Ndërlidhjet

Ç'kah do të marrë demokracia më 2024? Trump mund ta ketë përgjigjen


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Reuters

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shumë mundësi që do të vazhdojë të jetë në pushtet deri më 2030; kryeministri indian, Narendra Modi, ka gjasa të jetë në pushtet deri më 2029, dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht akuzave për përmbysje të demokracisë amerikane.

Atyre që shqetësohen se udhëheqësit autoritarë janë shumë më në epërsi ndaj demokratëve liberalë, frika do t’iu rritet edhe më shumë më 2024.

Thënë troç, qeverisja e më shumë se një çereku të popullsisë së botës do të jetë në rrezik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, përfshirë Tajvanin në janar, Rusinë në mars, Indinë në maj dhe Shtetet e Bashkuara në nëntor.

Britania, po ashtu, do të mund të zgjedhë strukturë të re parlamentare deri në fund të vitit 2024, ndonëse votimi mund të shtyhet edhe deri në janar të vitit 2025.

Mirëpo, asnjë kontekst nuk mund të ketë ndikim më të madh në debatin rreth të ardhmes së demokracisë, sesa zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Pse kanë rëndësi?

Trump, i cili nuk e ka pranuar kurrë humbjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, dhe në mënyrë të pavërtetë ka pretenduar se votimet janë manipuluar, është zotuar për ndëshkim të kundërshtarëve nëse kthehet në pushtet, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, burokracinë federale dhe presidentin amerikan, Joe Biden.

Këto deklarata kanë rritur shqetësimet se armiqësitë politike në SHBA mund të rriten dhe mund të rezultojnë me trazira civile.

Trump ka një epërsi të lehtë në sondazhet e opinionit publik, pavarësisht se përballet me disa padi penale.

Tajvani do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 13 janar, dhe rezultati mund të përcaktojë se si presidenti kinez, Xi Jinping, çon përpara synimin e tij për të marrë nën kontroll këtë ishull, që Pekini e konsideron territor “të shenjtë” kinez.

Kina nuk e pëlqen aspak kandidatin kryesor për president, Lau Ching-te nga Partia Përparimtare Demokratike, meqë beson se ai është separatist.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane kanë thënë se Xi ka urdhëruar ushtrinë kineze të jetë e përgatitur për ta pushtuar Tajvanin deri më 2027.

Në Rusi, rizgjedhja e Putinit si president duket si diçka e sigurt, pas disa vjetëve të shtypjes së zërave opozitarë.

Kjo nënkupton që lufta e Rusisë në Ukrainë do të vazhdojë, duke testuar durimin e aleates kryesore të Kievit, SHBA-së.

Trump ka qenë tejet kritik për shkallën e mbështetjes që ia ka ofruar SHBA-ja, Ukrainës.

Në Indi, Modi, një tjetër lider me shumë pushtet, synon rizgjedhjen si kryeministër.

Ai ka krijuar një stil të pashembullt udhëheqësie, i cili pëlqehet nga shumë votues dhe investitorë të jashtëm, mirëpo i shqetëson grupet për të drejta të njeriut.

Nëse fiton partia nacionaliste hinduse e Modit, ekonomia, më shumë sesa të djathtët në politikë, pritet të jetë në fokusin e tij.

Çfarë nënkupton kjo për vitin 2024?

Në debatin nëse demokracia liberale është duke humbur kundrejt autoritarizmit dhe autokracisë, përfshihet edhe Afrika.

Puçet në Niger dhe Gabon kanë nxitur përhapjen e demokracisë në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, pasi në atë rajon janë zhvilluar tetë puçe prej vitit 2020.

Mirëpo në thellësi të jugut, gjërat pritet të ndryshojnë më 2024.

Pas tri dekadave të qeverisjes, të përcjella nga një rënie ekonomike, Kongresi Kombëtar Afrikan i Afrikës së Jugut, rrezikon humbjen e shumicës parlamentare për herë të parë, prej kur Nelson Mandela e ka ngjitur atë në pushtet, më 1994, në fund të aparteidit.

Nëse ndodh kështu, Kongresi Kombëtar Afrikan do të mund të ketë nevojë për një partner për të qëndruar në pushtet – ose me Aleancën Demokratike, e pëlqyer prej votuesve të racës së bardhë, ose me Luftëtarët për Liri Ekonomike, parti marksiste e pëlqyer prej votuesve të racës së zezë.

Në cilindo skenar, demokracia në këtë vend të Afrikës së Jugut do të jetë në udhëkryq.

Zgjedhjet pritet të mbahen në periudhën maj-gusht.

Në përgjithësi, a do të shënojë demokracia kthim mbrapa më 2024?

Organizata për të drejta të njeriut, me bazë në SHBA, Freedom House, e cila analizon të drejtat në politikë dhe liritë civile si matëse të demokracisë, beson se demokracia ka pësuar rënie në 17 vjetët e fundit.

Mirëpo në raportin e fundit, ka sugjeruar se, megjithatë, demokracia po rikthehet.

Sipas saj, 34 kombe kanë bërë përparim më 2022, ndërsa 35 tjera, që kanë shënuar kthim mbrapa, përbëjnë shifrën më të vogël të regjistruar ndër vite në këtë drejtim.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG