Armëpushimi i brishtë midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka vazhduar, përderisa grupi radikal të dielën ka liruar edhe 17 pengje, përfshirë 14 izraelitë dhe një amerikan. Në këmbim, Izraeli ka liruar 39 të burgosur palestinezë.
Në mesin e pengjeve që u lirua ishte Abigail Edan, një vajzë katërvjeçare me shtetësi izraelite dhe amerikane, prindërit e së cilës u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor, që nxitën luftën.
“Ajo ka përjetuar gjëra të paimagjinueshme”, tha presidenti amerikan, Joe Biden, lidhur me pengun e parë amerikan që u lirua në bazë të armëpushimit katërditor. Biden tha se qëllimi i tij ishte që të zgjatej armëpushimi sa më shumë që të mundej.
Në përgjithësi janë nëntë fëmijë nga 17 vjeç dhe më të vegjë që janë në listën e pengjeve që pritet të lirohen, sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Në mesin e pengjeve të liruara ishin edhe tre shtetas të tjerë tajlandez. Ndaras, Hamasi tha se ka liruar një peng rus “në përgjigje të përpjekjeve të presidentit rus, Vladimir Putin”.
Ministria e Jashtme e Tajlandës tha se me shtetasit e fundit të liruar, numri i pengjeve tajlandeze të liruar deri më tani ishte 17. Kjo ministri tha se edhe 15 shtetas të tjerë janë ende duke u mbajtur peng.
Ndërkaq, të burgosurit palestinezë të liruar ishin fëmijë dhe djem të rinj të moshave 15 deri 19 vjeç, të cilët ishin akuzuar për prishje të rendit publik, dëmtim të pronave dhe disa akuza të tjera që kishin të bëni me kërcënim fizik ndaj zyrtarëve izraelitë përmes hedhjes së gurëve dhe koktejve të molotovit.
Të hënën, më 27 nëntor pritet të lirohet grupi i katërt i pengjeve. Kjo do të jetë dita e fundit e armëpushimit, ku pritet që në total 50 pengje të lirohen dhe 150 të burgosur palestinezë. Shumica e tyre janë gra dhe të mitur.
Ndërmjetësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po tentojnë të zgjasin armëpushimin që nisi të premten.
Për herë të parë, Hamasi tha se po synon që të zgjasë marrëveshjen, duke synuar që të lirojë numër më të madh të pengjeve. Netanyahu lëshoi një deklaratë duke thënë se ka biseduar me Bidenin dhe ka ripërsëritur ofertën e tij për të zgjatur armëpushimin për një ditë më shumë për çdo dhjetë pengje që lirohen nga Hamasi. Por, ai tha se Izraeli do të riniste ofensivën e tij “me gjithë forcën që ka” sapo të mbaronte armëpushimi.
Para se të lirohej grupi i fundit i pengjeve, Netanyahu vizitoi Rripin e Gazës, ku u takua me trupat izraelite.
“Në fund të ditës, ne do të kthejmë të gjithë”, tha ai duke iu referuar pengjeve. Ai shtoi se “ne do të vazhdojmë deri në fund, deri në fitore. Asgjë nuk do të na ndalë”. Nuk është e qartë nëse lideri izraelit është futur brenda Gazës.
Kjo është pauza e parë e luftimeve gjatë shtatë javëve luftë, që shënon dhunën më vdekjeprurëse midis Izraelit dhe palestinezëve në dekada.
Mbi 13.300 palestinezë janë vrarë – dy e treta gra dhe të mitur – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Kjo ministri nuk bën dallim midis civilëve të vrarë dhe luftëtarëve.
Në sulmin e parë të Hamasit në jug të Izraelit janë vrarë mbi 1.200 persona, shumica civilë. Hamasi po ashtu ka marrë peng afër 240 persona.
Pauza në luftime po ashtu ka mundësuar dërgimin e ndihmës për 2.3 milionë banorët në Gazë, të cilët janë përballur me sulme të pareshtura izraelite, që kanë detyruar tri të katërtën e popullsisë që të zhvendosen nga shtëpitë.