Ndërlidhjet

Gjykata e vendos nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha


Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Gjykata e Posaçme e Shqipërisë njoftoi të shtunën se e ka vendosur nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion.

Berisha, 79 vjeç, do të mbikëqyret nga policia në banesën e tij, pasi pas këtij vendimi e ka të ndaluar largimin nga ajo dhe komunikimin me persona të tjerë, përjashtuar ata me të cilën jeton, njoftoi gjykata.

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) kishte kërkuar arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Avokati i Berishës, Genci Gjokutaj e kundërshtoi vendimin dhe tha se do të bëjë ankesë ndaj tij. Mbrojtja e ish-kryeministrit ka pesë ditë kohë për t’u ankuar ndaj vendimin pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Më 21 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë votoi në favor të kërkesës së prokurorëve për t’ia hequr imunitetin e deputetit Berishës.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha dyshohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Për çfarë po hetohet Berisha?

Prokurorët thanë në tetor se Berisha e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG