Ndërlidhjet

SHBA-ja nuk beson se Izraeli qëndron pas shpërthimeve vdekjeprurëse në Iran


Vetura të dëmtuara nga dy shpërthimet që tronditën Iranin të mërkurën, 3 janar 2024.
Vetura të dëmtuara nga dy shpërthimet që tronditën Iranin të mërkurën, 3 janar 2024.

Shtetet e Bashkuara nuk janë përshirë në asnjë mënyrë në shpërthimet që tronditën Iranin të mërkurën dhe nuk kanë arsye të besojnë se u përfshi Izraeli, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Së paku 103 njerëz u vranë dhe mbi 170 u plagosën nga dy shpërthime mëngjesin e së mërkurës gjatë ceremonisë së shënimit të 4-vjetorit të vdekjes së gjeneralit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë më 2020 nga një sulm me dron.

Zyrtarët iranianë i kanë cilësuar shpërthimet e dy bombave në qytetin Kerman, ku është varrosur Soleimani, si sulm “terrorist”, pa dhënë hollësi të tjera.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë në asnjë mënyrë, dhe çfarëdo sugjerimi për këtë është qesharak”, tha Matthew Miller të mërkurën mbrëma.

Ai shtoi se SHBA-ja “nuk ka arsye të besojë se Izraeli është përfshirë në këto shpërthime”.

Shpërthimet në Iran ndodhën një ditë pasi numri dy i Hamasit, Saleh al-Arouri, u vra nga një sulm i dyshuar izraelit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Miller e cilësoi Arourin si një “terrorist brutal me duar të përlyera me gjakun e civilëve”.

Ai bëri thirrje kundër përshkallëzimit të luftës në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Nuk është në interesin e askujt – të asnjë vendi në rajon, të asnjë vendi në botë – që ky konflikt të përshkallëzohet më shumë seç është përshkallëzuar tashmë”, tha Miller.

Miller nuk deshi të komentojë se kush ka mundur ta kryejë sulmin në Iran.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG