AFP
Organizimi i samitit BRIKS nga Afrika e Jugut që do të mbahet javën e ardhshme, e ka kthyer vëmendjen në lidhjet në mes të Pretorias dhe Kremlinit, të cilat për disa janë normale, për disa të mistershme.
Moska dhe partia Kongresi Kombëtar Afrikan i Afrikës së Jugut, i kanë forcuar lidhjet gjatë Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik e ka përkrahur luftën e Kongresit kundër aparteidit.
Lidhjet e ngushta kultivohen ende, pavarësisht ndryshimeve historike dhe ideologjike, të cilat – logjikisht – do të duhej të rezultonin me ndarje rrugësh kohë më parë.
Më 1991, Bashkimi Sovjetik është shpërbërë, duke i mbjellë farat e nacionalizmit në anëtaren kryesore, Rusinë, nën udhëheqësinë e Vladimir Putinit.
Ndërkohë, në Afrikën e Jugut, fitorja ndaj aparteidit e ka sjellë në vend demokracinë dhe ka rezultuar me Kushtetutën më liberale në Afrikë, duke e veshur partinë Kongresi Kombëtar Afrikan me imazhin e çlirueses.
Analistët që mëtojnë të kuptojnë këtë marrëdhënie të çuditshme, sugjerojnë se çarjet ideologjike janë të çimentuara përmes lidhjeve historike dhe personale.
“Mund të themi se aleanca e tyre është miqësi e krijuar në gjak… dhe plumba”, ka thënë analisti politik, Sandile Swana.
Në aspektin politik, ata janë “partnerë të çuditshëm”, ka thënë Steven Gruzd, nga Instituti jugafrikan për Çështje Ndërkombëtare.
Ndarja në dysh
Lidhja mes dy vendeve është testuar vitin e kaluar kur Pretoria ka vendosur të mos e dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë – qëndrim që kritikët e kanë parë si mbështetje për Moskën.
Kritikat janë riaktualizuar pas paralajmërimeve për mbajtje të një samiti më 22-24 gusht në Johanesburg mes pesë ekonomive të mëdha si: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Presioni është rritur ndaj Afrikës së Jugut që të deklarojë se do ta arrestonte presidentin Putin, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, për shkak akuzave të lidhura me luftën në Ukrainë.
I gjetur në situatë të vështirë, presidenti Cyril Ramaphosa ka marrë qëndrim ambivalent, duke thënë se Putini ka vendosur të mos marrë pjesë në samit.
Në qershor, Ramaphosa e ka udhëhequr një mision paqësor afrikan në Ukrainë dhe Rusi, i cili ndonëse ka qenë i pasuksesshëm, i ka ndihmuar atij t’i korrigjojë akuzat për anshmëri.
Misioni ia ka lejuar Ramaphosas dhe liderëve tjerë afrikanë, “të flasin drejtpërdrejt para popullit ukrainas” dhe ta vlerësojnë situatën vetë, ka thënë Dzvinka Kachur nga Asociacioni Ukrainas i Afrikës së Jugut.
“Lidhje emocionale”
Specialistët besojnë se në aspektin ekonomik, ka pak kuptim që Pretoria të jetë kaq e lidhur me Moskën.
Shtetet e Bashkuara janë vendi i dytë më i madh me të cilin bën tregti Afrika e Jugut, pas Kinës.
Vlera e eksporteve me SHBA-në në pjesën e parë të vitit 2023 ka qenë 4.2 miliardë dollarë.
Në anën tjetër, tregtia me Rusinë është “shumë e vogël”, siç ka thënë edhe një i dërguar i Afrikës së Jugut në Moskë, pasi eksportet e kapin vlerën e 132 milionë dollarëve në periudhën janar-qershor.
Akuzat se Pretoria e ka furnizuar fshehurazi Kremlinin me armë, i ka nxitur thirrjet e disa ligjvënësve amerikanë që Uashingtoni të shkëpusë paktin tregtar me këtë vend, duke i shqetësuar shumë biznese dhe parti politike.
Analisti politik William Gumede, ka thënë se është koha që Pretoria ta kuptojë se kjo lidhje nuk i shërben më shtetit.
Është e bazuar në “lidhje emocionale”, të cilën “nuk mund ta përballojmë”, ka thënë ai.
Nevoja të përbashkëta?
Putin e mban afër Afrikën e Jugut për shkak të interesave strategjikë, duke mos e harruar statusin e këtij vendi në kontinentin që është shpesh fushëbetejë në mes të fuqive të mëdha, kanë thënë disa analistë.
Mirëpo, nuk ekziston konsensus pse Kongresi Kombëtar Afrikan i Afrikës së Jugut vazhdon të jetë kaq i interesuar në ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Putinin.
Disa kritikë sugjerojnë se partia është në lëvizje – pavarësisht mungesës së lidhjeve ideologjike, ajo i kthehet Moskës, partneres historike, për të marrë ide për të ardhmen e vetvetes.
Partia politike, Kongresi Kombëtar Afrikan ka qenë në pushtet prej instalimit të demokracisë në Afrikën e Jugut më 1994, mirëpo udhëheqësia e saj është përcjellë nga dyshimet për korrupsion dhe keqmenaxhim.
Partia përballet me zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm, në të cilat mund të sigurojë më pak se 50 për qind të votave.
“Partia sheh diçka tjetër në Rusinë e Putinit – diçka më aspiruese”, ka thënë Richard Poplak, kolumnist për të përditshmen Daily Maverick, në muajin e kaluar.
“Rusia është fener që ndriçon nga kodra, autokraci që shndrit rrugën drejt qeverisjes së përjetshme”.
Të tjerë besojnë se paraja është faktor.
Vitin e kaluar, partia i ka pranuar më shumë se 800.000 dollarë nga një kompani për mihje të manganit, e lidhur me një manjat rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili ka ndihmuar në financim të konferencës partiake.
“Kongresi Kombëtar Afrikan është palë me Rusinë për një arsye të vetme: Federata Ruse është duke e financuar partinë dhe në këtë mënyrë infiltrohet në destabilizim të demokracisë së Afrikës së Jugut”, ka thënë lideri opozitar John Steenhuisen në muajin maj.
Insinuata të tilla hidhen poshtë me zemërim nga partia.
Një zyrtar i partisë në Johanesburg, ka thënë se partia ka marrë donacione edhe nga “biznesmenët amerikanë”.
“Puna bëhet problematike vetëm kur rusët e përkrahin partinë. Është e padrejtë”, ka thënë Tokologo Ngoasheng.