Ndërlidhjet

Perëndimi dënon festën antikushtetuese në Republikën Sërpska


Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke ecur para Gardës së Nderit të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, duke ecur para Gardës së Nderit të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës. Fotografi nga arkivi.

Entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, më 9 janar shënoi “ditën kombëtare”, një festë antikushtetuese, në një kohë të paralajmërimeve ndërkombëtare për rritjen e synimeve politike të liderit të entitetit, Millorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja.

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit, ndërkaq Bashkimi Evropian paralajmëroi pasoja për ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.

Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja administrohet nga një Qeveri qendrore nën udhëheqjen e një federate boshnjake dhe kroate dhe një entiteti me shumicë serbe, i njohur si Republika Sërpska.

Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.

Kjo festë e ndaluar është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe paradë të policisë së armatosur. Në paradën e mbajtur u panë edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin, ndërkaq në të morën pjesë ehde anëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, klub i afërt me udhëheqësin rus.

Në këtë festë morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.

Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.

Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

SHBA: Autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit

Pas shënimit të 9 janarit, festës jokushtetuese në Republikën Sërpska, Shtetet e Bashkuara kërkuan hetim të këtyre ngjarjeve.

“Pritjet e SHBA-së janë që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ka ndodhur lidhur me festimin e Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar”, u tha në deklaratë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se festa e 9 janarit është ilegale, duke paralajmëruar për pasoja të gjithë ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.

Për ta mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.

Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq derisa sfidohen Marrëveshja për Paqe e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjës, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.


"Stërvitja ishte pjesë e përpjekjeve e forcave amerikane për të shkëmbyer taktika, teknika dhe procedura me Forcat Ajrore boshnjake, si dhe e dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës", tha ajo më 8 janar.

Gjatë ceremonive për të shënuar këtë festë jokushtetuese në Republikës Sërpska, u panë edhe flamuj të Rusisë, Serbisë, si dhe simbole të tjera kombëtare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG