Avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara (SHBA) e kryen të hënën një stërvitje të përbashkët me Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës mbi qytetet Brçko dhe Tuzla në pjesën veriore të Bosnjë e Hercegovinës, njoftoi Ambasada e SHBA-së në Sarajevë.
Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq derisa sfidohen Marrëveshja për Paqe e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjës, tha Ambasada amerikane.
"Stërvitja ishte pjesë e përpjekjeve e forcave amerikane për të shkëmbyer taktika, teknika dhe procedura me Forcat Ajrore bosnjake, si dhe e dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës", thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës, Ambasada tha se avionët luftarakë amerikanë do të fluturonin mbi Bosnjë e Hercegovinë në prag të festimit të një feste antikushtetuese më 9 janar në entitetin e Republikës Sërpska.
Në njoftim thuhet se trajnimi dypalësh "tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës në vazhdën e aktiviteteve ndarëse dhe anti-Dejon".
“Shtetet e Bashkuara theksojnë vazhdimisht se Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk parashikon të drejtën e shkëputjes dhe se do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element bazë të Dejtonit”, tha Ambasadës amerikane mëngjesin e së hënës.
Ajo shtoi se Bosnja e Hercegovina është partnere kyçe e SHBA-së dhe se ato kanë synim të përbashkët në sigurimin e stabilitetit rajonal.
"Ky mision do të mbështetet nga avioni KC-135 Stratotanker, i cili do të sigurojë furnizim me karburant në ajër për avionët F-16 mbi territorin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë," tha ajo.
Deklarata gjithashtu thekson se njësitë e Forcave Ajrore të SHBA-së për Evropën dhe Afrikën angazhohen rregullisht ushtarakisht me partnerët rajonalë me qëllim të ofrimit të trajnimit, përmirësimit të ndërveprimit dhe demonstrimit të një angazhimi të përbashkët për të njëjtat qëllime sigurie.
"Aeroplani amerikan do të kthehet në bazë menjëherë pas përfundimit të misionit. Aftësia për të vendosur shpejt, për të lokalizuar objektivin dhe për t'u kthyer në bazë tregon aftësinë e SHBA-së për të projektuar fuqi kudo në kohën më të shkurtër të mundshme dhe për të vepruar së bashku me aleatët dhe partnerët”, thuhet në komunikatë.
F-16 është një avion i lehtë luftarak që hyri në shërbim për herë të parë në vitin 1979. Forcat Ajrore të SHBA-së e përdorën atë gjerësisht në të dy luftërat në Irak, si dhe gjatë luftës në Afganistan.
Më shumë se 4.600 avionë F-16 u ndërtuan në vitin 1976, kur prodhimi u miratua zyrtarisht.
Çfarë i parapriu fluturimit të avionit?
Udhëheqja politike e Republikës Sërpska, e udhëhequr nga presidenti i saj, Millorad Dodik, e kërkon zëshëm shkëputjen apo ndarjen e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina.
Kjo është kundërshtuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera në Bosnjë e Hercegovinë.
“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë duarkryq derisa ai e shtyn Bosnjë e Hercegovinën drejt konfliktit”, tha Ambasada amerikane më 28 dhjetor 2023.
Ajo tha se Republika Sërpska është një entitet brenda shtetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe se Kushtetuta e shtetit nuk parashikon të drejtën e një entiteti për t'u shkëputur.
"Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në disa raste se do të veprojnë për të kundërshtuar veprimet kundër Dejtonit dhe shkëputja është një veprim kundër Dejtonit," tha ambasada amerikane.