patjetër që të shkojë.

Në sallën e madhe të ekspozitës, fotografia, e konsideruar me motive ofenduese, është shfaqur, mirëpo ka qenë e rrethuar.

Kjo fotografi e Andujarit është e vitit 1967, e titulluar Homoseksualiteti.

Në të shihen dy figura të meshkujve, me dorën e njërit afër krahut të tjetrit.

Në ndalesën e vënë afër fotografisë është vendosur paralajmërimi që të mos i afrohet askush.

Piktura ka rënë në kundërshtim me ligjin kontrovers të Hungarisë për “mbrojtje të fëmijëve”, i cili është kritikuar gjerësisht, pasi është konsideruar diskriminues, që kufizon liritë e shprehjes dhe shënjestron komunitetin LGBT (homoseksual, biseksual, transgjinor, ndërgjinor).

I miratuar më 2021 nga Qeveria e krahut të djathtë, e kryeministrit Viktor Orban, ligji kufizon qasjen e të miturve në libra, filma, dhe produkte tjera kulturore që “promovojnë apo portretizojnë devijim prej identitetit gjinor që lidhet me gjininë, apo që lidhet me ndryshim të gjinisë apo homoseksualitet”.

Ligji, po ashtu, kufizon lëndën e edukimit seksual nëpër shkolla, pasi vetëm instruktorët e licencuar mund të ligjërojnë në këtë lëndë.

Fotografitë me temën Homoseksualiteti janë ndarë anash prej fotografive tjera, dhe askush nuk ka mundur t’iu afrohet, nën arsyetimet për zbatim të ligjit për “mbrojtje të fëmijëve”.
Fotografitë me temën Homoseksualiteti janë ndarë anash prej fotografive tjera, dhe askush nuk ka mundur t’iu afrohet, nën arsyetimet për zbatim të ligjit për “mbrojtje të fëmijëve”.

Megjithatë, ka shenja që legjislacioni ri, i cili, sipas mbështetësve mbron fëmijët dhe integritetin e familjes tradicionale, mund të ketë dështuar.

Prej nisjes së zbatimit të ligjit, jo vetëm që njerëzit në Hungari janë më kuriozë për çështje të identitetit gjinor, por edhe mbështetja publike për komunitetin LGBT dhe interesimi në artin dhe kulturën me këtë komunitet, është rritur.

Pas hapjes më 2022, ndërtesa e Muzeut të ri të Etnologjisë, është qëndisur me simbole hungareze dhe është e rrethuar me flamuj hungarezë.

Një kompani, që është në pronësi të mikut të Orbanit, e ka ndërtuar muzeun.

Projekti është kritikuar për shkak të kostos së madhe të ndërtimit dhe vonesave të shumta.

Muzeu nuk është i fokusuar në Hungari apo në hungarezët, dhe në ekspozitat që mbahen, paraqiten artefakte, manuskripte, dhe fotografi prej gjithë botës.

Arsyeja e vendosjes së ndalesës nuk ka pasur të bëjë me fotografinë, ka thënë një punëtor në muze, i cili është deklaruar në kushte anonime.

Arsye ka qenë titulli, Homoseksualiteti, që është shfaqur në mur. (Qoftë fëmijë, apo i rritur, secili ka mundësi të shohë fotografinë dhe titullin dhe prej jashtë ndalesës).

Kritikët e kanë akuzuar Orbanin dhe partinë në pushtet Fidesz, për shkatërrim të institucioneve demokratike, minim të pavarësisë së gjyqësorit, marrje të kontrollit të mediave dhe për qasje antagoniste drejt migrantëve myslimanë, dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT, gjatë më shumë se një dekade në pushtet.

Në vjetët e fundit, Hungaria ka miratuar ligje që janë konsideruar homofobike dhe transfobike.

Këto dy ligje shërbejnë de facto si ndalesë për adoptim të një fëmije prej personave të gjinisë së njëjtë, prej dhjetorit të vitit 2020, dhe për tërheqje të njohjes ligjore për individët transgjinorë, prej majit të vitit 2020.

Për Peterin, censura në galeri nuk ka pasur asnjë kuptim.

Në Hungari, mosha minimale për martesë është 16 vjet, ka thënë ai.

“Megjithatë, një 18-vjeçari nuk i lejohet që të lexojë fjalën homoseksualitet?” pyet ai.

Ai ka qenë një prej shumë personave që e kanë vizituar ekspozitën në kryeqytet, disa prej të cilëve ndoshta edhe nuk do të shkonin, por janë intriguar apo inspiruar pas mbulimit që i kanë bërë mediat vendimit për censurë.

Stafi i muzeut ka thënë se është dashur të kthejnë mbrapsht të paktën një familje që ka dashur të shohë fotografinë, pasi e kanë pasur një vajze të mitur.

As që u ka interesuar, kanë thënë familjarët për Radion Evropa e Lirë, mirëpo stafi nuk ka dashur të hyjë në telashe, nëse dikush e fotografon një vajzë të mitur përballë fotografisë.

Ekspozita ka qenë sërish në qendër të vëmendjes, kur të rinj prej Frontit të Bashkuar Studentor, grup progresiv studentësh, kanë mbajtur një protestë në muze, duke thënë se Qeveria është duke ua marrë prindërve të drejtën për t’i edukuar fëmijët e tyre.

Noel Perlaki-Borsos, një 19-vjeçar i shkollës së mesme, që bashkëudhëheq Frontin e Bashkuar Studentor, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “kufizimet e reja minojnë të drejtën e një të riu për edukim”, duke iu referuar Kushtetutës së Hungarisë.

Ai është gjobitur për organizim të një proteste me 17 persona, pa e njoftuar policinë.

‘I mbrojtur’ me plastikë

Lëkundjet e para të ligjit, që daton prej vitit 2021, i njohur zyrtarisht si Akti LXXIX, dhe disa ndryshime ligjore në fushën për mbrojtje të fëmijëve, janë ndjerë në korrik të vitit 2023, kur librat që kanë pasur karaktere me komunitetin LGBT, janë hequr prej librarive, apo kanë mundur të shiten vetëm nëse janë mbështjellë me plastikë.

Njerëzit e kanë kritikuar ligjin nëpër platforma online, kanë publikuar fotografi të librave të fëmijërisë, të mbuluara me plastikë.

Pronari i njërit prej rrjeteve më të mëdha të librarive në Hungari, Grupit Lira, është dënuar me 36.000 dollarë, pse nuk i ka mbuluar librat e serisë Alice Oseman, në të cilat përshkruhet romanca në rritje mes dy adoleshentëve.

Librat me karaktere të lidhura me komunitetin LGBT, të mbështjella në plastikë, në një librari. Korrik, 2023.
Librat me karaktere të lidhura me komunitetin LGBT, të mbështjella në plastikë, në një librari. Korrik, 2023.

Kjo gjobë i ka detyruar kompanitë votuese që t’i mbështjellin librat që mund të konsideroheshin me përmbajtje ofenduese.

Pak ditë pasi Lira është gjobitur dhe janë shfaqur librat e mbështjellë me plastikë, mijëra persona kanë marshuar në Paradën e Krenarisë në Budapest.

“A do të më mbështillni edhe mua në plastikë?” ka pyetur njëri prej marshuesve.

“Është shumë e dëmshme”, ka thënë autori hungarez dhe regjisori Krisztian Marton për idenë e mbështjelljes së librave.

“Stigmatizon autorët dhe librat, por edhe lexuesit që do të kishin qasje në diçka që reflekton me ta, që mund t’i udhëzojë, apo t’ju shërbejë si strehë”.

Libri i tij, Whiner, është publikuar në tetor të vitit 2023 dhe tregon historinë e Marcit, një homoseksual me ngjyrë, që është rritur në një qytezë hungareze.

Nuk është histori shumë e ndryshme prej historisë së Martonit, një burri homoseksual që është rritur në qytetin Szeget, dhe është djalë i nënës hungareze dhe babait afrikano-amerikan.

Whiner mund të blihet në librarinë Lira, mirëpo gjendet te librat për personat mbi 18 vjeç.

“Ka qenë e çuditshme. Nuk do të duhej të ishte aty”, ka thënë Marton për Radion Evropa e Lirë, përmes telefonit.

“Megjithatë, të paktën është aty, nuk është i mbështjellë në plastikë”.

Një tjetër valë në këtë temë është regjistruar në tetor të vitit 2023, kur Qeveria ua ka ndaluar të miturve, qoftë edhe nëse kanë pasur miratimin e prindërve, për të vizituar një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Hungarisë - me fotografitë më të mira në botë - për shkak të fotografive ku shihen pjesëtarë të komunitetit LGBT.

Për këtë vendim ka pasur ankesa në Ministrinë e Kulturës prej deputetes parlamentare të krahut të djathtë, Dora Duro, e cila ka qenë kundër shfaqjes së fotografive me persona të moshuar të komunitetit LGBT në Filipine.

Drejtori i Institutit, Laszlo Simon, është kritikuar ashpër, pasi ka publikuar fotografi që kanë treguar turma njerëzish duke pritur për të hyrë në muze.

Disa ditë më vonë, më 6 nëntor të vitit 2023, ai ka njoftuar në Facebook, se është shkarkuar prej pozitës për “sabotim” të ligjit për “mbrojtje të fëmijëve”.

Rritje të mbështetjes për komunitetin LGBT

Çështjet gjinore dhe ato të identitetit seksual mund të kenë përfituar nga ligji kundër komunitetit LGBT, ndonëse është synuar e kundërta.

Të dhënat e fundit prej sondazheve publike tregojnë për rritje të përkrahjes për komunitetin LGBT në Hungari.

Sipas sondazhit të vitit 2023 nga Ipsos, 67 për qind e hungarezëve mbështesin njohjen ligjore të lidhjeve mes personave të gjinisë së njëjtë, në krahasim me vetëm 54 për qind më 2015.

Sipas kësaj kompanie ndërkombëtare për kërkime, përqindja e atyre që kundërshtojnë martesat mes homoseksualëve është zvogëluar në periudhë tetëvjeçare, prej 24 për qind, sa ka qenë, në 16 për qind.

Pamje nga Parada e Krenarisë në Budapest. Korrik, 2021.
Pamje nga Parada e Krenarisë në Budapest. Korrik, 2021.

Në një sondazh të vitit 2021, agjencia ndërkombëtare, Amnesty International, ka gjetur se 73 për qind e hungarezëve nuk pajtohen me argumentin e Qeverisë që homoseksualët janë të dëmshëm për fëmijët dhe 75 për qind besojnë se “personat transgjinorë duhet të kenë mundësi ligjore që të ndërrojnë gjininë dhe emrin në dokumentet zyrtare”.

Paradat e Krenarë vazhdojnë të rriten.

Sipas organizatorëve, 35.000 njerëz kanë marshuar në Paradën në Budapest në korrik të vitit 2023.

Prej vitit 2021, janë mbajtur parada të tilla edhe në Pecs, qytet me 140.000 banorë. Mbi 500 persona kanë marrë në paradën e shtatorit të vitit të kaluar.

‘Më shumë marrim mbështetje sesa kritika’

Shumë hungarezë janë thjesht kuriozë për përmbajtjen që është ndaluar apo censuruar.

Historiani hungarezo-italian, Stefano Bottoni, ka qenë njëri prej atyre që i ka marrë dy fëmijët e tij të mitur në ekspozitën ku janë shfaqur disa prej fotografive më të mira në botë.

Ai i ka thënë Shërbimit hungarez të Radios Evropa e Lirë, se ai i ka marrë për të kuptuar nëse do t’i lejojnë të hyjnë brenda.

“Gruaja në ekspozitë më ka shikuar dhe më ka pyetur nëse jam i vetëdijshëm që ata mund të hyjnë vetëm me pëlqim prindëror”, ka thënë ai.

Bottoni ka thënë se nuk ka qenë edhe aq i interesuar që fëmijët e tij të shihnin fotografinë e një gruaje shtatzënë, që ka qenë duke e mbajtur barkun e saj, teksa është përgjakur nga sulmi me bombë në spitalin e maternitetit në Mariupol të Ukrainës.

Mirëpo, ai ka thënë se nuk i ka penguar që i kanë parë fotografitë me persona të moshuar të komunitetit LGBT në Filipine, të cilët kanë jetuar së bashku dhe janë kujdesur për njëri-tjetrin në pleqëri.

“Është shaka goxha e keqe të mendosh që secili mund të lëndohet duke e parë jetën e personave homoseksualë në shtëpinë e kujdesit Manila. Ua kam sqaruar fëmijëve të mi që këta persona jetojnë vetëm, në varfëri, dhe shtëpia e kujdesit është bërë që ata të jenë më të lumtur dhe të kalojnë kohë të mirë”, ka thënë Bottoni.

Sipas një pjesëtari të stafit të Muzeut të Etnografisë, fotografia e Claudia Andujarit, Homoseksualiteti, është mbyllur, pas kritikave publike për ekspozitën paraprake me fotografitë më të mira në botë.

Muzeu i Etnografisë në Budapest.
Muzeu i Etnografisë në Budapest.

“Ndoshta Muzeu i Etnografisë, është frikësuar që Dora Duro do të shkonte në ekspozitë”, ka thënë Johanna Majercsik, zyrtare për media në organizatën Parada e Krenarisë në Budapest.

Të jesh transgjinor apo homosekaul, nuk është e lehtë në Hungari, pasi ka incidente të shumta dhune kundër komunitetit, pas miratimit të ligjit për “mbrojtje të fëmijëve” më 2021.

Mirëpo raportimet për sulme homofobe janë kryesisht të rralla, dhe organizatorët e ngjarjeve të lidhura me komunitetin LGBT, kanë thënë se nuk shqetësohen për protesta kundër tyre, apo për dhunë.

Për Paradën e Krenarisë, të mbajtur më 2023 në Budapest, vetëm 30 persona janë mbledhur për të kundërshtuar marshin, sipas një përllogaritjeje të organizatorëve.

Kjo nuk nënkupton që pjesëtarë të komunitetit LGBT nuk dihen të kërcënuar.

Sipas një sondazhi të vitit 2022, vetëm 12 për qind e studentëve LGBT ndihen të sigurt në shkollë, dhe pothuajse 75 për qind e të rriturve të komunitetit LGBT tregojnë se kanë përjetuar një formë të diskriminimit në vendin e punës.

“Nuk dua të vizatoj një pamje me shumë ngjyra, mirëpo mendoj që çfarë shfaqet në mediat perëndimore” dhe çfarë mendojnë njerëzit “është shumë e pabalancuar”, ka thënë Majecsik prej Paradës së Budapestit.

Ligji i ri dhe mënyra e zbatimit, sipas saj, kanë rezultuar me diskutime më të gjera politike për tema të tilla.

“Nuk do ta falënderoja Qeverinë për ligjin për propagandë, mirëpo si efekt i ligjit, janë duke u bërë më shumë libra dhe filma, çka është shumë mirë. Vetëm do të dëshiroja shumë që këto gjëra të mos ndodhnin për shkak të ligjit”, ka thënë Majecsik.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG