Associated Press
Karrige plastike të përdorura si shtretër. Vaktet ushqimore me bukë dhe oriz. Orë të tëra duke pritur për tualet. Përderisa pengjet e liruara u kthyen në Izrael pas shtatë javësh të mbajtur nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ata po japin informacione për kushtet në të cilat janë mbajtur rob.
Të 58 pengjet e liruar gjatë tri ditëve të para të armëpushimit gjerësisht kanë qëndruar larg syrit të publikut dhe shumica e tyre janë ende në spitale.
Pothuajse dy muaj pasi luftëtarët e Hamasit i dërguan në Gazë pas sulmeve në jug të Izraelit – ku ky grup vrau po ashtu 1.200 persona – shumica e pengjeve të liruara duket se janë në gjendje stabile fizike.
Informacionet për kushtet në të cilat ata janë mbajtur rob janë kontrolluar në mënyrë të ashpër, por anëtarët e familjeve të të liruarve kanë nisur të ndajnë detaje lidhur me përvojat e më të dashurve të tyre.
Merav Raviv, tre familjarë të së cilës u liruan nga Hamasi të premten, tha se ata nuk janë ushqyer me rregull dhe kryesisht kanë ngrënë oriz dhe bukë. Ajo tha se kushërira dhe tezja e saj, Keren dhe Ruth Munder, kanë humbur nga rreth 7 kilogramë në 50 ditë.
Raviv tha se ka dëgjuar nga familjarët e pengjeve të tjera të liruara se ata kanë fjetur me radhë në karrige të plastikës që i kanë bërë bashkë dhe kanë qëndruar në një dhomë që dukej si një vend pritjeje. Ata kanë thënë se u është dashur të presin për orë të tëra për të shkuar në tualet.
Adva Adar, gjyshja 85-vjeçare e së cilës, Yaffa Adar, u lirua nga Hamasi, tha se gjyshja e saj po ashtu kishte humbur peshë.
“Ajo ka numëruar ditët e saj të robërimit”, tha Adar. “Kur u kthye tha: ‘E di se kam qenë atje për 50 ditë’”.
Adar tha se gjyshja e saj ishte zënë rob dhe ishte bindur se familjarët e saj ishin vrarë, dhe më pas e ka marrë lajmin se ata janë gjallë. Megjithatë, lirimi i saj ishte i hidhur: Ajo kuptoi se shtëpia e saj ishte shkatërruar nga radikalët e Hamasit.
“Për një grua 85-vjeçare, zakonisht shtëpia është vendi ku i ka rritur fëmijët, ku ka kujtime, ka albume fotografish e rroba”, tha Adar. “Ajo tash nuk ka asgjë dhe në moshë të shtyrë duhet t’ia nisë nga e para. Ajo na tha se kjo është e vështirë për të”.
Në 50 ditët e robërimit të pengjeve, Izraeli ka shkatërruar Rripin e Gazës me sulme tokësore dhe ajrore që kanë lënë të vrarë të pakën 13.300 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Sipas marrëveshjes për armëpushim katërditor, Hamasi është pajtuar të lirojë në total 50 pengje izraelite, në këmbim të lirimit të 150 të burgosurve palestinezë. Armëpushimi po ashtu mundëson dërgimin e më shumë ndihmës humanitare në enklavën e shkatërruar.
Tetëmbëdhjetë shtetas të huaj, shumica tajlandezë, po ashtu janë liruar.
Edhe njëmbëdhjetë pengje pritet të lirohen të hënën në ditën e fundit të armëpushimit, duke lënë afër 180 pengje të tjera ende në Rripin e Gazës. Autoritetet izraelite kanë thënë se janë të gatshme të zgjasin armëpushimin për një ditë më shumë për çdo dhjetë pengje që lirohen nga Hamasi.
Pamja e plotë se si pengjet kanë jetuar nën robërimin e Hamasit deri më tani është dhënë nga 85-vjeçarja, Yocheved Lipschitz, e cila u lirua para armëpushimit aktual. Pasi u lirua, ajo tha se ishte mbajtur në tunelet nën Gazë, që i përshkroi si “rrjet merimangash”. Ajo tha se personat që e mbajtën peng, “na thanë ne se ata janë njerëz që besojnë në Kuran dhe nuk do të na lëndonin”.
*Video: Izraelitja e liruar flet për tunelet ku e mbajti Hamasi
Lipschitz tha se pengjet ishin trajtuar mirë dhe kishin marrë kujdes mjekësor, përfshirë edhe ilaçe. Rojet e mbanin vendin e pastër, tha ajo. Pengjeve u jepej një vakt ushqimor në ditë, ku përfshihej djathë, tranguj dhe bukë, tha ajo, duke shtuar se të gjitha pengjet hanin njësojë.
Pengjet e liruar së fundi po ashtu duket se janë mbajtur në hapësira nëntokë. Eyal Nouri, nipi i Adina Moshe, 72 vjeçe, që u lirua të premten, tha se tezës së tij “i duhej që të përshtatej me dritën e diellit” sepse ajo kishte qëndruar në errësirë për javë të tëra.
“Ajo tha se ishte errësirë e plotë”, tha Nouri. “Ajo tha se ka ecur me sytë duke shikuar tokën sepse ishte në një tunel. Ajo nuk është mësuar ende me dritën e diellit. Gjatë kohës sa ka qenë e robëruar ajo u shkëput nga bota jashtë”.
Nouri tha se Moshe nuk e dinte nëse do të lirohej deri në momentin e fundit.
“Deri kur pa Kryqin e Kuq”, tha ai. “Në atë moment ajo e kuptoi, në rregull, këto shtatë javë të tmerrshme përfunduan”.
Kur u lirua ajo e kuptoi se burrin ia kishin vrarë sulmuesit e Hamasit dhe familja e djalit të saj kishte shpëtuar për mrekulli.
Mjekët kanë paralajmëruar për rëndesën psikologjike për personat që ishin të marrë pengje. Izraeli u ka mundësuar atyre këshillim dhe ndihmë tjetër.
Por, shumica e pengjeve të liruara duket se janë në gjendje të mirë fizike: ata mund të ecin dhe të flasin normalisht.
Megjithatë, të paktën dy prej tyre kanë pasur nevojë për kujdes më serioz shëndetësor. Një prej pengjeve që u lirua të dielën, 84-vjeçarja Alma Abraham, u dërgua në Qendrën Spitalore Soroka të Izraelit, që gjendet në qytetin Bersheba, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Drejtori i spitalit tha se gjendja e rënduar shëndetësore e saj para se të kapej peng nuk ishte trajtuar siç duhej gjatë robërimit të saj. Edhe një grua e re, që ishte mbajtur peng, është parë është parë me paterica në një video të publikuar nga Hamasi të dielën.
Yair Rotem, mbesa 12-vjeçare e të cilit, Hila Rotem-Shoshani, u lirua të dielën, tha se i është dashur t’ia rikujtojë vazhdimisht asaj që nuk ka nevojë më të përshpërisë.
“Ata gjithmonë u thanë që të përshpërisnin dhe të rrinin të qetë, prandaj tani unë i them asaj që të mos flasë më me zë të ulët”, tha Rotem. Ai shtoi se Hila, e cila feston ditëlindjen e 13-të të hënën, fjeti mirë gjatë natës së parë të kthimit në Izrael dhe po ha mirë.
Ohad Munder, nipi i Ravivit, u rrethua nga miqtë pas lirimit të tij, përderisa ata festuan në spital ditëlindjen e tij të nëntë me akullore dhe pica.
Miku i Ohadit, Eitan Vilchik, tha për Channel 13 të Izraelit, tha se miku i tij ishte “emocionalisht i fortë” dhe ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjeve se çfarë ka ngrënë dhe çfarë ka ndodhur me të në kohën sa është mbajtur peng. Megjithatë, ai refuzoi të jepte detaje, duke thënë se dëshiron të ruajë privatësinë e mikut të tij.