Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në Tiranë do të mbahet një samit për Ukrainën, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky.
Këto komente Rama i bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Shkup, pasi mori pjesë në konferencën me liderët e Ballkanit Perëndimor ,“Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i shpejtë në BE”, që u mbajt të hënën në Shkup.
“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do të kemi të pranishëm presidentin Zelensky. Paralelisht me të do të përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe që janë ata që do të ndjekin këtë proces të Komisionit Evropian dhe administratës amerikane për të bërë një bilanc të këtij muaji nga sot deri në fund të shkurtit dhe për të vazhduar që të punojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet edhe nga proceset që janë sot në Evropë”, tha Rama.
Megjithatë, Rama nuk bëri të ditur se kur do të mbahet ky samit në kryeqytetin shqiptar për Ukrainën që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus për pothuajse dy vjet.
Kryeministri shqiptar tha se samiti në Tiranë do të jetë në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me Zelenskyn dhe pjesëmarrësit e tjerë lidhur me sfidat e sigurisë.
Më 15 qershor 2022, Rama, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kishin qëndruar në Kiev dhe ishin takuar me Zelenskyn. Shqipëria, sikurse edhe vendet e tjera të rajonit me përjashtim të Serbisë, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe ka ofruar mbështetje për Kievin.
Duke folur në Shkup më 22 janar, Rama tha se takimet e zhvilluara konferencën që u zhvillua në kryeqendrën maqedonase ishin në një atmosferë pozitive. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se pse është anuluar konferenca e përbashkët e liderëve të rajonit, ashtu siç ishte planifikuar paraprakisht.
Lidhur me takimin informal ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, Rama theksoi se kishte komunikim pozitiv.
“Këtu nuk ka asgjë personale dhe në fakt, është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy, [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurtin dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër përveç se u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve”, theksoi Rama.
Plani i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
Rama tha se ky plan ka rëndësi jo vetëm për shtetet e rajonit në aspektin ekonomik, por edhe për stabilitetin dhe paqen e rajonit, duke theksuar se duhet “të harrohen ngjyrat e flamujve dhe të lihen pas historitë e grindjeve”.