Ndërlidhjet

SPAK heton ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për “shpërdorim detyre”


Një flamur i Shqipërisë i vendosur në Tiranë. Fotografi ilustruse nga arkivi.
Një flamur i Shqipërisë i vendosur në Tiranë. Fotografi ilustruse nga arkivi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) njoftoi po heton për “shpërdorim detyre” ish-ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ilir Beqaj.

Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata Kundër Korrupsionit ka vendosur ndaj Beqajt masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Caktimi i masave të sigurisë për Beqajn lidhet me hetimin e nisur nga SPAK-u më 13 janar të vitit 2020 për koncesionin e sterilizimit, për të cilin janë të arrestuar dy persona dhe gjashtë të tjerë hetohen në gjendje të lirë.

Në njoftimin e SPAK-ut, u tha se Ilir Beqaj është i detyruar të paraqitet para policisë gjyqësore, një herë në javë, çdo të premte në orën 15:30. Gjithashtu ai është urdhëruar që të mos largohet nga Shqipëria. Këto masa, SPAK i ka shqiptuar ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë një ditë më herët.

Pas njoftimit të SPAK-ut, reagoi ish-ministri Beqaj. Përmes një postimi në Facebook, ai tha se avokatët e tij i kanë sugjeruar që të ankimojë vendimin dhe ai do ta bëjë këtë.

Beqaj e cilësoi akuzën si të pabazuar, por tha se do të ndjekë rrugët ligjore për të pastruar emrin e tij.

Ai njoftoi po ashtu se ka ofruar dorëheqje nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces.

“Unë shpresoj që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë të plotë, duke vënë drejtësinë dhe të vërtetën mbi çdo paragjykim dhe sulm politik”, shkroi ai në Facebook.

Më 2020, SPAK-u regjistroi procedimin penal për “shpërdorim detyre”, “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë” si dhe “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”. Hetimi nisi pas kallëzimit që bëri lëvizja “Nisma Thurje” për procedurën e dhënies me koncesion “për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steriol një përdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Kontrata koncensionare 10-vjeçare, në vlerë prej afër 100 milionë dollarë, u firmos në dhjetor të vitit 2015 dhe ende vijon të zbatohet.

Për abuzimet me këtë kontratë janë arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, përfaqësues i kompanisë që fitoi tenderin për të ofruar shërbimin e sterilizimit. Ndërkaq, gjashtë persona të tjerë janë në hetim në masa sigurie “arrest shtëpiak” ose “detyrim me paraqitje”.

Më herët, Ilir Beqaj ka mbrojtur koncesionin e sterilizimit si të domosdoshëm, me arsyetimin se centrali i sterilizimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend.

Në gusht të 2023, Gjykata pasi caktoi masën e sigurisë për ish-zëvendësministrin Rrjepaj dhe biznesmenin Rrapaj, dhe i sugjeroi SPAK-ut që të shtrinte hetimet edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, si dhe ndaj katër komisionarëve të prokurimeve.

Sipas hetimeve të deritanishme është vërejtur shkelje e barazisë së konkurrentëve në garë, fryrje artificiale dhe shumëfishim i kostove dhe çmimeve, falsifikim i dokumenteve dhe shifrave statistikore. Gjithashtu ka rezultuar se qendra e re e sterilizimeve të QSUT-së ka kaluar në përdorim të koncesionarit.

Ilir Beqaj ishte emëruar ministër i Shëndetësisë në vitin 2013 dhe gjatë mandatit të tij katërvjeçar ishin firmosur tri kontrata koncesionare për shërbime të sistemit shëndetësor. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, atë të ‘check up’ apo analizave për kontrollin bazë të popullsisë si dhe për koncesionin e shërbimit të hemodializës. Për të tria këto koncensione ka pasur denoncime nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile për afera korruptive.

Në tetor të këtij viti, Beqaj u bë pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG