Ndërlidhjet

Verifikojmë: Sa paguhen pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës?


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. 27 shtator 2023.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. 27 shtator 2023.
Xhelal Sveçla

Xhelal Sveçla

Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës

“Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot [1 nëntor] janë mbi 2.200 euro”.

Deklaratë pjesërisht e vërtetë

Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se pjesëtarët e dy njësive speciale të Policisë së Kosovës, që protestuan më 1 nëntor në Prishtinë, kanë pasur të ardhura mujore deri në 2.200 euro, del se nuk është krejtësisht e vërtetë.

Të paktën, formulimi është i paqartë, pasi nuk bëhet fjalë për pagën e tyre bazë që marrin çdo muaj.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës (NJSI) dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë.

Ata kërkuan që shtesa për rrezikshmëri të jetë 50 për qind e pagës së tyre bazë, e jo siç i ka përcaktuar Qeveria në shtatë kategori, me vlera të ndryshme monetare.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e demanton deklaratën e ministrit Sveçla se pjesëtarë të njësive speciale kanë mundur të marrin mjete financiare deri në 2.200 euro në muaj.

Por, ai tha se duhet të bëhet dallimi mes pagës bazë dhe shtesave që merren për orët jashtë orarit.

“Le ta sqarojmë... Paga është e njëjtë për të gjithë. Pjesa tjetër shtesë ka mundur ta arrijë atë shifër. Janë orët që janë punuar pas orarit të punës. Dhe, ata operatorë dhe ata zyrtarë policorë që kanë qenë të angazhuar në planet operative në pjesën veriore të vendit, më shumë kanë qëndruar në punë sesa në shtëpi, ose kanë qëndruar me javë të tëra pa u kthyer në shtëpi. Kjo e ka bërë të vetën. Unë e di që për këtë ka qenë i njoftuar edhe vetë ministri”, tha Zeqiri për REL-in.

Në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - tensionet janë të larta prej muajsh, pasi popullata lokale i kundërshton vendimet e institucioneve të Kosovës.

Më i kujdesshëm në përzgjedhjen e fjalëve ishte shefi i Sveçlës, kryeministri Albin Kurti. Ai tha se në shumën prej 2.200 eurosh përfshihet paga bazë e policëve, plus shtesat.

“Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa presidentja e Republikës [1.890 euro bruto, koeficienti 18], e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sish [ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NJSI-së]”, shkroi Kurti në Facebook.

Puna e pjesëtarëve të policisë rregullohet me Ligjin për policinë. Aty thuhet se shtesat për policët përfshijnë kompensimin për punën e rrezikshme, jashtë orarit, gjatë festave dhe për caktim në punë të veçanta.

Megjithatë, në ligj nuk jepet ndonjë vlerë monetare se sa paguhen policët për punën jashtë orarit.

Një pjesëtar i njësisë elitare të policisë NJSI - njësi që njihet në publik edhe si FIT - me të cilin bisedoi Radio Evropa e Lirë, tha se në këtë njësi ka ndodhur që një pjesëtar i saj të ketë punuar maksimum 540 orë në muaj.

Mesatarisht, pjesëtarët e kësaj njësie punojnë 173 orë në muaj, tha ai. Por, kur ka tensione në veri të Kosovës - që janë të larta që nga maji - policët punojnë me orare të stërzgjatura, deri në mbi 500 orë.

Sipas këtij pjesëtari të NJSI-së, ata paguhen 3.60 euro bruto për një orë jashtë orarit, apo 3.40 euro neto.

Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa pjesëtarë ka në njësitë elite të këtij institucioni, e as çfarë gradash kanë ata.

Në Policinë e Kosovës, pagat bazohen në Ligjin për pagat dhe janë të ndara me koeficiente, varësisht gradës që kanë zyrtarët.

Por, shembull, nëse një polic i lartë, që ka pagë bazë prej 615.5 eurosh, do të punonte 540 orë në muaj (160 orë të rregullta dhe 380 orë shtesë) - bazuar në vlerën prej 3.60 eurosh për orë shtesë - atëherë i bie që ai në atë muaj të paguhet me 1.983 euro bruto.

Pra, për të arritur të ardhura të kësaj vlere, polici duhet të punojë me orar të zgjatur, të barasvlershëm me mbi tre muaj orar të rregullt prej tetë orësh në ditë.

Pse protestuan njësitë elitare policore?

Për herë të parë prej se u themelua Policia e Kosovës, 24 vjet më parë, pjesëtarë të dy njësive speciale dolën në protestë.

Të maskuar dhe me uniforma, ata kërkuan që të “mos luhet me dinjitetin” e tyre dhe me, siç thanë, “ndjenjat e familjeve” të tyre.

Një përfaqësues i këtyre njësive elite policore tha se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

“Duam të potencojmë që kërkesat tona janë absolutisht kërkesa ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme”, tha përfaqësuesi i protestuesve.

*Video: Protesta e njësive speciale

Protestojnë njësitë speciale policore, kërkojnë rritjen e shtesave për rrezikshmëri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Kryesindikalisti i policisë, Zeqiri, tha për REL-in se kërkesat e policëve protestues janë “të arsyeshme, reale dhe legjitime”.

Në fund të tetorit, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që do të hyjnë në fuqi nga ky muaj.

*Video: Pse largohen policët e Kosovës?

Shumë vlerësim e pak shpërblim: Pse largohen policët e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat janë prej 150 eurosh mbi pagën bazë.


Ndërkaq, për Njësinë për Eksplozivët dhe Deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës - që janë mbi 9.000 dhe me grada të ndryshme - nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.

XS
SM
MD
LG