Ndërlidhjet

Ukrainasit e ndiejnë afër luftën në Lindjen e Mesme


Flamuj të Izraelit shihen në ekranet në një qendër tregtare në Kiev më 8 tetor 2023.
Flamuj të Izraelit shihen në ekranet në një qendër tregtare në Kiev më 8 tetor 2023.

Katër ditë pasi grupi militant palestinez, Hamas, sulmoi Izraelin, rabini Moshe Reuven Azman, një prej liderëve të komunitetit hebre në Ukrainë, publikoi dy fotografi, ku shfaqeshin katër nipat e tij duke u fshehur nën tokë nga sulmet ajrore.

Fotografia e parë ishte shkrepur në një bodrum në një fshat afër rajonit të Kievit në nisje të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndërkaq fotografia e dytë ishte shkrepur muajin e kaluar në një vendstrehim në Izrael.

“Dy pjesë të ndryshme të botës, por me një dhimbje të përbashkët”, shkroi Azman në postimin e tij në Facebook, duke iu lutur Zotit që t'i ndëshkojë “të gjithë ata që janë të përfshirë në terrorin ndaj civilëve”.

Shumë ukrainas kanë parë paralele të ngjashme midis inkursionit të Hamasit në Izrael dhe pushtimit rus të Ukrainës. Disa që janë larguar nga Ukraina në Izrael për t’iu ikur sulmeve ruse e kanë gjetur veten të mbërthyer nga një luftë tjetër.

Rami Abu Shamseim ka një perspektivë tjetër. Kirurgu ukrainas me origjinë palestineze, i cili është edhe profesor universitar, tha për Radion Evropa e Lirë se për të konflikti vdekjeprurës në Lindjen e Mesme është “një tragjedi e dyfishtë që prek dy shtetet e mia”.

Kur ushtria ruse iu afrua Kievit shkurtin e vitit të kaluar, Shamseim i dërgoi gruan e tij dhe fëmijët e tyre jashtë qytetit dhe iu bashkua njësisë së vullnetarëve për mbrojtje territoriale të kryeqytetit. Që atëherë, ai rregullisht është dërguar në vijat e frontit për të ndihmuar në trajtimin e ushtarëve të plagosur.

Më 6 tetor, një ditë para se Hamasi të sulmonte Izraelin, Shamseim ishte rrugës nga Ukraina për në Bregun Perëndimor për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, por fluturimi u anulua dhe ai nuk arriti të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

“Disa të njohur në shtëpi [Bregun Perëndimor] më quajtën tradhtar për mbështetjen time për Ukrainën”, tha ai.

Ai, po ashtu, tha se bllokada dhe ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës “më kujton rrethimin rus të Mariupolit”, qytetit-port në Detin Azov në rajonin ukrainas të Donjeckut, që Moska mori nën kontroll në maj të vitit të kaluar pasi për muaj të tërë rrethoi qytetin, duke vrarë një numër ende të panjohur të civilëve.

“Krejt çfarë mund të them është se do të vazhdoj të mbroj shtëpinë time” në Ukrainë, tha ai.

Ankthi rreth ndihmës

Për shumicën në Ukrainë, paralelet mes Hamasit dhe Rusisë duken më të forta për disa arsye. Në mesin e tyre janë edhe historia e gjatë e mbështetjes së Moskës për palestinezët, dyshimet për përfshirjen e Kremlinit në sulmin e Hamasit dhe deklaratat e Rusisë pas sulmit: presidenti rus, Vladimir Putin, ka shmangur që të kritikojë Hamasin dhe Qeveria e tij ka qenë nikoqire e një delegacioni të nivelit të lartë të grupit militant, takim që është mbajtur më herët gjatë këtij muaji.

Pas sulmit të 7 tetorit, shfaqja e solidaritetit me Izraelin u përhap shpejt në Ukrainë. Qytetarët vendosën lule para Ambasadës izraelite në Kiev dhe flamujt e Izraelit u vendosën në bilborde në mbarë shtetin.

“Reagimet tona fillestare për këtë luftë të largët ishin të bazuara në lidhjen e thjeshtë dhe ishin të nxitura nga traumat e fundit”, tha për REL-in, Ihor Semyvolos, drejtor i Qendrës për Studime për Lindjen e Mesme në Kiev. Autoritetet e Ukrainës, tha ai, kanë kthyer fokusin “pothuajse vetëm në atë se si kjo luftë mund të ndikojë në shtetin tonë”.

Më e rëndësishmja, lufta Izrael-Hamas ka ndikuar tashmë në perspektivat për ndihmë të mëtejme për Ukrainën, duke nxitur mosmarrëveshje mes politikanëve dhe publikut në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Është e qartë se lufta në Lindjen e Mesme po tërheq fokusin” nga Ukraina, tha më 4 nëntor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke sugjeruar se kjo gjë po i shkon përshtati Rusisë.

Në ditën kur Hamasi kreu sulmin, Zelensky deklaroi se “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten është e pakontestueshme” dhe i bëri thirrje botës që të “qëndrojë bashkë kundër terrorit”.

Dy ditë më pas, duke folur nëpërmjet video-lidhjes në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që u mbajt në Kopenhagë, ai tërhoqi paralele midis sulmit ndaj Izraelit dhe pushtimit të Ukrainës, duke e cilësuar Hamasin “organizatë terroriste” dhe Rusinë “shtet terrorist” – një cilësim që Kievi e ka përdorur edhe para sulmit të 7 tetorit.

Zelensky vlerësoi se ishte në interes të Rusisë që të nxisë një luftë në Lindjen e Mesme dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos përfshihet në dialog me shtete sikurse Rusia dhe Irani.

Pas shpërthimit në spitalin Al-Alhi në qytetin e Gazës, ku qindra persona vdiqën dhe për të cilin të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën, Ministria e Jashtme përsëriti mbështetjen e Ukrainës për “përpjekjet e Izraelit për të zmbrapsur aktet terroriste”, por po ashtu tha se Kievi “avokon për zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez përmes mjeteve politike dhe diplomatike”.

Më vonë, më 19 tetor, pas një bisede telefonike me presidentin amerikan, Joe Biden, Zelensky përdori fjalë më të matura, duke thënë se “ukrainasit dhe amerikanët bashkëndiejnë me të gjitha viktimat e këtyre ngjarjeve tragjike”, duke u zotuar se “Ukraina është e gatshme të punojë me Amerikën dhe të gjithë partnerët për të stabilizuar situatën dhe për të shpëtuar se më shumë jetë që të jetë e mundur”.

Biden ka tentuar që të sigurojë se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën do të vazhdojë, duke deklaruar se bota “nuk mundet dhe nuk duhet t'i lërë terroristët sikurse Hamasi apo tiranët sikurse Putini, të fitojnë”. Ai ka propozuar një pako të përbashkët të sigurisë që përfshin afër 60 miliardë dollarë ndihmë të re për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë për Izraelin.

Fati i kësaj pakete të ndihmës – dhe të çdo legjislacioni tjetër për ndihmë shtesë amerikane për Ukrainën – është i paqartë për shkak të mosmarrëveshjeve në Uashington teksa afrohen zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Kjo paqartësi ka rritur frikën në Ukrainë se konflikti në Lindjen e Mesme mund të pengojë rëndë betejën e Kievit për të mbrojtur veten dhe për t'i dëbuar forcat ruse nga shteti.

“Peng i gjeopolitikës”

Në këtë kohë të rëndësishme, Rusia ka përfshirë narrativët e saj lidhur me luftën Izrael-Hamas në përpjekjet e saj për të minuar mbështetjen për Ukrainën në SHBA dhe në vende të tjera në mbarë botën.

Më 9 tetor, shefi i inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, akuzoi Moskën se po synonte të diskreditonte Kievin duke i dërguar Hamasit armë që forcat ruse kanë kapur në fushëbetejën në Ukrainë.

Ndërkaq, Rusia ka intensifikuar sulmet që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, duke nisur ofensivën më të madhe për muaj të tërë në qytetin Avdijivka në rajonin e Donjeckut dhe duke intensifikuar bombardimet përreth Kupjanskut dhe Limanit – dy qytete më në veri që i pushtoi vitin e kaluar, por të cilat u rimorën nga trupat ukrainase.

Pavarësisht një sërë ngecjesh sikurse më 2022, dhe dështimit të Rusisë për të bërë përparime të rëndësishme gjatë këtij viti, Putini nuk ka shfaqur asnjë shenjë se do të heqë dorë nga pushtimi dhe analistët kanë thënë se lufta Izrael-Hamas vetëm mund të rrisë shpresat e presidentit rus për fitore në Ukrainë.

Yosyf Zissels, aktivist ukrainas për të drejtat e njeriut dhe ish-disident sovjetik, i tha Radios Evropa e Lirë se duke intensifikuar konfrontimin mes Perëndimit dhe shteteve përfshirë Iranin, Rusinë dhe Kinën, lufta në Lindjen e Mesme po e kthen Ukrainën në një “peng të gjeopolitikës”.

“Duket sikur ne jemi në prag të luftës botërore midis demokracisë dhe autoritarizmit, por Perëndimi po bën gjithçka që mundet për ta kufizuar atë në kufijtë e Ukrainës. Ne duhet të luftojmë sado që e urrejmë të luftojmë”, tha ai.

*Video: Ukrainasit mes konfliktit Izrael-Hamas

"Jemi lodhur duke ikur nga lufta": Ukrainasit mes konfliktit Izrael-Hamas
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:40 0:00

Raportet me Izraelin

David Milman, klerik hebre në forcat e armatosura të Ukrainës, po ashtu sugjeroi se lufta e Rusisë ndaj shtetit të tij është pjesë e një përplasjeje më të gjerë.

“E kemi gjetur veten në një epokë turbulente ku të gjithë duhet të vendosin se në cilën anë qëndrojnë”, tha ai për REL-in, duke shtuar se “Rusia e ka bërë zgjedhjen e saj”.

Ashtu si shumë të tjerë në Ukrainë, Milman tha se beson që situata e re mund të nxisë lidhje më të forta me Izraelin, që mund të sjellë përfitime të konsiderueshme kur bëhet fjalë për mbrojtjen kundër Rusisë.

Ai personalisht ka ndërmjetësuar transferimin e komponentëve nga Izraeli për sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Milman shprehu besimin se mbështetja izraelite për Ukrainën tani do të rritet duke pasur parasysh që “Ukraina e ka mbështetur Izraelin kaq fuqishëm sa i përket çështjes palestineze”.

Pak pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, Zelensky raportohet se e ka pyetur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nëse ai mund të tregojë solidaritet duke vizituar Izraelin, por atij në esencë i është thënë “tani nuk është koha” për një vizitë të tillë.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që Ukraina merr përgjigje negative nga Netanyahu, i cili ka një raport të kamotshëm me Putinin dhe ka shmangur që të kritikojë Rusinë për një sërë arsyesh. Një prej arsyeve është se Rusia, që kontrollon pjesë të mëdha mbi qiellin e Sirisë, ka lejuar avionët luftarakë izraelitë të bombardojnë forcat e grupit militant, Hezbollah.

Gjasat për një vizitë mbeten të paqarta pavarësisht se është raportuar që Zelensky mund të udhëtojë në Izrael gjatë kësaj jave.

Në mars të vitit 2022, adresimi i Zelenskyt para ligjvënësve izraelitë nuk u prit edhe aq mirë për shkak se lideri ukrainas krahasoi pushtimin rus të Ukrainës me Holokaustin dhe kritikoi raportet Izrael-Rusi.

Atëbotë, Izraeli dënoi pushtimin rus, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe më vonë refuzoi kërkesat ukrainase për mbështetje ushtarake, duke ofruar vetëm ndihmë humanitare. Izraeli, po ashtu, pezulloi regjimin e lëvizjes pa viza për ukrainasit dhe kufizoi ardhjen e refugjatëve ukrainas.

“Një çështje e pazgjidhshme”

Për më tepër, shtetet kanë dallime sa i përket disa votimeve në Kombet e Bashkuara në vitet e fundit. Me agresionin e Rusisë në mendje që kur Moska aneksoi Krimenë pothuajse një dekadë më parë, Ukraina vazhdimisht ka mbështetur rezolutat e OKB-së që kanë dënuar pushtimin e tokave palestineze, duke i dalë kundër SHBA-së dhe shumë shteteve perëndimore.

Ndërkaq, Izraeli nuk e ka mbështetur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 2014 që dënonte marrjen e Krimesë nga Rusia dhe që konfirmonte integritetin territorial të Ukrainës. Dy vjet më vonë, Ukraina mbështeti një rezolutë që i cilësonte kolonët izraelitë në Jerusalemin Lindor si të paligjshëm.

Përfundimisht, në nëntor të vitit 2022, Kievi votoi në favor të rezolutës për çarmatosje bërthamore në Lindjen e Mesme që shënjestronte programin e padeklaruar bërthamor të Izraelit, dhe po ashtu mbështeti thirrjen për një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për “pushtimin e zgjatur, vendbanimet izraelite dhe aneksimin e territorit palestinez”.

*Video: Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve

Historiku i konfliktit izraelito-palestinez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Për shkak të kësaj historie, Semyvolos tha se në terma afatgjatë, mbështetja e Kievit për Izraelin që nga sulmi i 7 tetorit mund të jetë “një fushë e minuar ideologjike”.

Zissels, në anën tjetër, tha se i shikon këto votime në OKB si rezultat i “inercisë” dhe argumentoi se raportet mes Ukrainës dhe Izraelit janë përmirësuar shumë kohë para se të shpërthenin luftërat aktuale.

Si shumë të tjerë në Ukrainë, ai tha se Izraeli dhe Ukraina “kanë fat të njëjtë” – të dy po luftojnë kundër fqinjëve armiqësorë dhe po luftojnë për të drejtën e tyre për të ekzistuar – dhe se Izraeli shpesh është përmendur si model për Ukrainën në të ardhmen.

Por, ai po ashtu sugjeroi se konflikti në Lindjen e Mesme mund të jetë po ashtu një model, por më i ashpër.

“Fatkeqësisht, lufta ruso-ukrainase mundet, sikurse konflikti i Izraelit me Palestinën, të shndërrohet në një çështje të pazgjidhshme”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG