Ndërlidhjet

O'Brien, liderëve të Ballkanit: Me planin e BE-së, askush nuk mund të vendosë veto


Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gatishmëri për t'i zhvilluar vendet e tyre sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që është mbajtur të hënën në Shkup të Maqedonisë Veriut.

Përgjatë konferencës, liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t'i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, nikoqir i takimit, ka thënë se me planin e BE-së, bruto prodhimi i brendshëm i vendeve të Ballkanit do të dyfishohet.

Ai ka thënë se fokusi në takimin e së hënës ka qenë në dy prej katër shtyllave të planit: në tregun rajonal dhe tregun e BE-së.

Sipas Kovaçevskit, kur vendet t’i kryejnë reformat, do të hapet rruga e bizneseve për një treg të përbashkët në BE, dhe vendet do të kenë qasje në ekonominë e bllokut evropian.

O'Brien: Plani i ri i BE-së dallon nga ofertat paraprake

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit".

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara, dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.

“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin", ka deklaruar Kopman në konferencë.

Kurti në Shkup: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri për të punuar në drejtim të planit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e liderëve të ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup, Maqedoni e Veriut, 22 janar 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e liderëve të ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup, Maqedoni e Veriut, 22 janar 2024.

Ai ka thënë se Kosova do ta dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzohet lista e projekteve indikative.

Në diskutime e sipër, Kurti ka thënë se Kosova mbështet qasjen e BE-së për kushtëzim të fondeve evropiane, por sipas tij, qarkullimi i mallrave nuk duhet të shfrytëzohet për bartje të armëve dhe sponsorizimin e sulmeve terroriste.

Mes tjerash, Kurti ka thënë se është në interesin e shtetit të Kosovës, të BE-së dhe SHBA-së që procesi i anëtarësimit të Kosovës në bllokun evropian të mos jetë i lidhur me dialogun Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian i ka porositur vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh.

Përparimi i tyre në dialog është përmendur si kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së.

I pyetur për këtë proces, O'Brien u ka kërkuar dy palëve që të zbatojnë aneksin e Ohrit, të arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mars të vitit të kaluar.

Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.

“Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së".

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG