Ndërlidhjet

Shumë hungarezë të pabindur nga programi milionësh i Qeverisë për kthimin e tyre në atdhe


Një fotografi e nxjerrë nga videoja njoftuese në ueb-faqen e Qeverisë së Hungarisë, për t'i ndihmuar hungarezët të kthehen në atdhe.
Një fotografi e nxjerrë nga videoja njoftuese në ueb-faqen e Qeverisë së Hungarisë, për t'i ndihmuar hungarezët të kthehen në atdhe.

Para Krishtlindjes, aeroporti Ferihegy në Budapest u mbush me hungarezë që po ktheheshin në atdhe për festa. Familjet i prisnin me padurim më të dashurit e tyre në sallën e ndriçuar të mbërritjes, e cila ka një kafene modeste, një dyqan duhani dhe afishe shumëngjyrëshe me mbishkrim në shumë gjuhë: “Hungaria familjare”.

Jashtë terminalit binte shi i madh, por moti nuk ua ndryshoi humorin 30-vjeçarit Aron dhe 34-vjeçares Masa, të cilët i hipën autobusit nga aeroporti për në qendër të kryeqytetit hungarez. Ata ishin zhvendosur në Gjermani për studime dhe mbetën atje. Pas një bisede, erdhi koha për pyetjen e madhe: A do të ktheheshit ndonjëherë në Hungari?

“Sikur mos të ishte fjala për anën financiare, do ta shqyrtoja”, tha Aron, i cili u rrit në Budapest, por familjen e ka në Gjermani, ku ai punon si profesionist i teknologjisë informative (TI). Vëllai i tij – i cili jeton në Hungari dhe punon si profesionist i TI-së në një kompani multinacionale – e fiton vetëm një të tretën e pagës së tij, thotë ai.

Aeroporti i Budapestit, Ferihegy.
Aeroporti i Budapestit, Ferihegy.

Masa, e cila jeton në Gjermani qe një dekadë dhe punon si inxhiniere, thotë se do të jetonte diku tjetër në Evropë para Hungarisë – po ashtu, për arsye financiare.

Në Hungari, rrëfimet e Aronit dhe Masas janë tejet të zakonshme. Sipas të dhënave të fundit, mbi 700.000 hungarezë jetojnë jashtë vendit – mbi 7 për qind e popullsisë. Largimi i madh i hungarezëve në vitet e fundit ka ndikuar në krizën demografike të vendit, pasi popullsia është në rënie prej viteve ’80. Sipas disa parashikimeve, Hungaria mund t’i ketë 1 milion njerëz më pak deri në vitin 2050.

E vetëdijshme për tkurrjen e popullsisë dhe për pasojat ekonomike, Qeveria e Hungarisë e ka nisur një program – i cili thuhet se kushton mbi 3.2 milionë euro – për t’i kthyer hungarezët në atdhe.

Telashet ekonomike

Në mesin e popullsisë së përgjithshme të Hungarisë prej 9.6 milionëve, shkalla e papunësisë është rreth 4 për qind. Për hungarezët nën moshën 24 vjeçe, shkalla e papunësisë është 11 për qind.

Sipas një studimi të fundit nga Fondacioni Fay Andras i Hungarisë, vetëm 43 për qind e njerëzve mes moshës 16 dhe 24 vjeçe e paramendojnë të ardhmen në Hungari në 10 vjetët e ardhshëm.

Për hungarezët e rinj të punësuar, pagat nuk janë të mira, po ashtu. Sipas EUROSTAT-it , institucionit të Bashkimit Evropian për statistika zyrtare, pagat në Hungari janë nën mesataren e BE-së, ndërsa inflacioni është rritur për rreth 9.6 për qind, po ashtu mbi mesataren e bllokut prej 3.6 për qindësh.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë (REL), një numër i hungarezëve të rinj i përmendin pagat kryesisht të ulëta dhe mungesën e mundësive të mira të punësimit në atdhe, veçanërisht në industrinë kreative. Alexandra Gara, një hungareze që jeton dhe punon në Londër, tha se Qeveria e Hungarisë duhet ta rrisë pagën minimale dhe t’i ulët tatimet që ajo ta mendojë kthimin në atdhe.

Megjithatë, për Garan dhe shumë hungarezë të rinj, ekonomia është vetëm një pjesë e problemit. Ata janë të zhgënjyer edhe me politikat e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka shërbyer prej vitit 2010. Qeveria e tij është akuzuar nga kritikët - përfshirë nga BE-ja - për hapa mbrapa në demokraci dhe në sundim të ligjit, kërcënim të pavarësisë së gjyqësorit dhe për politika të cilat janë armiqësore ndaj emigrantëve dhe komunitetit LGBT.

Për t’u kthyer në atdhe, tha Gara, ajo dëshiron që Qeveria t’i ndalojë partitë politike që janë homofobike dhe transfobike dhe të investojë në shëndetësi dhe shkolla.

Nën udhëheqjen e partisë nacionaliste të Orbanit, Fidesz, të drejtat e komunitetit LGBT, emigrantëve dhe refugjatëve, janë kufizuar. Partia në pushtet e ka ndryshuar Kushtetutën, duke e ndaluar birësimin e fëmijëve për familjet LGBT dhe ndryshimin e gjinisë.

Një protestues duke e mbajtur një pankartë që e shfaq kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke e mbajtur një shall me ngjyrat e ylberit, pranë ndërtesës së Parlamentit në Budapest, gjatë një proteste më 14 qershor 2021.
Një protestues duke e mbajtur një pankartë që e shfaq kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke e mbajtur një shall me ngjyrat e ylberit, pranë ndërtesës së Parlamentit në Budapest, gjatë një proteste më 14 qershor 2021.

“Për mua, një burrë biseksual, është tejet e vështirë ta pranoj se hungarezët vazhdojnë ta votojnë një Qeveri e cila do të donte t’i zhdukte njerëzit LGBT”, tha një hungarez 27-vjeçar, i cili punon në industrinë kreative dhe dëshiron të mbetet anonim, sepse familja e tij nuk është e vetëdijshme për orientimin e tij seksual.

Pasi studioi në Britani të Madhe, ai u zhvendos në shtëpi me të dashurën e vet për çështje financiare dhe të komunitetit, por ata janë të tunduar të shkojnë për të jetuar në Vjenë apo Francë tani.

Ikja e të rinjve lë pasoja.

“Se a është Hungaria vend i mirë a jo, nuk varet prej asaj se a jetojnë nëntë apo 11 milionë njerëz në të”, tha për REL-in Balazs Kapitany, kryehulumtues në Zyrën Qendrore të Statistikave të Hungarisë.

Në fakt, tha ai, është mungesa e të rinjve në Hungari ajo që po ndikon në mungesën e punëtorëve, në mungesë të inovacionit, në ngadalësim të ekonomisë dhe kjo po ndikon në cilësinë e jetës së njerëzve.

“Mirë se vini në shtëpi” – por çfarë pastaj?

Në njërën prej zyrave të dedikuara në qendër të Budapestit, vizitorët mund të rezervojnë takime për konsultime me përfaqësuesit e programit qeveritar për lehtësimin e kthimit të tyre në shtëpi, megjithëse, ata, prapëseprapë, duhet të shkojnë në zyra ndarëse për t’u regjistruar për kujdesin shëndetësor dhe t’i përkthejnë dokumentet zyrtare.

Gjatë dekadës së fundit, Qeveria e Orbanit është përpjekur të zbatojë politika për kthimin e hungarezëve në atdhe dhe për ta ndryshuar trendin demografik të vendit, për shembull, duke ofruar ndihmë financiare dhe të formave të tjera për të rinjtë që nisin familje. Përpjekjet fillestare, megjithatë, nuk ishin të suksesshme. Më 2016, përmes një programi në vlerë 100 milionë forintë, në atdhe u kthyen vetëm 105 hungarezë.

“Kam lexuar se ata ndihmojnë me [burokraci], por nuk ia kam idenë se çfarë mund të sjellë kjo”, tha 28-vjeçarja Kitti Petelen. Pasi studioi në Berlin, Petelen dhe burri i saj hungarez u zhvendosën në Hungari nga Gjermania gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në një bisedë telefonike me REL-in, Petelen tha se janë përballur me disa vështirësi burokratike prej se janë kthyer në Hungari, si për shembull, në marrjen e pushimit të lehonisë. Ajo tha se është e gatshme të largohet nga Hungaria përsëri, jo për shkak të pengesave burokratike, por për shkak se vendi po shkon drejt joliberalizimit.

“Nuk dua të bëhem si një bretkosë që zihet dalëngadalë në ujë të vakët”, tha ajo.

Derisa partitë opozitare të Hungarisë janë të ndara në shumë çështje, ato pajtohen pothuajse plotësisht se programi i ri i Fideszit për t’i kthyer hungarezët në shtëpi është humbje kohe.

“Politikisht, ky [program] është qesharak. Nuk ka ndihmë përmbajtjesore”, tha Mate Kanasz-Nagy, anëtar i Asamblesë Kombëtare nga Partia e Gjelbër në opozitë e Hungarisë. Sipas tij, krijimi i vendeve të reja të punës do të ishte mundësi shumë më e mirë për t’i joshur hungarezët të kthehen në shtëpi.

Madje, edhe disa aleatë të Fideszit janë skeptikë.

“Vizioni ynë për të ardhmen dallon nga ai i Fideszit në themelet e tij”, tha për REL-in Csaba Binder, lideri i partisë të së rinjve të ekstremit të djathtë Atdheu Ynë. “Ne duam që kjo gjeneratë ta paramendojë të ardhmen në Hungari, që ata ta shohin si mundësi jetesën dhe krijimin e familjes këtu”, shtoi ai.

Partia konservatore, Jobbik, ka propozuar ndërtimin e shtëpive të përballueshme për të rinjtë. Qiratë e lira dhe subvencionimi i blerjes së pronave do t’i joshte të rinjtë të kthehen në atdhe, tha Daniel Z. Karpat, anëtar i Asamblesë së Përgjithshme dhe zëvendëspresident i partisë.

Katalin Cseh, djathtas, duke e vendosur një ngjitës me mbishkrimin "çdo i gjashti fëmijë hungarez lindet jashtë vendit. Të mos e dorëzojmë të ardhmen tonë", në Budapest, shkurt 2019.
Katalin Cseh, djathtas, duke e vendosur një ngjitës me mbishkrimin "çdo i gjashti fëmijë hungarez lindet jashtë vendit. Të mos e dorëzojmë të ardhmen tonë", në Budapest, shkurt 2019.

“Ne mund ta luftojmë depresionin kombëtar që e ka kapluar tërë Evropën Qendrore dhe Lindore, kryesisht Hungarinë, nëse ofrojmë shpresë për të ardhmen”, tha Karpat.

“Shumë njerëz e braktisin Hungarinë për shkak të Qeverisë së tanishme”, tha 35-vjeçari Katalin Cseh, anëtar i Parlamentit Evropian nga partia e qendrës, Momentum.

Puna më e rëndësishme e opozitës, tha Cseh, është ta rrëzojë nga pushteti Fideszin. Momentum, Jobbik dhe LMP i bashkuan forcat për zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, por bashkimi i opozitës nuk ia doli t’i fitojë një të tretat e ulëseve të nevojshme në Parlament, që nënkupton se Qeveria Fidesz përballet me më pak pengesa në zbatimin e agjendës së vet.

“Dikush që merr vendim për t’u larguar nga shtëpia, familja dhe miqtë [për shkak të gjendjes ekonomike] nuk do të kthehet në shtëpi, thjesht sepse janë lehtësuar procedurat burokratike për kthim në atdhe”, tha Cseh.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG