Bashkimi Evropian nuk do të arrijë synimin për të furnizuar Ukrainën me 1 milion predha artilerie dhe raketa deri në mars të vitit të ardhshëm, tha të martën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Derisa ka mbërritur në takimin e ministrave të mbrojtjes së BE-së në Bruksel, ai gjithashtu kritikoi vendosjen e këtij synimi në mars të këtij viti në një afat prej 12 muajsh.
Këto komente paraqesin pranimin e parë publik nga një ministër i lartë në Bashkimin e Evropian se synimi nuk do të përmbushej, megjithëse rreth këtij synimi diplomatët dhe zyrtarët kanë shprehur skepticizëm privatisht për muaj të tërë.
Synimi ishte vendosur si përgjigje e nevojës urgjente dhe të vazhdueshme të Ukrainës për predha artilerie prej 155 milimetrash, të cilat janë bërë element kyç për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.
“Unë nuk i premtova 1 milion predha, dhe kjo ishte synim. Pyetja që do të duhej bërë ishte nëse 1 milion [predha] ishte synim realist”, u tha Pistorius gazetarëve.
“Kishte zëra që paralajmëronin: “Më mirë keni kujdes, është e lehtë të thuhet 1 milion, paratë janë në dispozicion, [por] prodhimi duhet të jetë atje".
Sipas ministrit gjerman këto paralajmërime janë vërtetuar tani “fatkeqësisht".
"Është e sigurt të supozohet se 1 milion predha nuk do të arrihen", shtoi ai.
Synime ambicioze
Disa zyrtarë kanë thënë se industria evropiane nuk kishte kapacitete prodhuese për të përmbushur këtë synim.
Por, gjithashtu disa të tjerë kanë mbështetur vendosjen e një objektivi ambicioz që inkurajonte vendet të bënin porosi si dhe kompanitë të investonin në rritjen e kapaciteteve.
Ministrat e tjerë që mbërritën nuk e kundërshtuan ministrin gjerman.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku kishte siguruar më shumë se 300.000 predha artilerie dhe raketa sipas pistës së parë të skemës, e cila përfshinte shtetet anëtare të BE-së që dërgonin nga rezervat e tyre.
Ai tha se tani fokusi ishte në elementin e dytë të skemës - vendet e BE-së porositin predha të reja nga industria nën një iniciativë të përbashkët prokurimi.
BE-ja po përpiqej të kishte një kuptim më të mirë se sa predha do të jepnin, tha ai.
"Është një bashkëveprim në mes të industrisë dhe vendeve anëtare. Puna është në proces", u tha ai gazetarëve.
Agjencia Evropiane e Mbrojtjes e BE-së tha në fund të shtatorit se shtatë vende të BE-së kishin porositur municione sipas skemës derisa duke përmendur konfidencialitetin nuk dha vlerën ose vëllimin e porosive.
Borrell sugjeroi se një pjesë e problemit ishte se industria evropiane e mbrojtjes eksportonte rreth 40% të prodhimit të saj në vendet që janë jashtë BE-së.
"Ndoshta ajo që duhet të bëjmë është të përpiqemi ta zhvendosim këtë prodhim në prioritet, që janë ukrainasit", tha ai.
Komisioneri i BE-së për industrinë, Thierry Breton, tha se kompanitë e armëve po bënin përparim në rritjen e prodhimit.
Ai tha se do të përmbushej një synim i veçantë për të rritur prodhimin evropian të predhave 155 milimetra deri në 1 milion në vit.