Ndërlidhjet

Pendarovski: Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese do të na kushtojë një dekadë kohë


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë të martën se mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese “do t'i kushtoj edhe një dekadë” integrimit evropian të këtij shteti.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, parashihen me atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Por, për shkak të mungesës së konsensusit, mes pushtetit dhe opozitës, këto ndryshime nuk u miratuan dhe Maqedonia e Veriut nuk mori pëlqimin për nisjen e bisedimeve në samitin e fundit të BE-së.

“Me shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese do të humbasim një mundësi tjetër që mund të na kushtojë të paktën edhe një dekadë nga integrimet, që do të thotë më pak progres ekonomik, standarde më të këqija për qytetarët dhe emigracion më i madh”, tha Pendarovski në fjalimin vjetor para deputetëve.

Megjithatë, Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut “duhet të qëndrojë në rrugën e integrimeve evropiane, pavarësisht se cili pushtet ekzekutiv do të jetë në krye të vendit, pas zgjedhjeve të majit 2024, apo pavarësisht bllokadave nga Bullgaria”.

“Por, sigurisht që nuk është në interesin tonë strategjik që të bëjmë armik nga Bullgaria, sepse është në interesin tonë që të kemi një mjedis të qëndrueshëm dhe bashkëpunim produktiv me të gjithë fqinjët tanë”, tha presidenti Pendarovski.

Ai foli edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk ka dhënë rezultatet e pritura, gjë që ishte theksuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, por edhe në reagimet e shumta nga Shtetet e Bashkuara.

“Asnjë ligj nuk mund ta ndryshojë realitetin, nëse kriteri i vetëm për punësim është klientelizmi dhe nepotizmi partiak. Përshtypja është se SHBA-ja dhe BE-ja janë luftëtarë më të zellshëm kundër korrupsionit sesa institucionet tona”, tha kreu i shtetit.

Ai ia kushtoi një pjesë të fjalimit vrasjes së 14-vjeçares, Vanja Gjorgjevska, por edhe thirrjeve të ndryshme nxitëse në rrjetet sociale.

“Fatkeqësisht, i gjithë sistemi shoqëror ka dështuar, sepse, pluralizmi demokratik i keqkuptuar, nuk i ka penguar këta individë që të ndotin edhe më shumë hapësirën publike”, tha Pendarovski.

Sa i përket politikës së jashtme, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski foli për luftimet në Gazë, duke arsyetuar aksionin e ushtrisë izraelite kundër, siç tha, “grupit terrorist Hamas”.

“Pozicioni është i qartë, Hamasi është një organizatë terroriste dhe ka ardhur koha ta konfirmojmë këtë me një vendim zyrtar. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Por, duhet të merren parasysh edhe të drejtat e njeriut. Më e rëndësishmja për ne është që të gjitha subjektet politike të veprojnë me përgjegjësi në lidhje me atë konflikt që të mos thellohen ndarjet në shoqërinë multietnike”, tha Pendarovski.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën me 2.3 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Duke u zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën, qysh prej 7 tetorit, ditën kur Hamasi ka kryer sulme në jug të Izraelit, dhe e ka nxitur kështu luftën.

Militantët e Hamasit kanë vrarë rreth 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng mbi 240 njerëz.

Sipas autoriteteve palestineze, rreth 19.000 banorë të Gazës janë vrarë nga bombardimet izraelite dhe mbi 50.000 janë plagosur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG